Në moshën 46 vjeçare, u nda nga jeta një nga drejtuesit dhe njerëzit më aktivë të medies së shkruar në Shqipëri, Adrian Osoja. Në mënyrë krejt të papritur Ardiani ka ndërruar jetë teksa ishte me pushime me familjen e tij, Entelën dhe Kristin në Vlorë. Adriani është paraqitur të martën, rreth orës 19 në spitalin e Vlorës, por se mjekët e kanë diagnostikuar me probleme stomaku. Ndërsa vetëm gjashtë orë më vonë më 01:30 ka ndërruar jetë. Prej mëse 20 vitesh Ardi është bërë pjesë e medies dhe mik i shumë e shumë gazetarësh. E nisi punën si pjesë e stafit menaxhues në “Gazetën Shqiptare”, ndërsa me vullnetin e fortë të tij arriti të bëhet drejtues dhe themelues i shumë gazetave. Pas “Gazetës Shqiptare”, në vitin 2003 Osoja mori drejtimin e gazetës

“Panorama” dhe “Panorama Sport”, duke u bërë vendimtar në rrugën e kësaj medie. Më pas Osoja do të marrë drejtimin e gazetës “Tirana Observer”, si një nga themeluesit kryesorë të saj. Por aktiviteti si drejtues i medies së shkruar do të vijojë më tej me gazetat “Metropol” dhe “Metropol Sport”, duke vijuar si themelues dhe Drejtor në gazetën “Dita”, sportiven “Gol”, si dhe së fundi edhe “Sport Ekspres” Pikërisht në kulmin e aktivitetit të tij, Ardiani do të ndahej nga jeta duke krijuar një boshllëk të madh në medien e shkruar dhe në risitë e saj. Çdo kush që e ka njohur do të jetë dakord me mua nëse flasim për agresivitetin e Osojës, për rritjen e medies ku ai punonte. Të gjithë që e njohin do të kujtojnë debatet e nxehta të tij, por që në thelb do të krijonin një pikë të fortë referimi. Jo vetëm kaq, kontributi i tij është mjaft domethënëse në përpjekjet për krijimin e një tregu të ndershëm të gazetave, qoftë ato aktual/politike qoftë ato me karakter sportive. Duke nisur që nga forma e tregtimit deri te standardi i çmimit. Madje nuk besoj se do të ketë tregtar të gazetave në Tiranë e rrethe që nuk e ka njohur apo nuk ka pirë një gotë me Ardin. E sigurisht tensioni i punës do të lihej mënjanë në tavolinën e muhabetit. Mesnata e së martës do të mbetet një moment i dhimbshëm për familjen e tij, djalin e tij Kristiani dhe bashkëshorten Entela. Një dhimbje e madhe për prindërit e moshuar dhe vëllait Teodorit. Miqtë e shokët e shumtë të cilët nuk e kanë besuar njoftimin e dhimbshëm. Eshtë e pabesueshme, pikërisht për gjallërinë që ai kishte dhe për frymën që përcillte. Stafi i Shqiptarja.com i bashkohet dhimbjes së familjes së Ardit, miqve e të afërmve të tij.
 
Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)