Ndahet nga jeta arkeologu durrsak Fatos Tartari, zëri i palodhur për dëmtimin e qytetit

Ndahet nga jeta arkeologu durrsak Fatos Tartari, zëri i palodhur për dëmtimin e qytetit

Arkeologu Fatos Tartari

DURRËS- Arkeologu Fatos Tartari është ndarë nga jeta në moshën 85-vjeçare, për shkaqe natyrale! (1938-2023).  

Lindi në Durrës, ku kreu edhe shkollën e mesme. Studimet e larta i përfundoi në Fakultetin e Histori-Filologjisë, të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitet 1957-1961.

Leksionet e para i mori nga profesorët e shquar, Eqrem Çabej, Mahir Domi, Shaban Demiraj, Anastas Dodi, Aleks Buda, Kristo Frashëri, Skënder Luarasi, Nasho Jorgaqi, Selim Islami dhe të tjera figura të njohura të botës akademike.

Gjatë studimeve ishte bashkëkohës i kërkuesve shkencor të njohur, si Selami Pulaha, Myzafer Korkuti, Damian Komata,Apostol Pango, Skënder Lila, Emil Lafe dhe të tjerë.

Karrierën e tij e nisi në mësimdhënie gjatë viteve 1962-1970, në shkollat e mesme të qytetit të Lezhës (2 vite) dhe më tej në Shkollën Bujqësore të Golemit (Kavajë), duke dhënë një kontribut të çmuar në përgatitjen dhe edukimin e disa brezave që studiuan në këto shkolla.

Në vitin 1970 nisi kontaktet e para me arkeologjinë kur filloi punë si punonjës shkencor në Muzeun Arkeologjik të Durrësit. Nëpërmjet studimit didaktik, pjesëmarrjes në ekspedita kërkimore dhe njohjes së gjuhëve të huaja, arriti që brenda nje viti të realizonte në mënyrë të pavarur sondazhet dhe gërmimet e para arkeologjike, duke i publikuar pa humbur kohë rezultatet e tyre.

Ka marrë pjesë në kumtesa dhe referate në të gjitha sesionet shkencore të organizuara në Durrës që nga viti 1971 dhe deri vitet e fundit, në të cilat ishte aktiv me prezantimin e gjetjeve, si pjesë e ekipeve kërkimore dhe më pas jepte opinionet e tij për çështje që lidheshin me arkeologjinë në Durrës.

Gjithashtu kontribuoi me studimet e tij në Qendrën e Kërkimeve Arkeologjike në Tiranë, e cila më vone u kthye në Institutin e Arkeologjisë së Shqipërisë.

Fatos Tartari ka qenë pjesë e dhjetra kumtesave shkencore dhe ka shkruar e botuar artikuj e studime në botimet shkencorevendase dhe të huaja. Po ashtu Tartari është autor i qindra artikujve devulgativ.

Gjithashtu ka botuar me dhjetra studime e artikuj shkencorë në periodikët kryesor të vendit, si “Iliria” dhe “Monumentet”.

Ishte bashkëautor i përmbajtjes së Muzeut të ri Arkeologjik në Durrës, pas vitit 1985. Po ashtu ishte autor leksionesh, referatesh dhe pjesëmarrës në tryeza diskutimi me karakter vendor, kombëtar dhe ndërkombëtar.

Fatos Tartari është autori i monografive:

  • “Varreza e shekujve I-IV të Erës Sonë në Dyrrah (Durrës. 2004);
  • “La necropole du ler IV eme siècle de notre ère à Durrhachium” (Durrës. 2004);
  • Prodhime qelqi të shekujve I-IV të Erës Sonë në Shqipëri (Durrës. 2005);
  • Les verreries du ler-IVeme sc.de notre ère en Albanie Durres 2006);
  • “Urbanizimi i Dyrrahut gjatë sundimit romak”;
  • “Kanalet nëntokësore higjieno-sanitare të Dyrrachiumit”;
  • “Colonia Julia Augusta Veneria Dyrrachium”;
  • Përmbledhje artikujsh e studimesh (Durrës, 2008).

Fatos Tartarit me vendimin nr. 2302, më 02.10.1989, Komisioni i Lartë i Atësimit i dha gradën shkencore “Kandidat i Shkencave”. Në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 786, datë 17.12.1996 (pika 3.9), ju njoh grada shkencore”Doktor i Shkencave”.

Me vendimin nr. 32, datë 29.02.2000, të Komisionit të Kualifikimit Shkencor mori titullin “Mjeshtër Kërkimesh” (“Profesor i Asociuar”). Me vendimin e Këshillit Shkencor të Institutit të Arkeologjisë, datë 04.04.2007, mori titullin”Profesor”.

Që nga viti 1994 ishte anëtar i Shoqatës Evropiane të Arkeologëve (“European Association of Archaeologists”) dhe pjesëmarrës në disa kongrese të saj. Që nga viti 1995 ishte pjesë e Shoqatës Ndërkombëtare të Studimeve të Historisë sëQelqit (“International Association for the History of Glass”) dhe pjesëmarrës në disa kongrese të saj.

Tartari ishte bashkëdrejtues i projektit shqiptaro-francez, “Ofrandat e Sanktuarit të Kodrës së Dautes në Dyrrachion”, i cili kishte nisur që prej vitit 2002. Në kuadër të tij ai ka qenë bashkëautor i disa kumtesave, artikujve shkencorw, raporteve,leksioneve dhe bisedave televizive.

Gjithashtu u angazhua me Shkollën Franceze të Athinës për studimin dhe botimin e fondit të figurinave prej balte të shekujve IV-I Para Erës Sonë, të zbuluara në “Kodrën e Dautes”. 

Ka referuar në Universitetin “Sharl Dë Gol” (“Charles De Gaulle), në Shkollën Franceze të Athinës dhe në Qendrën Studimore HALMA, partnere dhe mbështetëse e projektit shqiptaro-francez.

Ishte fitues i çmimit të parë ndërkombëtar “CLIO” (Paris. 01.11.2005).

Mori pjesë si partner në projektin “Glassway” me pjesëmarrjen e mjaft universiteteve dhe institucioneve kërkimore-shkencore të vendeve të Mesdheut Perëndimor, si Universiteti i Maltës, i Algjerisë, i Katalonjës (Spanjë), Milanos, Raguzës dhe Palermos, në Itali.

Fatos Tartari ishte shumë aktiv edhe në jetën kulturore të qytetit dhe në mediat lokale e ato kombëtare, duke denoncuardëmtimet e vazhdueshme të arkeologjisë në Durrës. Ai ishte pjesë e lëvizjeve qytetare kundër projekteve që dëmtonin nëntokën e qytetit bregdetar dhe njihej për pasionin e tij për biçikletën, duke përkrahur lëvizjet e gjelbra në qytet.

Tartari përgjatë gjithë jetës së tij është marrë paralelisht edhe me aktivitete sportive. Ai ishte i apasionuar pas atletikës dhe volejbollit. Si volejbollist ka qenë pjesë e ekipit “Lokomotiva” të Durrësit dhe u shpall dy herë kampion me të rinjtë, në vitet ’55-56. 

Më pas vijoi me ekipin “Studenti”, deri sa u rikthye në ekipin e qytetit të tij në vitet ’60-70. Pas viteve ’70 aimbajti edhe pozicionin e gjyqtarit të atletikës. Tartari ishte anëtar i Kryesisë Qendrore të Atletikës Shqiptaredhe kryetari i Kolegjiumit Qendror të Gjyqtarëve të Atletikës. Ai u shpall edhe “Gjyqtar i Republikës”, titull i barazvlefshëm me atë të një gjyqtari ndërkombëtar.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Si është gjendja e Metës? Faik Basha: Po drejton aksionin opozitar nga burgu! Së shpejti do lirohet, në 2025 kandidat për kryeministër

Si është gjendja e Metës? Faik Basha: Po drejton aksionin opozitar nga burgu! Së shpejti do lirohet, në 2025 kandidat për kryeministër