Ditën e sotme është ndarë nga jeta Brunilda Isaj, Sekretare e Përgjithshme e Shoqata Shqiptare e Mikrofinancës.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Shoqata Shqiptare e Mikrofinancës përmes një postimi në rrjetet sociale, ku i ka shprehur ngushëllimet familjes, miqve dhe kolegëve të saj.

Po ashtu në njoftim shkruhet se Brunilda gjatë gjithë karrierës së saj dha një kontribut të çmuar dhe të qëndrueshëm në zhvillimin e sektorit të Mikrofinancës, duke qenë një ambasadore e palodhur e rolit të kësaj shoqate në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.

Ndërkohë ende nuk dihen shkaqet që çuan në ndarjen nga jeta të Brunildës.

Njoftimi i Mikrofinanca Shqiptare:

Me hidhërim të thellë dhe dhimbje të madhe njoftojmë ndarjen nga jeta të Brunilda Isaj, Sekretare e Përgjithshme e Shoqata Shqiptare e Mikrofinancës.

Brunilda ishte një kolege shumë e dashur, një profesioniste e shkëlqyer dhe një kontribuese e jashtëzakonshme në sektorin e mikrofinancës. Gjatë gjithë karrierës së saj, ajo dha një kontribut të çmuar dhe të qëndrueshëm në zhvillimin e këtij sektori, duke qenë një ambasadore e palodhur e rolit të m në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.

Puna dhe angazhimi I saj u karakterizuan jo vetëm nga profesionalizmi dhe vizioni, por edhe nga integriteti, përkushtimi dhe ndjeshmëria njerëzore. Brunilda mishëronte një karakter të rrallë, ku profesionalizmi, dhembshuria dhe vlerat morale bashkëjetonin në mënyrën më të butë, më të heshtur dhe më njerëzore të mundshme. Ajo frymëzoi respekt, besim dhe admirim tek të gjithë ata që patën fatin ta njihnin dhe të punonin me të.

Përtej angazhimit profesional, Brunilda ishte një bashkëshorte e dashur dhe një nënë e mrekullueshme, e përkushtuar me dashuri të pakushtëzuar ndaj familjes së saj.

Humbja e saj lë një boshllëk të pazëvendësueshëm në Shoqata Shqiptare e Mikrofinancës, në komunitetin e mikrofinancës dhe në zemrat e të gjithë atyre që e njohën.

I shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe kolegëve të saj në këtë moment dhimbjeje të thellë.

Qoftë I përjetshëm kujtimi I saj.