Është ndarë nga jeta piktori i njohur Ali Oseku, një prej artistëve më emblematik të artit shqiptar në 50 vitet e fundit.

Oseku nuk arriti të fitonte dot betejën me sëmundjen e rëndë dhe u shua në banesën e tij në Tiranë.

Ali Oseku (1944) Lindi në Tiranë, në një familje me origjinë nga Gjakova.

Liceun artistik e mbaron në vitin 1963, ndërsa Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1969. Pas studimeve, artisti fillon punë si skenograf në TOB.

Në vitin 1973, në valën e ndëshkimeve shtetërore në fushën e artit dhe kulturës, artisti dënohet me burg deri në vitin 1979.

Pas kësaj periudhe, artisti punon si punëtor i thjeshtë, deri në rënien e sistemit. Pas viteve ’90, do ishte një nga zërat më aktivë të skenës artistike vendase.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 07:34
Ndarja e piktorit Ali Oseku nga jeta, Basha: I dha pikturës shqiptare universin e një krijimtarie unikale

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka ndarë një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të piktorit , Ali Oseku.

“Lamtumirë Ali Oseku, njeriu ynë i madh, artisti i paepur dhe i palodhur, i cili së bashku me dimensionin modern i dha pikturës shqiptare universin e një krijimtarie unikale si një thesar i çmuar i artit pamor kombëtar. U prehsh në paqe", shkruan Basha.