Reiz Petritaj, i moshuari nga fshati Strelcë i cili ngriti bastunin për të ndaluar largimin e kryetarit socialist të këshillit Bashkiak të Maliqit nga mbledhja e thirrur për të kundërshtuar bashkimin me Korçën, tregon se revolta e tij erdhi ngaqë përfaqësuesit socialist ndryshuan qëndrim nga sa kishin deklaruar publikisht.
Ndonëse rreth të 80-ave, Reiz Petritaj kishte bërë një rrugë jo të lehtë për të vajtuar sot në Maliq. Fshati i tij Strelcë është vetëm 30 kilometra larg, por rruga është e vështirë dhe kërkon më shumë se 1 orë udhëtim për ta përshkuar.
I moshuari thotë se ndryshe nga sa ishin shprehur në konsultimet publike, socialistët kishin ndryshuar qëndrim, dhe kjo kishte shkaktuar revoltën e tij ndaj këshilltarëve të shumicës.
“Unë u revoltova për arsyen sepse unë jam nga fshati Selcë. Më kanë ikur të shumtët e njerëzve jashtë shtetit. Kur i kanë mundësitë të jetojnë këtu dhe kanë dëshirë të jetojnë. Një prej mbesave kam, fëmijë s’kam se s'jam martuar, se ashtu ka qenë problem”, tha mes të tjerash i moshuari.
Zemerata e tij shpërtheu ndaj kryetarit të Këshillit, Ornildi Demollari, kur socialistët u ngritën të dilnin nga salla e takimit.
“Problemi tani këtu është se korrupsioni i pallogaritshëm. Sot unë mora vesh që do bëhej atje në Lozhan takim dhe shkova. Erdhën në Lozhan, ranë dakord të tërë në Lozhan që të mos prishet Bashkia e Maliqit. Ashtu edhe në Libonik, kudo kështu. Tani këto lojëra se si janë, nuk e di. Unë kur vajta që u revoltova atje, vajta e dëgjova erdha edhe në këshill të shihja çfarë bëhej. Kishim folur kudo që të mos prishet Bashkia e Maliqit. Këshilltarët që kishin folur andej që mos shkrihet bashkia, këtu ikën. Doli edhe Eraldi. ‘Ku vete t’i’ i thashë unë? Edhe drejt me thënë, kalova në ekstrem për moshën që kam. I shtyva kështu”, tregoi i moshuari.
Ai tregon se në mbledhje nuk kishte shkuar si përfaqësues i askujt.
“Unë kur vajta që i mblodha atje, erdha vetë... Nuk isha përfaqësues i fshatit, por erdha vetë”, shtoi i moshuari.
I moshuari thotë se në asnjë mënyrë Maliqi nuk duhet të bashkohet me Korçën. Ndërsa inatin duket se e ka me kryetarin e Parlamentit Niko Peleshi, njëkohësisht dhe deputet i këtij qarku.
“Tani problemi është se Maliqi nuk duhet të prishet. I çoj mesazh Kryetarit të Parlamentit që ka bërë shumë me Bashkinë e Maliqit, që kanë bërë korrupsionin në ujërat, se kanë marrë hidrocentralet, se kam kërkuar informacion për të gjitha kam kërkuar këto që kanë bërë. Nuk e mbyllin dot. Ta dinë! U bëj thirrje edhe protestuesve... që kanë dalë atje. Jam gati të vete po s'vete dot! M’u dha rasti këtu... jo m’u dha rasti se e kërkova vetë, po u them që nuk do ta gëzojë dot Kryetari i Parlamentit korrupsionin që ka bërë me Bashkinë e Maliqit edhe ta gëzojë. Nuk e gëzon dot!”, përfundon i moshuari.







