Ndarja e madhe dhe e sigurtë në dy parti e Partisë Demokratike

Ndarja e madhe dhe e sigurtë në dy parti e Partisë Demokratike

Selia e PD

Thellimi i luftës brenda Partisë Demokratike po e çon situatën në ndarjen në dy parti, Partia e Komisionit të Rithemelimit me Sali Berishën që ka mbështetjen në bazë por nuk mbështetet nga grupi parlamentar dhe SHBA dhe Partia Demokratike zyrtare me Enkelejd Alibeajn që ka mbështetjen e grupit parlamentar dhe të SHBA por nuk ka mbështetjen në bazë. Gjithsesi të dy partitë kanë një të përbashkët: As njëra e as tjetra nuk fitojnë dot përballë Partisë Socialiste.

Bashkimi dhe pajtimi i madh i Partisë Demokratike tanimë duket si një roman fantastiko-shkencor. Një vit pas zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit dhe afër një vit nga 19 maji kur SHBA shpalli non grata Sali Berishën, Partia Demokratike rezulton jo vetëm e ndarë në dy pjesë, por po shkon drejt ndarjes së madhe dhe të sigurtë në dy parti: Partia e Komisionit të Rithemelimit me Sali Berishën së shpejti kryetar dhe Partia Demokratike zyrtare me kryetar Enkelejd Alibeajn. Të dy partitë ndjehen të sigurta se janë ata më të fuqishëm se tjetra, të dy partitë mendojnë se janë ata përfaqësuesit realë të Partisë Demokratike, të dy janë në aksion të qendrueshëm për ta zotëruar të vetëm partinë dhe të dy kanë mbështetës të qendrueshëm dhe besnikë. Të dy partitë kanë probleme madhore: Partia e Komisionit të Rithemelimit nuk ka mbështetjen e grupit parlamentar dhe nëse Berisha zgjidhet kryetar siç janë edhe gjasat, pritet ndërprerja e marrëdhënieve me SHBA. Dhe partia e dytë, Partia Demokratike zyrtare, nuk ka mbështetjen e bazës dhe ka dukshëm më pak vota se Komisioni i Rithemelimit. Ama të dy partitë veç e veç kanë një të përbashkët të madhe: Nuk e mundin dot Partinë Socialiste. Sa për grupimin e tretë, atë të “gjinisë asnjanëse” ata janë një problem më shumë në Partinë Demokratike. Nuk kanë siguri se me kë parti do jenë dhe vëzhdojnë dhe përgjojnë nga do anojë peshorja për të bërë kalimin. Por rregulli është se më mirë me anën e gabuar se me asnjë anë, ose më saktë, me të dyja anët.

PARTIA E KOMISIONIT TË RITHEMELIMIT

Që nga 9 shtatori e deri më sot ishte Komisioni i Rithemelimit që e shkundi Partinë Demokratike e cila doli kockë e lëkurë nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Aksioni i Sali Berishës në bazë pasi Lulizm Basha e përjashtoi nga grupi parlamentar sigurisht që nisi për interes personal, por ai arriti të krijojë frymë dhe të afrojë rreth vetes shumë demokratë të pezmatuar, të pëkanëqurnga një mijë e një gafa, gabime e faje të kryetarit Lulzim Basha për mënyrën se si në afro 9 vjet e kishte drejtuar partinë dhe që e kishte çuar nga njëra humbje në tjetrën. Pika kulmore e këtij aksioni ishte kuvendi i 11 dhjetorit, një kuvend që ishte kryekëput ndryshe nga ai i 18 dhjetorit të Partisë Demokratike zyrtare të Lulzim Bashës dhe që po dukshëm tregoi demokraci. Por ndërsa të gjithë prisnin që vota të ishte simbolika e një lëvizje që nuk kishte ndodhur në 32 vjet që nga themelimi i PD, sulmi me dhunë ndaj selisë së PD më 8 janar prishi gjithçka. Panorama me vare, shkallë e leva në duart e sulmuesëve ngjau të ishte si një “14 shtator” i dytë dhe arriti të krijonte perceptimin se në metodën e funksionimit, PD po rrezikonte të kthehej në stilin e Berishës së vitit 1998. Pati jo pak nga ata që pasi e mbëshetën Berishën në aksionin e tij “Foltore” që nga 9 shtatori e braktisën atë pas sulmit të 8 janarit. Por kjo ishte shumë pak përballë asaj që ndodhi më vonë. Ndonëse e proklamoi bashkimin dhe pajtimin e madh, Sali Berisha nuk arriti ta bëjë këtë pajtim së pari brenda grupit parlamentar. “Babai” i partisë nuk arriti të bindë “fëmijët” e vet në këtë parti të afrohen dhe bashkohen por një e nga një rebelët e grupit parlamentar deklaruan se nuk pajtoheshin me të. Pikërisht kjo është pika më e dobët e Partisë së Komisionit të Rithemelimit. Disa syresh aty që janë rishtarë në politikë, nën efektin e ngazëllimit se kanë mbështetjen e Berishës, përpiqen ta zhvlerësojnë këtë mungesëe mbështetje duke deklaruar se këta deputetë nuk kanë legjitimitet sepse i ka zgjedhur Lulzim Basha, por kjo është si të thuash se Ilir Meta nuk ka legjitimitet se e ka zgjedhur Edi Rama. Kësaj mungesë duhet ti shtojmë edhe faktin se SHBA pritet të ndërpresë marrëdhëniet me PD nëse Berisha zgjidhet kryetar dhe kjo e bënë edhe më të rëndë situatën e këtij grupimi.  Më 22 maj pritet të zgjidhet kryetari. Por deri tani të gjithë aspirantët kanë hapur krahun. Janë tërhequr nga kandidimi shumë syresh dhe ata që deri dje kishin synime të qarta se e synonin kreun e PD tashmë po tuten të kapin ndonjë post të lartë si nënkryetar, kryetar grupi parlamentar e të tjerë. Po a është e mjaftueshme kjo? Aksioni i Komisionit të Rithemelimit mund të quhet i dështuar pikërisht se nuk arriti të ketë mbështetjen nga grupi parlamentar dhe nuk arriti të afrohet me SHBA. Dhe disa aty që hedhin tezën se nuk u duhet SHBA-ja kur kanë mbështetjen e demokratëve në bazë, ngjan me historinë reale të Haxhi Qamilit në vitin 1914 që kur e pyetën se si do e luftonte kundër princ Wied-it kur ai kishte mbështetjen e Gjermanisë, Haxhi Qamili tha: Problem i madh, sa të kem mbështetjen e Sharrës, Ndroqit dhe Shijakut, nuk ma ndjen shumë që Wied-k ka mbështetje nga Gjermania. Sa herë që i pyesim në studio disa përfaqësues të Koisionit të Rithemelimit se si do jetë e ardhmja pa këto dy komponentë, ose ngrenë supet ose artikulojnë disa fraza që vetëm ata i kuptojnë. Për më tepër, vota duket se edhe aty ka humbur vlerën pas publikimit të videos skandaloze kur anëtarët e komisionit të zgjedhjes për kryetarin e Këshillit Kombëtar përdornin fjalorin “fut kaq, e fut aq” që sigurisht nuk e kishin për kumbulla, por për vota. Në këtë situate, nëse do përfaqësojë Partinë Demokratike, Komisioni i Rithemelimit, vërtetë ka krijuar frymë, vërtetë ka mbështetjen në bazë dhe vërtetë e zgjoi PD-në nga gjumi, por me mungesën e mbështetjes nga grupi parlamentar si dhe me ndërprerjen e marrëdhënieve me SHBA, rrezikon të ecë në një rrugë pa krye. Si e tillë nuk të jep shpresë që ky grupim edhe nëse kthehet nesër në parti, të fitojë përballë Partisë Socialiste.

PARTIA E PARTISË DEMOKRATIKE ZYRTARE

Partia e Partisë zyrtare Demokratike është duke luftuar fort pas procedurës juridike në gjykatë dhe mbështetjes së madhe nga ana e SHBA. Me gjasa se Gjykata e Apelit do i japë të drejtë duke përmbysur vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, ky grupim është komod në këtë drejtim. Por ama edhe në këtë situatë, kjo parti nuk ka një të ardhme të sigurtë. Mungesa e mbështetjes në bazë është një faktor që e nxjerr jashtë partisë. Jo më kot deputeti Ferdinand Xhaferraj deklaroi të premten te “Zonë e Lirë” e Arjan Çanit se gabimi i Enkelejd Alibeajt është se nuk del në bazë. Duket sikur me statusin e kryetarit që ka me vete vulën dhe SHBA-në Alibeajt nuk i intereson as baza, madje as mediat. Si një politikan i sprovuar, Xhaferraj e di mirë regullin se partinë e zotëron ai që zotëron bazën. Por Alibeaj duket i kanaqur vetëm me faktin që ka krijuar një figurë qëndrestare ndaj Sali Berishës dhe kaq. Në fakt në këtë pikë ai ka qenë shëmë herë më lart se Lulzim Basha. Vetëm në një muaj, Alibeaj ka krijuar profilin e politikanit që u mbahet fort qëndrimeve të veta dhe nuk bën kompromis me to. Nuk i ndryshon qendrimet dhe ata që e kanë mbështetur dhe e mbështesin aktualisht e besojnë. Enkelej Alibeaj po funksionon shumë ndryshe nga Lulzim Basha që me zyrën e re në një gradacielë afër selisë së PD nuk e di kush se çpo bën dhe çfarë ka ndër mend të bëjë në të ardhmen. I ka mbetur agjenda në takimin me demokratët e Ndroqit sepse në bazë as që bëhet fjalë.

Dikush thotë se po punon nën rrogoz dhe shumë shpejt do shpërthejë mbi ujë, por të tjerë e kundërshtojnë duke thënë se ai nuk dilte mbi ujë kur ishte kryetar zyrtar i partisë dhe jo më tani që është larguar. Kështu, kundërshtarët e Komisionit të Rithemelimit më shumë i besojnë Enkelejd Alibeajt se sa Lulzim Bashës. Ndërkaq, në një farë mënyre Alibeaj e ka fituar një betejë për grupin parlamentar. Dy javë më parë kur lexoi publikisht listën me 32 deputetëve që mbështesin platformën që ai proklamoi për bashkim i la me gojë hapur të gjithë. Edhe akuzave se po manipulonte grupin u bën nul kur në mbledhen e Këshillit të fundit Kombëtar të Komisionit të Rithemelimit, nga 52 deputetë, mungonin 35 dhe kjo tregon se Partia Demokratike zyrtare e ka mbështetjen e tyre. Sado që synojnë ta sfumojnë, grupi parlamentar mbetet institucioni më i rëndësishëm në parti, të paktën deri në zgjedhjet e vitit 2015. Mbështetja nga ana e SHBA është arma më e fortë e Partisë Zyrtare. E ka bër ëkëtë ambsadorja Yuri Kim me takimet e hapur me kryetarin e komanduar dhe kryetar të grupit parlamentar por edhe deklarata e bëra nga funksinarët e Departamentit të Shtetit. Por a mjaftojnë këto dy avantazhe të mëdha të Partisë Demorarike zyrtare ndaj Partisë së Komisionit të Rithemelimit. Sigurisht që jo. Mungesa e votve në bazë është një element që vërteton që as kjo parti nuk fiton më vete në një garë elektorale ndaj PS. Zgjedhjet lokale janë afër. Deri atëherë ajo që duket qartë është vetëm ndarja e Partisë Demokratike në dy parti.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Bashar Al-Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare

Bashar Al-Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare