Ish-Presidenti i Federatës së Atletikës, Gjergj Ruli dhe volejbollistja Mira Podgorica, kanë kujtuar momentet që kanë kaluar me trajnerin legjendar të volejbollit, Kreshnik Tartari, i cili ndërroi jetë ditën e djeshme në moshën 83-vjeçare.
Në një lidhje live për ‘Report Tv’ me gazetarin Nertil Agalliu, Gjergj Ruli u përlot teksa po ndante kujtimet me të ndjerin Tartari.
Ruli tregoi se për shumë vite kanë qëndruar bashkë me mjeshtrin Kreshnik Tartari dhe kanë ndarë shumë momente të bukura dhe sfida.
Teksa e vlerësoi figurën e Kreshnik Tartarit si një njeri pozitiv dhe të jashtëzakonshëm, ai vlerësoi edhe kontributin e tij në sportin e volejbollit.
“Unë, familja e Kreshnikut, kemi qenë bashkë. Në vitet e para të emigracionit, kur Kreshniku deputonte trajner i ekipit të San Marinos. Unë isha atlet me San Marinon dhe çdo gjë të bukur në atë jetë e kemi ndarë bashkë, të preokupuar për njëri-tjetrin, për familjet, për gjithçka. Do të mbetet në histori, në memorien time si një nga personazhet më pozitivë e të mrekullueshëm”, tha mes të tjerash Ruli.
Më tej Gjergj Ruli tregoi se Kreshnik Tartari do të prehet në Rimini të Italisë, aty ku ka edhe familjen.
Ai tha gjithashtu se pas 2 javësh, në datën 16 qershor, familja e Tartarit do të presë në Tiranë për ngushëllim miq, dashamirës dhe të afërm të mjeshtrit Kreshnik Tartari.
“Profesor Tartari kishte mbi 2 vite që nuk ka qenë mirë nga ana shëndetësore. Por vajzat, të treja heroinat, i dhanë frymën deri ditën që ai u largua nga kjo tokë. Kemi jetuar në San Marino Bashkë, tani ata janë në Rimini. Dhe atje do të prehet. Dhe në datën 16 familja do të hapë derën në Tiranë, pasi të bëhen të gjitha homazhet në Itali, sepse atje i ka vajzat dhe gjithë familjen”, tha mes të tjerash Ruli.
Nga ana tjetër, volejbollistja Mira Podgorica, ka deklaruar se figura e Kreshnik Tartarit nuk mund të përmblidhet dot me pak fjalë.
Teksa vlerësoi figurën e tij, ajo tregoi detaje rreth 15 viteve kur Tartari ishte trajner i saj në ekipin e volejbollit për femra të ekipit të Dinamos.
Nën drejtimin e Tartarit, sipas saj, ekipi i Dinamos njohu një sërë arritjesh dhe mori disa kupa të kampionatit kombëtar dhe u fut dy herë në finalet e kampionatit europian.
“Më falni se na gjeni në një ditë shumë të emocionuar. Me trajnerin tonë të dashur, unë kam bashkëpunuar për më shumë se 15 vite. Nuk përmblidhet dot figura e Kreshnik Tartarit me pak fjalë. Është një figurë historike që do të mbetet legjendë dhe ne do ta kujtojmë se na ka dhënë leksione për voleybollin dhe për jetën, të mrekullueshme. Dhe të gjitha vajzat kanë çfarë të shprehen për këtë trajner. Akoma nuk ambientohemi dot me lajmin që na erdhi mbrëmë dhe akoma nuk e besojmë dot që trajneri tartari na la. Unë do të përpiqem që figurën e tij ta mbajmë të gjallë, në aktivitetet që do të zhvillojmë në emrin e tij dhe në të gjitha veprimtarinë në fushën e sportit që ne e ndjekim me interes. Jemi 12 vajza legjendë që kaluam me Tartarin 15 vite.
Dinamo e athershme ishte një periudhë e gjatë fitoresh të kupave të kampionatit kombëtar dhe të kupave të republikës. Ishin të padiskutueshme që ishin tonat për një 10-vjeçar. Dy herë kemi qenë në finalet e kampionatit europian. Ajo është një tjetër model që ne mund ta vlerësojmë më shumë atë trajner, që ndoqi një traditë revolucionare në rikonstruktimin e volejbollit të femrave të Dinamos. Sot jemi akoma në mendjet dhe zemrat e njerëzve, sepse ka qenë një periudhë historike. Tartari pati një grup vajzash shumë të mira, që sot e kujtojnë me shumë mall. Unë, por edhe vajzat e tjera kemi pasur kontakte me gruan e Kreshnikut”, tha mes të tjerash Mira Podgorica.
Kreshnik Tartari, i lindur më 21 korrik 1943 në Tiranë, ishte një nga personalitetet që kontribuoi më së shumti në ngritjen e volejbollit shqiptar në nivelet më të larta.
Si volejbollist, ai shkëlqeu me fanellën e Dinamos dhe të ekipit kombëtar, duke fituar tituj të shumtë kampionë dhe kupa gjatë viteve të arta të këtij sporti.
Sporti shqiptar është në zi pas ndarjes nga jeta në moshën 83-vjeçare të Kreshnik Tartarit, një prej figurave më emblematike të volejbollit shqiptar, i cili la gjurmë të pashlyeshme si lojtar, trajner dhe drejtues sportiv.
Komente









