Ndërkombëtarët nisin bisedimet për asociacionin por Kurti s’merr ftesë: S'ka pse të themelohet marrëveshja

Ndërkombëtarët nisin bisedimet për asociacionin por Kurti s’merr ftesë: S'ka pse të themelohet marrëveshja

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

31 Janari pritet të jetë dita e bisedimeve Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, por kryeministri i Kosovës Albin Kurti, nuk është ftuar nga ambasada amerikane. Në një intervistë për RTK2, kreu i qeverisë së Kosovës, ka thënë se nuk ka marrë ndonjë argument të qëndrueshëm për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Kurti vazhdon t’i qëndrojë të njëjtit argument sa i takon asociacionit. Por sipas Kurtit në dallim nga Plani i Ahtisaarit, është se me marrëveshjen e asociacionit kërkohet më tepër ose diçka tjetër.

“Jam gati për bisedime për të drejtat e pakicave, të komuniteteve jo shumicë, jam gati për këtë. Por duhet ta kuptoni se është shumë e rëndësishme që ata që duan më shumë të drejta sesa u jep plani i Ahtisaarit, e mbajnë barrën e argumentimit - pse u duhen më shumë. Ahtisaari mori çmimin Nobel për Paqe, çfarë do ta plotësonte planin e Ahtisaarit, cilat janë argumentet për të metat e tij. Barra e argumentit duhet të jetë mbi ata që kërkojnë diçka tjetër apo diçka më shumë”, ka thënë Kurti.

Çfarë është Plani i Ahtisaarit?

Më 2007, ish-presidenti finlandez, Marti Ahtisaari, i cili ishte ndërmjetësues i OKB në bisedimet për statusin e Kosovës, përpiloi një dokument – i njohur më shumë në publik si Plani i Ahtisaarit – i cili i dha garanci të forta komunitetit serb. Ky plan rregullon një varg çështjesh, nga ato të kulturës, gjuhës, fesë, traditës, por edhe të arsimit, shëndetësisë, ekonomisë dhe pronës, deri te formimi i komunave me shumicë serbe, nëpërmjet procesit të decentralizimit.

Sot, ekzistojnë 10 komuna në Kosovë që janë të banuara me shumicë serbe. Gjashtë prej tyre ndodhen në jug të lumit Ibër – Graçanica, Novobërda, Shtërpca, Ranillugu, Kllokoti dhe Parteshi, ndërsa katër të tjera, që i lidh territori, ndodhen në veri të tij, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku. Ky dokument ka shërbyer si bazë për hartimin e Kushtetutës së Kosovës, në të cilën komunitetet pakicë “diskriminohen pozitivisht”. Plani i Ahtisaarit mbron Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë, si dhe pronat e tij, ndërsa më 2008, duke u bazuar në atë dokument, u miratua Ligji për zonat e veçanta të mbrojtura. Ky ligj siguron mbrojtjen e manastireve dhe kishave ortodokse, si dhe të objekteve të tjera fetare në Kosovë, dhe mbron vendet e tjera kulturore dhe historike, të cilat kanë rëndësi të veçantë për komunitetin serb në Kosovë. Ekziston edhe Ligji për përdorimin e gjuhëve, i cili parasheh që gjuha serbe, e cila përdoret zyrtarisht në Kosovë, duhet të promovohet dhe të ruhet. Dy vjet më vonë, më 2015, Kosova dhe Serbia nënshkruan një marrëveshje për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, e cila përcaktoi parimet e përgjithshme dhe elementet kyç të tij.

Asociacioni:

Sipas Marrëveshjes së parë të Brukselit, Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të themelohet mbi bazën e një statuti, ndërsa shpërndarja e tij mund të bëhet vetëm mbi bazën e një vendimi të komunave pjesëmarrëse. Marrëveshja parasheh, po ashtu, të drejtën e komunave pjesëmarrëse për bashkëpunim në zbatimin kolektiv të kompetencave përmes Asociacionit, i cili do të ketë mbikëqyrje të plotë mbi fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe zhvillimit rural. Marrëveshja e vitit 2015 përbëhet nga 22 pika, të cilat specifikojnë kornizën ligjore, objektivat, strukturën organizative, marrëdhënien me autoritetet qendrore, buxhetin dhe mbështetjen. Disa prej objektivave përfshijnë forcimin e demokracisë lokale; kryerjen e mbikëqyrjes së plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale, edukimit, shëndetësisë dhe mirëqenies sociale, planifikimit urban dhe rural, dhe ofrimin e shërbimeve për pjesëtarët e tij në përputhje me ligjet e Kosovës.

Asociacioni duhet të ketë një Kuvend, një kryetar i cili përfaqëson Asociacionin para autoriteteve qendrore dhe jashtë Kosovës, një nënkryetar, një Këshill, një Komitet, një Administratë, një Zyrë për ankesa, përderisa selia e tij duhet të përcaktohet nga statuti. Një version i statutit është krijuar më 2018 nga Ekipi Menaxhues, me këshillim nga Bashkimi Evropian, bazuar në marrëveshjen e vitit 2015, por ai nuk i është prezantuar publikut asnjëherë. Mes tjerash, marrëveshja e vitit 2015 thekson se Asociacioni do t’i mbështesë interesat e komunitetit serb para autoriteteve qendrore dhe se ka të drejtën të propozojë, në përputhje me ligjet e Kosovës, ndryshime ndaj ligjeve dhe rregullave të tjera, që janë të rëndësishme për t’i arritur qëllimet e veta.

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Gege Kosova: 30/01/2023 10:43

    Per pajtim te qelluar,thoshte Anton Cetta, edhe femija nese flet ne emer te familjes,eshte pajtim i plote.Por, ketu ne Familje te madhe,te quajtur Shtet, Pa te zotin e shpise,Kryeministrin dhe isntitucionet kryesore te shtetit,Kryetarin e shtetit dhe Kryekuvendarin, nuk ka pajtim!Kush e mendon dhe vepron ndryshe,merr pergjegjesi te pakuptimet!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave