Mes dhimbjesh dhe lotësh është përcjellë sot në banesën e fundit 29-vjeçarja Ardita Muça e cila ka ndërruar jetë 5 ditë pas lindjes.
Shkaku i vdekjes së të resë nga Arapaj 5 ditë pasi ka sjellë në jetë fëmiljën e dytë, vijon të mbetet mister.
Ardita Muça ka lindur më 30 qershor në maternitetin e Durrësit dhe lindja është kryer me operacion. Mësohet se 29-vjeçarja deri me datën 4 korrik ka qenë e shtruar në spital dhe pasi ka lënë spitalin ka shkuar në banesë ku dhe ka gjetur vdekjen një ditë më pas më 5 korrik.
Teksa ka qenë në shtëpi me motrën e saj, në rrethana të çuditshme, sipas familjarëve, 29 vjeçarja ka pirë ujë të ftohtë dhe më pas ka rënë për tokë duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Sipas policisë ka mbërritur në spitalin Rajonal pa shenja jete.
Familjarët e 29-vjeçares kanë bërë denoncim në polici, ku akuzojnë bluzat e bardha për mjekim të pakujdesshëm. Pritet dhe përgjigjia e ekspertizës mjeko-ligjore.