I ndjeri ishte themelues i shkollës së artit pamor-grafikës në Prishtinë. Ai la pas vetës mbi 3 000 vepra artit në pikturë e grafikë.
Gjelosh Gjokaj ka lindur në vitin 1933 në Milesh, lokalitet i Tuzit në Mal të Zi. Në Beograd kreu Shkollën e Mesme të Artit dhe më pas, studimet e larta në Akademinë e Artit. Diplomohet më 1963. Në vitet 1964-1969 themeloi degën e grafikës në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës. Nga viti 1969 deri më 1983, punoi dhe jetoi në Romë.
Që prej 1983 jeton në Augsburg, Gjermani.
Pas lajmit për largimin e piktorit nga jeta Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka shprehur kujtimet dhe ngushëllimet e tij për vdekjen e piktorit të shquar shqiptar, akademik Gjelosh Gjokaj. “Addio maestro”, ka shkruar Rama në profilin e tij në Facebook.
“I lindur në Malin e Zi dhe i formuar në shkollën jugosllave të pikturës, Gjelosh Gjokaj u bë maestroja që njohim të gjithë, në Itali e pastaj Gjermani, ku piktura e tij mori trajtat e mirënjohura të personalitetit artistik të Gjeloshit. Mik sivëlla i Martin Camajt, Gjelosh Gjokaj na ka lënë një koleksion perlash të dala prej gurrës së kësaj miqësie mes poetit e piktorit, ndërsa thesarit të trashëgimisë sonë artistike i ka lënë një vepër të tërë dinjitoze”, ka shkruar Rama.
Kryeministri ka thënë se “ndarja e tij nga jeta është e trishtueshme, pasi ndërpret një fazë tejet interesante ku kishte hyrë krijimtaria e tij, në moshën që Pikaso e quante ideale për t'u rikthyer në fëmijë”.
“Por edhe personalisht, humbja e Gjeloshit më trishton, sepse na lidhi me të një miqësi e gjatë, lindur në fillimvitet ‘90 kur studioja e tij në Augsburg, bëhej edhe dhoma ime e gjumit sa herë e vizitoja maestron e dashur! Ai iku pasi i'a doli të lërë pas një vepër të bukur dhe një kujtim të mirë tek të gjithë ata që patën fatin ta njohin.
Intervista e Gjelosh Gjokes 6 vite me pare kur çeli eskpoziten në Tiranë
Piktori i madh Gjelosh Gjokaj ndoshta do të quhet edhe poet, po të vëresh me vëmendje se si e zotëron artin e fjalës…Por, tashmë ai i ka paraprirë pikturës; si mjeshtër së pari, si kurator i gjeneratave krijuese të diasporës së dyti, e së fundmi si krijues i ripërtëritur duke e rikonceptuar pikturën e vetveten si krijim në pafundësi. Ky burrë i qetë dhe fisnik ka mjaft gjasa që të t’i qëndroj shumë kritik dhe rigoroz vetvetes. S’nguron të thotë se ka frikë për veten e të tjerët se mos bien në dekadencë. “Prandaj i mbuloj pikturat e mia para se t’i përfundoj. Një kritik i artit thotë se unë s’e kam parë Gjelosh Gjokën duke pikturuar”. Piktorin e madh gjithmonë e robëron mundi për ta gjetur një ngjyrë më të bukur, një sipërfaqe me sa më tepër dritë, një çast shprazjeje emocionesh dhe përsëri s’mbetet i kënaqur me veprën që krijon. Profesor Gjokën mund ta dëgjoje me endje për të gjitha këto në ditët e ekspozitës së Akademikëve të Kosovës në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. E sigurisht në këto ditë ai do të rrëfente se ndihej shumë i kënaqur që erdhi Shqipëri se përndryshe “ajo është anza e artistit”. “Shqipërinë dikur e kemi ëndërruar vetëm me shkel në të dhe me e puth dheun e Shqipnisë, tash që mund të vish, e ndjen veten vetëm këtu të lirë. Në dhera të tjera gjithmonë duhet me i’u shmag njerëzve që kanë komplekse më të mëdhaja dhe janë arrogant... Edhe pse atje jetoj si artist dhe nuk më lidh gjë fort me injorancën, përsëri vetëm këtu në Shqipëri më duket se jam Gjelosh Gjokaj”, thotë piktori i mërguar.
Intervista
Zoti Gjelosh Gjokaj, juve u bie shpesh rasti të hapni ekspozita dhe të takoni piktorë të diasporës prej vitesh në Augsburg të Gjermanisë. Cilët janë ata që njihni më tepër?
Piktorët që njoh unë në diasporë janë disa të rinj që kanë bërë një emër. Por piktorët me rëndësi ka qenë Kodra edhe asht Mikel Gjokaj në Romë që e ka një famë të mirë dhe ekziston edhe sot atje si piktor serioz. Mikeli është një piktor shumë i mirë, pa marrë parsysh marrëdhëniet e mia me të. Dikur mund ta kem pasur mik, tani jo, por piktura është një gja tjetër dhe personaliteti asht tjetër. Këta dy unë i njoh mirë. Për më vonë janë edhe disa të tjerë në Gjermani, e sidomos në Suedi jeton një piktor tjetër, Gjurkaj. Është shumë i mirë dhe ka sukses. Piktorë prej Shqipnie njoh shumë pak. Kam dëgjuar për ta. Janë nëpër Gjermani dhe kanë suksese shumë të mira. Atje janë edhe disa të rinj që ndoshta nuk e meritojnë dhe tani unë nuk po i përmend.
Nëse është mitizuar kontakti me studiot e piktorëve të vjetër të mërguar në Europë si Lin Delia, Ibrahim Kodra e Gjelosh Gjoka si shkollë e madhe pikture jashtë atdheut, cili është mendimi i juaj?
Unë kam jetuar në Romë 14 vjet edhe aty gjithmonë janë përmendur shkolla e Romës, shkolla e Firences, shkolla e Milanos, dhe ne, spontanisht, pa dashur të krijojmë një shkollë e kemi krijuar një lloj arti që është karakteristik. Dhe ajo me të vërtetë mund të quhet si një shkollë që të rinjtë janë inspiruar dhe vazhdojnë të inspirohen prej piktorëve të origjinës si Ibrahim Kodra, Lin Delia, mundet edhe unë. Dhe ajo shkollë, unë mendoj se tashmë është një e vërtetë me shumë vend. Tani po tregoj se piktorët e Kosovës e kanë një ekspozitë në Augsburg. Unë jam organizator i kontakteve dhe ka qenë një ekspozitë shumë e mirë, porse, interesant, gjermanët e kanë paragjykuar “Ahha kosovarët!”. E ka nënçmuar publiku i gjerë ekspozitën, ndërkohë që kritika e priti shumë mirë. Erdhën italianët prej Italie shumë më të këqij nga niveli artistik, diletanta. Do ti, “mbaruan” gjermanët pas tyne! Nisën me i ble. Një traditë të mirë që kemi ne nuk na e besojnë dhe gjithmonë mundohen që piktorët shqiptarë t’i vënë në vend të dytë a të tretë si krijues.
Jeni koordinator i ekspozitave që bëjnë të rinjtë. Ju i ndihmoni këta piktorë, sidomos në dhe të huaj. Ç’mund të na thoni më tepër?
Unë gjithmonë kam pasur një dhimbje për kolegët e mi, por edhe ata që kanë qenë pak më të dobët kam mundur me i shty përpara për me i përmirësue dhe 9 ekspozita që janë hapur deri tash në Gjermani në qytetin Augsburg janë realizuar prej meje. Pesë-gjashtë janë personale e të tjerat kolektive.
Ju keni populluar tashmë me pikturat shqiptare një qytet gjerman si Augsburgu, cilët kanë qenë disa nga autorët?
Kanë qenë Shuaip Çitaku, Gani Gashi, pastaj dhëndri i Ali Podrimjes, Agim Salihu. Një ekspozitë grafike ka dhënë Imer Shaqiri, që në televizionin e Bajernit është publikuar për tetë minuta si grafikë origjinale, etj.
Sa vite keni që jetoni në Augsburg?
20 vjet.
Pse ky qytet gjerman e do kaq shumë artin?
Augsburgu është një qytet me një kulturë shumë të vjetër. P.sh. aty ekziston Akademia e Muzikës, Akademia e Artit. Jane dy opera, dy tre teatre. Është një qytet që ka pasur kulturën më të vjetër se Munhemi. Munhemi ka 700 vjet kulturë, ky i ka dy mijë vjet dhe aty ka jetuar Berthold Breht, dy vëllezërit Hollbajn, e shumë personalite të tjera që kanë dhënë kontribut në kulturën gjermane.
Si janë zhvilluar kontaktet e piktorëve shqiptarë me ata gjermanë, kryesisht në rrethinat e Augsburgut?
Nëse do të quhet publik ai i Galerive që merren me ekspozita janë adhuruar për bukuri piktorët tanë. Galeritë janë lidhur me artin tonë, i kanë blerë disa vepra. Disa arkitektë gjerman interesohen për grafistët dhe piktorët shqiptarë. P.sh. ka pasur Muslim Mulliqi një ekspozitë shumë të mirë në Romë dhe pastaj erdhi në Augsburg dy vjet para vdekjes dhe pikërisht piktorët gjermanë e kanë admiruar si një piktor të vërtetë me talent të posaçëm.
Sa e drejtëpdrejtë është lidhja juaj me Akademinë e Kosovës?
Tash unë kam shumë kohë që jam larguar prej Akademisë, por prapëseprapë i kam përcjellë talentet e reja. Kam qenë në juri disa herë. I kam shpërblyer ata artistë të rinj që me të vërtetë premtojnë për një të nesërme artistike shumë të fuqishme.
Në bazë të dijeve që ka profesor Gjelosh Gjokaj, si do të ndahej ndër artet pamore kufiri mes një vepre të mirë nga ana teknike nga ajo që është një vepër artistike?
Edhe një teknikë e mirë është e lidhur shpirtërisht me një krijues. Pa një teknikë të mirë dhe një dijeni fondamentale, një krijues e ka të vështirë të vijë tek vepra e dallueshme. Në artin pamor janë edhe shumë mënyra teknike me të cilat shumë arte shprehen. Madje edhe lima e sharra e mjete të tjera mekanike arrijnë ta realizojnë shprehjen. Por është tjetër gjë ajo që do ta çojë vërtetë tek vepra e lartë artistike.
Sot këto teknika janë shumëfishuar me zhvillimin e industrisë. Mendon Profesor Gjelosh Gjoka se do të gëlojnë si pasojë diletantët e artit pamor në kohën që jetojmë?
Jane fate të artit. Është e vërtetë se do të ketë mjaft diletanta, por ndonjëherë prej diletantëve kanë dalë edhe piktorë të mirë. Është tjetër ajo nëse kanë studiuar arte ose jo.
Nëse sot ka mjaft raste që me gjoja kontekstin e fshehur, abstraksionin pa kufi, e paraqesin pikturën si vepër para një publiku të caktuar, cili do të jetë fati i një artisti të tillë?
Janë kolegët, piktorët e mirë që e dinë se ku fshihet diletantizmi dhe ku fshihet rrena në artin pamor. Kritiku i mirë i di me deshifru edhe elementet më abstrakte.
Çfarë do të thoshte Gjelosh Gjokaj për piktorin që nuk bënë dot një figurë humane, ose qoftë edhe një portret fillestar dhe paraqitet ndërkohë si variacion modern?
Në një farë kohe portreti dhe figura humane ka qenë fondamenti i studimeve. Është figura humane, portreti dhe peisazhi akti i parë i pikturës. Sot nuk janë më ato koncepte. Dikush e përdoron figurën, dikush jo. Por, për nder, për ata që s’dinë me e përdor figurën që s’e bëjnë dot, une s’di çka me thënë…Është tjetër gjë t’i ikësh me qëllim figurës. Për mua në këtë rast mozaiku abstrakt është shumë më i vështirë se figura.
Si ndiheni ju me mozaikun tuaj abstrakt përballë artit modern sot?
Ndërsa thashë se piktura abstrakte më bëhet më e vështirë, është fjala se kjo lloj pikture i ka do ligje të vetat personale. Unë e konsideroj figurën dhe peisazhin sot pllakat të vogël të natyrës ku piktori është skllav, ndërsa me pikturën abstrakte vetëm shpirtënisht është lidhur njeriu. Kjo është një lidhje e vetëm autorit me atë krijmtarinë që ka përpara. Por figura si do që të jetë duhet të ndërtohet mirë e kjo varet nga fuqia e artistit. Natyrisht që piktura abstrakte lind prej inspirimeve të natyrës, të dheut. Dhe në këtë rast këtu s’ka ligje; nëse është me figurë apo abstrake. Për mua ose është pikturë e mirë, ose e keqe.
A e dimë ne me të vërtetë çka është arti i mirë dhe i keq sot?
Pasha nderën, as unë nuk e di!
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com