Rezarta Shkurtra, bashkëshortja e nipit të Nexhimje Hoxhës, Ermalit, ka reaguar për vdekjen e saj përmes një statusi, ku nuk mungojnë epitetet lavdëruese dhe fjalët me superlativa për bashkëshorten e ish diktatorit. Edhe pse Nexhmija nuk shfaqi kurrë pendesë për krimet në komunizëm, Rezarta Shkurta e cilëson atë si një zonjë shembullore, luftarake dhe që ka bërë 'histori'.

'Pata fatin të njohë një zonjë “Histori”. Një gjyshe e stërgjyshe të dashur. Një grua shekullore për nga mosha, fuqia dhe dija e saj. Një grua luftarake deri në fund! Kujtimet dhe përshtypjet e para që kam për Nexhmije Hoxhën ishte përpikmëria. Oraret e sakta pa lëvizur sekondi, në zgjimin , vaktet, takimet apo kur ulej të shkruante kujtimet e saj. Për mua aso kohe por edhe sot ishte dhe është e pabesueshme se si një njeri për aq vite me aq përpikmëri të organizonte jetën e saj. Më pas pata fatin të isha fotografja personale. Ndërkohë që e fotografoja këtë zonjë 99 vjeçare, pasi me kish cituar me përpikmëri se si e dëshironte foton, apo korrigjonte në mënyrë të detajuar këndet fotografike, kuptoja se jo rastësisht kjo zonjë kish bërë Histori.

Një nga planet e saj, ishte të realizonte librin e saj te fundit “ Përjetime dhe meditime në jetën time politike” e më pas e qeshur thoshte mund të iki nga kjo botë. Dhe ashtu bëri kjo zonje e mahnitshme, e zbatoji planin siç kish bërë gjithë jetën e saj. E fortë, e kthjellët me një memorie të jashtëzakonshme, sot nuk u zgjua nga pushimi i pasdites, por la pas dashurinë dhe një trashëgimi historike. Të prehesh në paqe Nëna Mija', shkruan Rezarta Shkurta.

Rezarta Shkurta është bashkëshortja e nipit të ish-diktatorit Enver Hoxha, Ermalit, i cili u arrestua për trafik droge pas zbulimit të laboratorit të kokainës në Xibrakë në vitin 2015.

Ermal Hoxha u dënua me 10 vjet burg por falë gjykimit të shkurtuar dënimi zbriti në 6 vite dhe 8 muaj burg.

Atij i kishte mbetur edhe 1 vit e 6 muaj burg, kur u lirua me kusht në 2018-ën.

Gjatë kësaj kohe ai nuk duhet të kryejë asnjë vepër penale dhe nuk duhet të shoqërohet me persona të inkriminuar. 

Nexhmije Hoxha u shua në moshën 99-vjeçare në shtëpinë e saj në Laprakë, pasditen e së martës.

Video e postuar nga Rezarta Shkurta