Ndërron jetë piktori Agim Faja
emblema e qytetit të Shijakut

Ndërron jetë piktori Agim Faja<br />emblema e qytetit të Shijakut
Ka ndërruar jetë në moshën moshën 78-vjeçare Agim Faja, një nga penelat më të artë të pikturës shqiptare. Përcjellja për në banesën e Fundit do të bëh4t sot në orën 17:00 në vendlindjen e tij në Shijak.
 
 Agim Faja iku nga kjo botë në një moshë kur kishte ende shumë për t’i dhënë pikturës shqiptare. Dy ekspozitat e tij, njëra në Tiranë dhe tjetra në galerinë “Nikolet Vasia” në Durrës janë ende të hapura.
 
Në Tiranë është prezantuar vepra e tij dedikuar fëmijëve me katër piktorë të tjerë, ndërsa në galerinë Nikolet Vasia janë ekspozuar piktorët më të shquar të Shijakut.
 
Gjatë javëve të fundit artisti nuk ka marrë pjesë në ekspozita për shkak të sëmundjes.

[gallery]22847[/gallery] 
Piktori Faja jetoi dhe krijoi në qytetin e vogël të Shijakut, duke u evidentuar edhe si një piktor illustrator mjaft i rëndësishëm veçanërisht për revistat e fëmijëve. Ishte djali i mësuesit te shquar Hamdi Faja. 
 
Vetë Agimi i ka marrë mësimet e para për pikturë në kursin e vizatimit në Elbasan nga piktori Vasil Toli. Faja kishte filluar shkollën e mesme pedagogjike në këtë qytet, por pasioni për pikturën e shtyu të vazhdojë studimet për arte. Kreu Liceun Artistik ”Jordan Misja”, Tiranë për pikturë në vitet 1954-1958 në klasën e pedagogëve Abdurrahim Buza, Sadik Kaceli, Kristina Koljaka dhe Kel Kodheli.
 
Edhe pse qe përfaqësues i realizmit socialist piktura e Agim Fajës ka pasur tendencë të fortë për të dalë gjithmonë jashtë kornizave të këtij drejtimi. Artisti Agim Faja ishte një nga studentët e grupit të parë që mbaruan Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë 1960-1964 në atelienë e drejtuar nga pedagogët Guri Madhi dhe Vilson Kilica.
 
Pas studimeve kthehet në vendlindje dhe ishte mësues vizatimi në shkollat e Shijakut deri në vitin 1970, kur doli në profesion të lirë si piktor. Faja ekspozoi për herë të parë në publik në vitin 1959, ku mori pjesë në Ekspozitën Kombëtare në Tiranë dhe në atë lokale në Durrës.
 
 Tërhiqet nga tabloja kompozicionale, trajton peizazhin, portretin dhe merr pjesë vazhdimisht në ekspozitat dhe konkurset e arteve pamore të para viteve 1990, ku trajtoi temat e ndërtimit të socializmit, gjithmonë me mjete realiste piktorike.
 
Ndër punimet e Fajës kujtojmë “Fëmijët në Erzen”, 1961 (studio e artistit), “Bisedë e përzemërt”, 1963 (studio e artistit), ”Verë e vitit 1965”, (GKA,Tiranë), “Pranvera”, 1960, (tempera GKA, Tiranë), “Mbrëmje”, 1965 (GKA,Tiranë), “Mëngjes fshatar”,1969 (linoleum, GKA,Tiranë), “Mbledhja e ullinjve” 1989, etj. Piktori Agim Faja ka çelur disa ekspozita vetjake, duke filluar nga viti 1968. Agim Faja ka qenë piktori ilustrator i revistës për fëmijë “Fatosi” që në botimin e numrit të parë të saj në 1959 deri në vtin 1974. Ai ka ilustruar mbi njëqind tituj botimesh të ndryshme kryesisht për fëmijë ndërmjet të cilave “Abetaren” të 1971.
 
 Artisti Agim Faja ka qenë vlerësuar me çmime artistike për krijimtarinë e tij në ekspozita dhe konkurse të ndryshme duke filluar nga viti 1965. Aktiv, organizator dhe njeri i përkushtuar ndaj arteve, Faja ndikoi dukshëm me personalitetin e tij në krijimin e figurës së artistit, në atmosferën artistike të Shijakut, qytetit të vogël ku jetonte, por edhe në qytetin e Durrësit. Në vitin 1996 shpallet “Pishtar i Demokracisë” dhe “Qytetar Nderi” i qytetit Shijak në vitin 1999.
 
Piktori Faja i ka ekspozuar veprat e tij edhe jashtë Shqipërisë, ku mund të kujtojmë Bienalen e Aleksandrisë, në vitin 1967 me tablonë “Verë e vitit 1965”, në ekspozitat kolektive në Kinë, Vietnam, Algjeri, ish Jugosllavi. Në fondin e GKA, Tiranë nga krijimtaria e artistit ruhen 24 (njëzetëekatër) tituj punimesh të viteve 1965-1982. Gjithashtu punime të artistit ndodhen në GKA, Durrës si dhe në institucione të ndryshme shtetërore, koleksione private dhe në studion e autorit.

Ylli Drishti:Faja hyri në historinë e pikturës

Studiuesi i artit, në Galerinë Kombëtare të Arteve Ylli Drishti përshkruan udhëtimin e gjatë të Fajës në historinë e pikturës shqiptare. Ndër të tjera ai thotë se një brez i tërë ka mësuar me abetaren e ilustruar nga Agim Faja.
 
“Është një figurë e rëndësishme në historinë e artit shqiptar pasi ka lënë një krijimtari të jashtëzakonshme në pikturë por është edhe një ndër ilustratorët e parë të botës së fëmijëve, revistave, përrallave e të librave të ndryshëm. U formua në shkollën shqiptare të pikturës por ajo që është e rëndësishme për mjeshtrin Faja është se kishte një dashuri të pakufishme për artin. Në qytetin e Shajakut pati një krijimtari të lirë që nga vitet ’71. Ai është ndër të parët ilustratorë bashkë me Safo Markon. Këtu kemi  një abetare të ilustruar prej tij, në vitin ‘71 deri në vitin ’92 të tërë kemi mësuar me abetaren e profesor Fajës”, thotë Drishti. 

Jaho Brahaj: Agim Faja piktori i Abetares 
Studiuesi Jaho Brahaj kujton takimet dhe veprën e Agim Fajës. 
 
“Ikja e një Miku dhe personaliteti të pikturës shqiptare është një lajm i trishtë. Ruaj kujtimet e paharruara nga takimi me kërkesën e tij, pasi unë kisha përgatitur nga dorëshkrimi dhe botuar novelën e Sh. Gjeçovit "Mnera e Prezes". Përgatitja dhe botimi i kësaj vepre me subjekt nga jeta e Shqipërisë së Mesme e kishte emocionuar dhe gëzuar piktorin, dinte dhe kishte shkruar dhe realizuar disa skica për legjendën mbi të cilën ishte ngritur subjekti i kësaj novele, por kur kishte lexuar novelën ishte tepër entuziast për një botim të kësaj vepre me ilustrime nga dora e tij dhe filloi punën me pasion. Vepra do ishte rivlerësuar me dyzimin tek autori i novelës dhe ilustrimi mjeshtëror. Ruaj një fotokopje të një skice të projektit të tij me këtë temë. Mjerisht nuk u sigurua një fond modest për realizimin e këtij projekti. Më ka nderuar me një vlerë të veçantë për mua, një kompozim të tij "Gratë lajnë rrobat në lumë", që më dhuroi edhe si shkëmbim për kënaqësinë që i kishte dhanë botimi i kësaj vepre të Gjeçovit. Brezi im ishte njohur me Profesor Agim Fajën që në klasën e parë. Abetarja me të cilën mësuam ABC. Ishte ilustrim mjeshtëror i Agim Fajës, punë që vazhdoj për disa dekada, deri sa u ndërrua për interesa financiare. etj, etj”, shkruan ai.


[gallery]22770[/gallery]

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Kakavijë, radhë kilometrike makinash për të hyrë në Shqipëri, pala greke punon me vetëm 1 sportel

Kakavijë, radhë kilometrike makinash për të hyrë në Shqipëri, pala greke punon me vetëm 1 sportel