TIRANË- Mëngjesi i kësaj të marte ka nisur me një lajm të hidhur. Poeti i njohur, Arben Duka ka ndërruar jetë ditën e sotme, e ndërsa nga sa bëjnë me dije miqtë e tij ka pësuar për shkak të një ataku kardiak.

Ai u nda nga kjo jetë në moshën 64-vjeç. Duka ishte një mik i Shqiptarja.com, i cili ka botuar në gazetën print disa shkrime ndër të cilat mund të veçojmë " Dhimbjet i mposht vetëm me morfinë e satirë", "Veç emri i "piktorit" lodrën të kalon"... apo edhe "Ç'po ja thotë Bilbili"!

Një biografi e shkurtër e Arben Dukës?
Arben Duka ka lindur në 5.12.1957 në Labovë të Gjirokastrës. Ka mbaruar Akademinë Ushtarake dhe Universitetin "Aleksandër Xhuvani".Ka ndofta biografinë më të pasur letrare dhe artistike në vënd. Është autor i mbi pesëdhjetë vëllimeve poetike të botuara e të ribotuara gjer në pesë herë. Eshtë bashkautor në rreth tre mijë këngë të të gjitha zhanreve duke filluar qysh nga viti 1974. Ka dhjetra çmime si autor dhe bashkautor në gjininë e këngës,ku spikasin shtatë çmime të para në Festivalet Kombëtare të këngës në Radiot Televizionin Shqiptar. Është autor i mijëra e mijëra vargjeve humoristik dhe satirikë në shumë të përditshme dhe periodike.
Ka mbuluar për rreth shtatë vjet Intervistat e Kaso Koses në gazetën "Intervista" duke qenë i spikatur dhe në prozë në këtë fushë. Megjithatë, Arben Duka është më së shumti një poet lirik. Disa nga titujt e librave të tij janë:
-1.Nektari i këngëve.
2.Njëmijë puthje
3.Ç'të bëj me fjalën?
4.Letra dashurie-në pesë libra të veçantë.
5.Unë isha një i vetëm
6.Intervistat e Kaso Kosës
7.Vetëm ty të kam
8.Gjiri i Virgjëreshë i botuar gjashtë herë.
9.Ç'ja thoshte bilbili-humor e satirë.
10.Pushtetarë dhe zagarë-humor dhe satirë
11.Grek o grek kokë goricë-satirë.
12.Rroj se nuk vdes dot
13.Labovë moj Labovë-poemë.
14.Kristale të thyer
15.Dashuria është abstrakte
16.Aromë vajze
17.Heroi i dashurisë
18.Fisnikëria e ka një emër-kushtim për I.Hasanbelliun.
19.Vipa dhe rripa-humor dhe satirë
20.Taksidarët e gjakut-satirë
21.Njeriu me bllok
22.Aliu dhe Saliu
23.Rebelohuni-satirë
24.Biri i shqiponjës-poemë për Heroin e Popullit-JAHO GJOLIKU 25.Sa doli Xhuvelëria, plasi sheshit kurvëria-në dy volume…etj, etj…
Po ashtu janë të shumta këngët hite në vite që mbajnë firmën e Arben Dukës, por është e pamundur të shkruhet gjithë ajo listë e gjatë. Duka është autor i tekstit të Hymnit të Policisë së Shtetit. Gjithë krijimtaria e tij ka ndikim pozitiv dhe frymëzues tek lexuesit, fansat dhe dashamirët e shumtë të poetit kudo ku jetojnë shqiptarët. Arben Duka është "Nderi i Qarkut Gjirokastër", "Nderi i Odries", "Nderi i Lunxherise", "Nderi i veteraneve te luftes".

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:45
Ndarja nga jeta e poetit Arben Duka, ministrja e Kulturës: U shkrive deri në fund nga dashuria për njeriun

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti shkruan një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të poetit të madh Arben Duka.

“Epitaf për vete. Të gjitha kurrë s’mund të thuhen, në pllakë të varrit për njerinë, ndaj unë kam lënë që të më shkruhen: “Jetoi dhe vdiq për Dashurinë!” Lamtumirë Arben Duka, që u shkrive deri në fund nga dashuria për njeriun! U prehsh në paqe poet!” shkruan Margariti.