Pjesë e paketës fiskale për vitin 2026 do të jetë edhe ndryshimi i ligjit të taksës së ndikimit në infrastrukturë. Të gjitha investimet të financuara nga buxheti i njësive të qeverisjes qendrore dhe vendore, të ndërtimeve për qëllime publike në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale, do të përjashtohen nga taksa e ndikimit në infrastrukturë.

“Përjashtimi   i   këtyre   investimeve   nga   taksa   e   ndikimit   në   infrastrukturë përfaqëson një masë fiskale në mbështetje të përmirësimit të kushteve të ofrimit të shërbimeve publike dhe sociale për komunitetin. Duke ulur barrën financiare që kjo taksë ka në koston e financimit të këtyre investimeve, përjashtimi nga kjo taksë  synon   të  ndikojë  në   një  realizim me  më pak   kosto  dhe  të   shpejtë  të investimeve publike”, thuhet në relacion.

Aktualisht, për  ndërtimet për qëllime publike, taksa e ndikimit në infrastrukturë është 1-3% për qind e vlerës së investimit, ndërsa për Bashkinë e Tiranës është 2-4%.

Po ashtu duke hequr taksën e infrastrukturës për këto investime thuhet se do të ketë edhe përshpejtim të procedurave administrative për realizimin e këtyre investimeve, duke eliminuar vonesat e mundshme që mund të lindin nga procesi i vlerësimit dhe mbledhjes së kësaj takse.

Ky projektligj parashikohet të sjellë një efekt financiar me rreth 300 milionë lekë në buxhetin e pushtetit vendor, efekt i cili do të kompensohet nëpërmjet  rritjes së transfertës së pakushtëzuar për qeverisjen vendore për vitin 2026 dhe në vijim.