Anulimi i Garës për Portin e ri të Durrësit në Porto Romano me vlerë 400 milionë euro kur ajo po shkonte drejt fundit, pas tërheqjes së kompanisë për ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë Enea Karakaçi është normale për projekte të tilla madhore.
“Ministri as nuk e bën e as nuk e anulon tenderin. Ka pasur 2 procedura, në të fundit ka pasur 5 subjekte që kanë aplikuar, janë të gjitha kompani ndërkombëtare. Ka pasur një subjekt që është kaluar në fazën përmbyllëse, por me të drejtën e tij ai është tërhequr. Marina e Durrësit nuk e impakton operacionalitetin e portit të Durrësit”, tha Karakaçi.
Interpelanca e kërkuar nga deputeti Erald Kapri ishte planifikuar që të zhvillohen me kryeministrin Edi Rama, por për shkak të një vizite në Itali e Spanjë, ai e delegoi tek ministri i linjës. Kapri kërkoi shpjegime se pse porti i ri i Porto Romanos do të jetë më i vogël sesa aktuali, ndërsa Karakaçi e mohoi këtë duke dhënë shifra.
“Ndërtimi i kësaj vepre rrezikohet për shkak të shkatërrimit të portit të Durrësit qoftë me heqjen e portit aktual për ta kthyer në një shesh ndërtimi për të shitur apartamente qoftë dhe me portin e ri me kapacitet më të vogël. Pra këtu ka një problem”, tha Kapri.
“Porti aktual është pamundur të zgjerohet përtej kufijve ekzistues. Porti i ri është projekt i mirëmenduar, i hartuar me ekspertizë ndërkombëtare. Kapaciteti i portit është për të menaxhuar maksimumi 200 mijë kontejner, jemi në kufirin maksimal. Porti i ri ka kapacitet 600 mijë kontejner deri në 1 milionë kontejner”, tha Karakaçi.
Shqetësimeve që Durrësi mund të mbetet pa port për shkak se nga njëra anë kanë nisur punimet e Marinës dhe nga ana tjetër nuk ka ende një fitues për Porto Romanon, Karakaçi iu përgjigj prerë se Porti aktual nuk do të zhvendoset pa qenë gati Porti i ri.
"E së fundmi ndoshta që ka dhe një element që është e nevojshme ta theksoj ë Marina e Durrësit nuk e impakton në asnjë moment operacionalitetin e portit të Durrësit. Pse e para faza e punimeve pra faza aktuale nuk cenon siç e thashë asnjë aktivitet të përpunimit të mallrave. Tashmë gjithë faza e parë i është dhënë subjektit Marina Durrës dhe porti i Durrësit vazhdon aktivitetin krejtësisht normalisht. Ndërsa në kontratën bazë që është edhe miratuar këtu dhe ju ftoj që edhe mund ta shikoni është që faza e dytë fillon vetëm pasi porti i Durrësit transferohet në portin pasardhës. Si e tillë në asnjë moment Shqipëria nuk rri pa port në Durrës dhe faza e dytë vijon vetëm pasi të zhvillohet porti në Poro Romano”, tha Karakaçi.
Gara për portin e ri tregtar të Durrësit që do të bëhet në Porto Romano ende nuk dihet se kur do të rihapet, ndërsa kur ajo u anulua pak muaj më parë kreu i qeverisë Edi Rama tha se faktorë të jashtëm nuk duan që porti të bëhet.
Lajmi kryesor:
LIVE TV - Kuvend/ Debate për ndryshimet në Rregullore, PD: Doni të kufizoni kohën që të mos flasim! Shtyhen 3 interpelanca me Nufin, Kumbaron e Koçiun










