Vangjeli: SHBA është me shqiptarët, jo me ‘larushët’ provincialë 

Vangjeli: SHBA është me shqiptarët, jo me ‘larushët’ provincialë 

Lulzim Basha dhe Sali Berisha

Diplomatja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, ka zhvilluar një takim me kreun e PD-së, Lulzim Basha ku i ka kërkuar që Berisha të mos jetë ne parlament në muajin shtator. Si e shihni lëvizjen e diplomates, 2 muaj pas shpalljes “non grata” të ish kryeministrit Sali Berisha?

Ngjarja e vërtetë ka ndodhur në maj, me vendimin e sekretarit Blinken, ajo që shohim tani është pasoja. Në fillim vetëtima përvëluese e pasur nga bubullima, që në thelb janë pjesë e të njëjtës dukuri. Deklarimi i ambasadores Kim bëri shumë bujë për mënyrën sesi u artikulua dhe gjetjen e jashtëzakonshme për të përcjellë mesazhin. Paralelja me një nga sloganet më të famshëm të komunizmit ishte kujtesë për atë që mund t’i ndodhë partisë së parë antikomuniste në vend. Eshtë mënyra për ta ftuar atë për të zgjedhur mes Shteteve të Bashkuara dhe zotit Berisha, mes të nesërmes që jep shpresë dhe të djeshmes që duhet të përfundojë, mes marrëdhënies jetike me aleatin strategjik dhe izolicianizmit. Mes logjikës dhe ndjesisë, llogarisë për të tërën dhe hesapin për pjesën. Është kaq e qartë. Kaq pa ekuivoke dhe kaq direkte. Nuk ka diplomaci në kuptimin klasik të fjalës, por ka politikë. Në mënyrën sesi duhet folur me politikanët shqiptarë që shohin më shumë se 51 hije tek grija e deklaratave dy kuptimësie.

Shumëkush nga shqiptarët e frustruar në vite nga mënyrat orientale të qeverisjeve që kanë kaluar në këtë vend dhe nga pamundësia e tyre për të kushtëzuar e ndëshkuar me votë atë qeverisje, i kanë parë Shtetet e Bashkuara si shkopin magjik që mund të ndëshkonte mëkatarët, busullën për të dëshmuar drejtimin e duhur dhe gardianin zemërmirë të lirisë. Dhe ata janë habitur kur reagimi u superfuqisë nuk ka qenë ai që do të donin në moment. Kanë qenë si ata besimtarët patetikë që besonin se lutja e mbrëmjes ishte realiteti që do t’i zgjonte në mëngjes. Dhe kur nuk ndodhte kështu, fajësonin jo pritjen e gënjeshtërt, por besimin pa kushte në Zot. Shpresat naive për ta parë SHBA-në si aleat të njërës palë kundër tjetrës, është një nga marrëzitë më qesharake që shpiket në Tiranë nga dëshirat e pamundura dhe nga pafuqia për të ndryshuar një të vërtetë të thjeshtë: SHBA është aleate e Shqipërisë dhe jo e individëve larushë që popullojnë korridoret provincialë të politikës në Tiranë. Nuk do shumë inteligjencë për të kuptuar se edhe Hoxha po të ishte gjallë sot e të qeveriste Tiranën, do të sillej si prift i moralshëm përballë Uashingtonit. Ndaj kush mendon se ka aftësi të ndikojë për mirë a keq në këto marrëdhënie, thjesht do të ishte qesharak përpara një publiku thellësisht proamerikan.

Nga ana tjetër, ajo që e bën serioze situatën, është shtimi i konsiderueshëm i zërave të sovranistëve, që qoftë për modë, qoftë për interes, qoftë me frymëzim të hershëm komunist e qoftë nga barrikada arkaike e antikomunizmit, po injektojnë në publik helmin e rrezikshëm të antiamerikanizmit. E bëjnë një gjë të tillë duke e parë si të ndarë politikisht Uashingtonin në raport me palët në Tiranë, e bëjnë kur konsiderojnë se interesat amerikane janë të ndryshueshme si humori në Tiranë, e bëjnë kur nga vogëlsia e tyre epike gjykojnë se në SHBA ngrysen e gdhihen atë që i ndodh mjekrës gjithmonë e më të bardhë të Edi Ramës apo habiten me flokët gjithmonë pa thinja të Lulzim Bashës; e bëjnë kur mendojnë se matanë Oqeanit flitet për individë dhe jo për parimet që drejtojnë individët. Edhe në këtë rast nuk është fjala për individin Sali, por për fenomenin që duhet trajtuar. SHBA udhëheq botën në dy mënyra që janë të njëjta si kur bëhet fjalë për veten e saj, për marrëdhëniet me aleatët apo dhe ish-armiqtë e mundur: njëkohësisht nëpërmjet forcës së shembullit dhe shembullit të forcës. Nuk ka gjë më të pathyeshme se e drejta morale e thënë nga pozitat e të fortit! Nga pikpamja e patriotizmit skajor shqiptar, nga pikpamja e interesit thelbësor të kombit dhe faktorit shqiptar kudo në rajon, duhet të pranohet si aksiomë fakti që SHBA ka të drejtë edhe nëse e ka gabim. Është fati më i madh i mundshëm që interesat amerikane përputhen me synimet e një populli të vogël, i cili shpesh ka qenë armiku më i egër i vetvetes! Kush guxon të ngrihet kundër kësaj ligjësie, herët a vonë duhet të numërohet në armiqtë e tij.

A do jetë në gjendje dhe a do e ketë te mundur kryedemokrati Basha te largojë nga parlamenti babain e tij politik?

Besoj se kjo është një nga legjendat urbane në Tiranë që do të kuptohet shpejt si e tillë. Nuk është Basha peng i Berishës, por është kryetari i ri i PD-së pengmarrësi i paraardhësit të tij tashmë të pafuqishëm. Forca e zotit Berisha është gjithmonë e më e vogël, aftësia e tij për të ndikuar në politikë është gjithmonë e më modeste. Tashmë ai është ashtu siç e ka pikturuar veten në këto vite: një antar i thjeshtë i PD-së dhe jo vendimmarrje në të. Dukja gënjen, por thelbi është pikërisht kështu, me përjashtim të faktit që Doktori ka pushtetin vetjak moral, atë që nuk e jep posti, por e krijon individi. Edhe ky “duel” i supozuar se ka me SHBA-në, duket se e fuqizon atë. Një njeri shpesh vlen sa shuma e armiqve të tij. Dhe ky ishte rasti i zotit Berisha deri para se, për hir të interesave vetjake, të vetëvihej në shërbim të Lulzim Bashës. Sepse në politikë, politikani shpesh vlen sa shuma e miqve të tij. Basha e ka plagosur Berishën që në maj të 2017-ës dhe e ka vrarë me grupin e tij të ri parlamentar, me rizgjedhjen në post dhe kuvendin e jashtëzakonshëm. Ajo që u pa në kuvend si shenjë force, ishte në fakt dobësia e të mbyturit që shkul flokët e veta. Shumëkujt do t’i dukej përqafimi i tyre si puthja e Judës në Malin e Ullinjve, por as Basha nuk është dishepulli “tradhëtar” dhe as Berisha nuk është Jezu Krishti i tradhëtuar. I pari është politikani tradhëtar, i dyti është mëkati që duhet qortuar! Ka dhe një pikturë tjetër banale të raportin mes të dyve; shumë individë, edhe me zë të fortë publik, pretendojnë se nëse do të donte, Berisha me ca “trima” që i ka nën urdhëra, është në gjendje edhe të mos e lerë Bashën të hyjë në seli. Dhe e besojnë një gjë të tillë sinqerisht, edhe pse ka gjasa teorike që kjo gjë do të ndodhë. Me kusht që Shqipëria të ishte një ishull dhe pa marrë parasysh se Berisha është më i dobët se Basha edhe për shkak të një rrjeti shumë të fortë interesash okulte që i ve ata në raport varësie. Gjërat e dukshme zakonisht refuzohet të quhen me emrin e tyre te vërtetë. Këtë ka pasur parasysh Basha, kur siç thuhet shpesh në korridoret e politikës, ankohej rregullisht në gjuhë të huaj për të kundërtën: forcën e Berishës për ta kërcënuar. Roli më i jashtëzakonshëm në politikë është t’i përshtatësh veten paragjykimit të të tjerëve, me kusht që ai t’i shërbejë qëllimit të aktorit. Në këtë pjesë, Basha padyshim është i pakrahasueshëm me askënd.

Është hera e parë që një ambasador i SHBA-së kërkon largimin nga parlamenti të një deputeti para se sezoni i ri parlamentar, ndërkohë që kemi pasur personazhe të tjera që janë shpall “non grata” dhe nuk ka pasur kërkesa të kësaj forme.

Dekriminalizimi i politikës apo dhe ndëshkueshmëria e njerëzve të politikës është një sipërmarrje gjithmonë e më e fortë amerikane për Shqipërinë. Eshtë akt në vijimësi për të bërë atë që sistemi në Shqipëri ka dështuar ta bëjë për një mijë e një arsye. Herë pas here ka pasur paralajmërime për individë, por që nuk kishin ndonjë rëndësi te vecantë për publikun, por theksonin rëndësinë e parimit. Steka u ngrit me Prokurorin e Përgjithshëm dhe një numër mbreslënës gjyqtarësh e prokurorësh të lartë. Në rastin e zotit Berisha është vënë një stekë nën të cilën mund të kalojë cdo staturë më modeste se ajo e ish-presidentit dhe ish-kryeministrit shqiptar. Po kështu, ka të dhëna, por ende jo prova, për ekzistencën e një liste të gjatë me zyrtarë publikë që kanë llogari të frikshme bankare jashtë vendit. Njëlloj si lista e famshme Lagarde për Greqinë e një dekade e ca më parë, ajo tregon pasuri të transferuara jashtë Shqipërisë në shifra të frikshme. Dyshon dot kush se ata që janë në gjendje të zotërojnë hapësirën, nuk mundin të gjejnë adresën e dyshekëve qipriote e italianë dje dhe britanikë e zviceranë sot ku pasanikët nga politika kanë fshehur paratë e grabitura???

-Kërkesa e ambasadores a është një ndërhyrje e hapur në punët e brendshme të një shteti apo subjekti politik siç komentohet nga “sovranistët”. Duket se Basha është në mëdyshje ku ka zëra se edhe mund të “dorëzojë” Berishën. Perse është kaq i shantazhueshëm Basha që në tetë vite në krye të PD vetëm ka humbur dhe “lëshuar” gjithcka?

Dhëntë Zoti që amerikanët të ndërhyjnë edhe më shumë në punët “e brendshme” të shqiptarëve. Nuk ka asnjë interes më të lartë jetik në Tiranë, Prishtinë apo Tetovë e kudo gjetkë që ka shqiptarë sesa siguria, stabiliteti dhe demokracia në hapësirën ku ata jetojnë. Në një botë që është në një ndryshim dinamik dhe shpesh edhe problematik, marrëdhëniet me SHBA-në janë jetike për shqiptarët. Kështu që sovranistët janë të lutur kuptojnë se e kundërta, mban erë komunizëm dhe izolacionizëm. Dinjiteti i Tiranës nuk ruhet duke menduar se duhet të jetë vetë Tirana qendër vendimmarrjeje; mirë do të ishte nëse do të mundte të ecte me këmbët e saj ose të paktën të mos ishte qesharake në shartimin që i bën demokracisë me testikujt e tharrë të komunizmit feudal të hershëm. Ky është një problem shumë më i thellë sesa fati i një individi. Ai ka të bëjë me raportin që shqiptarët kanë vendosur në vite me udhëheqësit e tyre. I adhurojnë si perëndi kur janë në pushtet, ju përmbysin varrin mbas vdekjes. Për të marrë shembuj që nga ish-mbreti komik Zogu i Parë, tek Hoxha që i dha fat tragjik këtij vendi dhe deri tek Berisha që ka hyrë në një duel tragjikomik me SHBA-në. Ajo që ata kanë bërë mirë apo keq kushtëzohet nga ajo që ata kanë bërë shumë keq në fund. Jetëshkrimi i një politikani kushtëzohet në qasje thelbësore nga mënyra sesi largohet nga pushteti dhe më pak nga mënyra sesi ka ardhur apo e ka mbajtur pushtetin. Epilogu është më i rëndësishëm se prologu. Të tre këta individë e kanë kërkuar pushtetin si qëllim të vetëm dhe jo si një mjet për të realizuar qëllime fisnike. Revolucionarë në fillim dhe autokratë më pas, të gatshëm të punojnë qindin për interes dhe të aftë t’i nënshtrohen interesave okulte, ata janë të tre viktimat perfekte të ëndrrës për pushtet të përhershëm. Që e kanë gjykuar dhe kërkuar si vendstrehim për t’u fshehur dhe për të mos u ndëshkuar nga mëkatet e kryera gjatë gjakimit për pushtet./Fjala.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Asgjë e re nga fronti i Perëndimit për të korruptuarit dhe “non gratat”

Asgjë e re nga fronti i Perëndimit për të korruptuarit dhe “non gratat”