Ndërtuesja e rrugës së Kombit
refuzon taksat, fitoi 210 mln euro

Ndërtuesja e rrugës së Kombit<br />refuzon taksat, fitoi 210 mln euro
TIRANE - Ka fituar neto 210 milionë euro nga punimet që kreu në Shqipëri, megjithatë hedh në gjyq Tatimet se i kanë faturuar pa të drejtë detyrime, që nuk pranon se duhet t’i paguajë.

Subjekti më i preferuar i qeverisë Berisha, konsorciumi midis amerikanëve të Bechtel-it dhe turqve të ENKA-s, ka paditur dje Drejtorinë e Apelimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve,  Njësinë e Tatimpaguesve të Mëdhenj dhe Drejtorinë Rajonale Tatimore, duke kërkuar shfuqizimin apo ndryshimin e një morie aktesh administrative.

Konkretisht, kërkohet pavlefshmëria e vlerësimit tatimor të datave 22 gusht 2012, 4 shtator 2012 dhe 20 shtator 2012, si dhe e raportit të rikontrollit tatimor të 22 gushtit 2012 të lëshuara nga Njësia e Tatimpaguesve të Mëdhenj.

Po kështu, kërkohet edhe anulim i pjesshëm për vleresime tatimore të tjera, si dhe i vendimit të marrë nga Apeli Tatimor, që i ka lënë të gjitha këto akte në fuqi. Të gjitha aktet në fjalë ngarkojnë konsorciumin me detyrime financiare, të cilat ai refuzon t’i paguajë.

FITIMET

Ky kundërshtim vjen nga përfituesi më i madh i fondeve buxhetore për tetë vjetët e fundit. Të dhënat e Tatimeve tregojnë se në periudhën 2008-2009, kur punimet e rrugës ishin në kulmin e tyre, Bechtel&ENKA ka rezultuar me norma mjaft të larta fitimi, përkatësisht 31% dhe 30% të qarkullimit vjetor të realizuar. Fitimet e subjektit në periudhën 2008-2010 rezultojnë rreth 29 miliardë lekë (rreth 210 milonë euro), sa 2.3% e Prodhimit të Brendshëm Bruto vjetor.

Sipas ndërtuesve, normalisht norma e fitimit të kompanive të ndërtimit të rrugëve është 10% dhe ajo mund të arrijë maksimumi në 21%, kur kompania bën dhe mirëmbajtjen e tyre. Normën e jashtëzakonshme të fitimeve të Bechtel&ENKA-s ata e lidhin me çmimet e shtrenjta, me të cilat u lejua të operonte ndërtuesi, që ishin shumë më të larta se ato të tregut.

BORXHI

Kostoja e rrugës Durrës-Kukës vlerësohet të ketë arritur në 1 miliard euro, sa 10% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (nga të cilat një e pesta ka shkuar si fitim për kompaninë kryesore ndërtuese). Shpenzimet e larta në 2008-2009 çuan në rritjen e shpejtë të borxhit publik të vendit, që arriti në kufirin maksimal të parashikuar atëhere me ligj, rreth 60% të PBB-së, që në 2009-n, më i larti në rajon, nga 53% që ishte në 2008-n, sipas të dhënave publike të ministrisë së Financave.

Fillimi i krizës globale, në 2009-n, që ngadalësoi rritjen ekonomike në vend, ua vështirësoi punën Financave për uljen e borxhit, që sot e vendos Shqipërinë në një nga vendet me nivele më të larta borxhi në rajon dhe si rrjedhojë dhe me risk më të lartë. Ndërkohë, qeveria, në pamundësi për të siguruar të ardhura të mjaftueshme nga taksat, vendosi të heqë krejtësisht kufirin ligjor të borxhit publik.

(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

EasyPay: Arrihet Licenca e parë për Bankingun e Hapur në Shqipëri dhe Ballkan

EasyPay: Arrihet Licenca e parë për Bankingun e Hapur në Shqipëri dhe Ballkan