-Nisma ligjore propozohet nga një grup deputetësh të LSI-së -
Pamje nga nje aksident rrugor Foto:ARKIVE
TIRANË, 8 Prill/ATSH-Anila Struga/.- Një ndryshim në Kodin Rrugor, i propozuar nga deputetë të grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, parashikon futjen në ligj të konceptit të "ndihmës së parë" në rastet e aksidenteve rrugore.
Projektligji, i marrë sot në shqyrtim nga komisioni i Ligjeve, përmban një nen të vetëm, i cili parashikon kursin e ndihmës së parë me kandidatët për leje drejtimi.
Nenit 187 të Kodit Rrugor, i shtohet pika 2 me këtë përmbajtje: "kursi i ndihmës së parë për kandidatët për leje drejtimi, ku merren njohuritë e nevojshme për dhënien e ndihmës në rast aksidenti, të zhvillohet nga një organizatë me veprimtari në fushën shëndetësore e licensuar nga agjenci ndërkombëtare dhe të njohura nga autoritetet përkatëse të Bashkimit Europian për trajnime në fushën e ndihmës së parë mjekësore".
Kodi Rrugor shqiptar e ka njohur dhe më parë konceptin e "ndihmës së parë", në rastet e aksidenteve rrugore, por me ndryshimet e pësuara ato u shfuqizuan. Sipas relacionit shoqërues të nismës ligjore, e propozuar nga grupi i LSI-së, rifutja e këtij koncepti do të sillte shmangien e pasojave të rënda për jetën në rastet e aksidenteve rrugore.
Ndryshimet e propozuara në Kodin Rrugor miratohen me 3/5 e votave të gjithë anëtarëve të Kuvendit./m.m/