Në Europë dhe në vende të qytetëruara, gazetarët intervistojnë kriminelët duke i vënë para akuzave, për të dëgjuar versionin e tyre, por edhe për të zbuluar ndonjë grimcë më shumë të vërtete. Eshtë një praktikë profesionale “e diskutueshme” sepse në këtë mënyrë i jepet zë një krimineli, por të paktën është i detyruar t’u përgjigjet pyetjeve të një gazetari dhe nga përgjigjet që jep, publiku mund të shpresojë të kuptojë nëse gënjen ose jo. Ndërsa në Shqipëri gazetarët (disa, jo të gjithë) punojnë si ''zëdhënës'' të kriminelëve. Jo duke i intervistuar përpara kamerave apo duke publikuar pyetje-përgjigjet, pra duke vënë kriminelët përballë rrezikut që të tradhëtojnë veten duke thënë ndonjë gënjeshtër, por duke publikuar mesazhet e bosëve të marra me sms. Më rëndë se një avokat mbrojtës.

Gazetarët tradhëtojnë profesionin e tyre prej mediatorësh dhe bëhen ndërmjetës pa asnjë filtër mes  kriminelëve dhe opinionit publik. Ka ndodhur shumë herë dhe u përsërit edhe sot me Lulzim Berishën, i kërkuar me akuzën e 4 vrasjeve, i cili përdori një gazetare për “t’i kërkuar llogari” SPAK-ut për akuzat e bëra. E bëri përmes një sms. E tepërt të themi që deklarata e kriminelit pa asnjë kundërpërgjigje, u kopjua menjëherë dhe u ribotua nga dhjetëra media të tjera që besuan se po publikonin një scoop.  

Fatkeqësisht profesioni i gazetarit kërkon një vlerë etike, por mbi të gjitha një kulturë të lartë profesionale, për të kuptuar se cfarë është e ligjshme të bëhet dhe cfarë nuk duhet bërë. Kjo është sëmundja e mediave shqiptare sot. T’i japësh zë një krimineli dhe të harrosh të raportosh që një ish Kryeprokuror është nën hetim në bazë të ligjit antimafia. Kësaj here politika nuk ka faj. Këtu faji është vetëm i gazetarëve që ndonjëherë arrijnë të jenë më keq se politikanët.