HIMARË- Prej të paktën katër ditësh, pushuesit e Himarës po përballen me ndotjen e vijës bregdetare. Vetë pushuesit kanë denoncuar ndotjen duke sjellë pamje në redaksinë e Report Tv, në të cilat duket se si uji në plazhin e Potamit ka marrë një ngjyrë të jeshilët.
Ndërkohë, në një reagim, Bashkia e Himarës thotë se po e ndjek situatën dhe se janë marrë mostra për të përcaktuar shkakun e ndotjes.
Po ashtu, Bashkia thotë se Impianti i Trajtimit të Ujërave të Ndotura që shërben për qytetin e Himarës është plotësisht funksional dhe vijon të operojë normalisht.
Reagimi i Bashkisë së Himarës
Në lidhje me pretendimet e ngritura në media dhe rrjetet sociale mbi praninë e ujërave të ndotura në zonën e Potamit, Bashkia Himarë informon opinionin publik se situata po ndiqet me vëmendje dhe seriozitet të plotë nga të gjitha institucionet përgjegjëse.
Prej disa ditësh, Bashkia Himarë, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Ministrinë e Mjedisit, Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve (AKUK), Agjencinë Kombëtare të Mjedisit (AKM), Task Forcën e AKUK-së, si dhe Task Forcën për Menaxhimin e Sezonit Turistik 2026, ndodhen në terren duke monitoruar nga afër situatën.
Në kuadër të këtyre verifikimeve janë marrë mostra për analizim nga institucionet kompetente, me qëllim identifikimin e plotë të fenomenit të raportuar dhe përcaktimin e masave të nevojshme për rikthimin e situatës në normalitet.
Deri në përfundimin e analizave dhe verifikimeve teknike, çdo informacion lidhur me shkaqet e këtij fenomeni mbetet në nivel pretendimi dhe nuk ekziston ende një konkluzion zyrtar nga institucionet përgjegjëse.
Njëkohësisht, sqarojmë se Impianti i Trajtimit të Ujërave të Ndotura që shërben për qytetin e Himarës është plotësisht funksional dhe vijon të operojë normalisht, në përputhje me parametrat teknikë dhe standardet e përcaktuara për këtë kategori infrastrukture. Bazuar në monitorimet dhe të dhënat e disponueshme deri në këtë moment, nuk është konstatuar asnjë problematikë në funksionimin e impiantit që mund të lidhet me pretendimet e ngritura.
Bashkia Himarë siguron qytetarët, pushuesit dhe bizneset turistike se situata po trajtohet me përgjegjësi të plotë institucionale dhe se çdo masë e nevojshme do të ndërmerret menjëherë pas daljes së rezultateve të analizave dhe rekomandimeve të strukturave teknike përgjegjëse.
Bashkia Himarë do të vijojë të informojë publikun me transparencë të plotë mbi çdo zhvillim të mëtejshëm lidhur me këtë çështje.
Ruajtja e cilësisë së ujërave detare, mbrojtja e mjedisit dhe garantimi i sigurisë së pushuesve mbeten prioritete absolute për Bashkinë Himarë dhe institucionet e përfshira në monitorimin dhe mbarëvajtjen e sezonit turistik 2026.
Komente








