ELBASAN- Në Gjykatën e Elbasanit po zhvillohet seanca për 16 personat e arrestuar pasi dy kompani të ferrokromit u pezulluan për ndotje masive. Të akuzuarit do të njihen me masën e sigurisë arrest në burg. Mes tyre janë 9 të huaj dhe 7 shqiptarë, në role drejtuese, teknikë dhe punonjës në të dy subjektet, mes të cilëve edhe administratori korean, Juncheol Chung, 64 vjeç
Operacioni u zhvillua më 14 dhjetor, kur Policia e Elbasanit ndërhyri brenda brenda ambienteve të kompanive "CCALB" Shpk dhe "GSA Ferrokrom" Shpk, të cilët e ushtronin aktivitetin te Metalurgjiku. Djegiet e mbetjeve të ferrokromit kryheshin natën, në qiell të hapur, dhe brenda ambienteve të oborrit dhe kompanisë prej të paktën 2 vitesh, duke shkaktuar një katastrofë mjedisore jo vetëm pranë ish-Metalurgjikut ku ushtrohej aktiviteti, por me kilometra të tëra rreze.
Në kërkim u shpallën edhe 8 të tjerë, të cilët rezultojnë të jenë aksionarë të dy kompanive që helmuan Elbasanin për të paktën 2 vite me radhë. Ata janë në akuzë për 4 vepra penale, nga ndotja e ajrit, ujërave dhe e tokës, te fshehja e të ardhurave, punësimi i paligjshëm dhe pastrimi i parave, kryer në bashkëpunim.
Policia thotë se kanë shkelur ligjet mjedisore dhe ndotur ajrin, ujërat dhe tokën, nuk kanë respektuar rregullat për menaxhimin e integruar të mbetjeve dhe përpunimin e mbetjeve të baterive. Në kushte normale, djegia e materialeve të tilla duhet të bëhet sipas standardeve për të mos krijuar ndotje, të cilat "CCALB" Shpk dhe "GSA Ferrokrom" Shpk nuk i plotësonin, pasi brenda ambienteve të punës nuk janë gjetur pajisje që shërbejnë për filtrim.
Për shkak të shkeljeve masive të konstatuara, policia vendosi 2 gjoba me vlerë totale 13 milionë lekë, përkatësisht 3 milionë për njërin dhe 10 të tjera për kompaninë tjetër. Me vendim të autoriteteve u pezullua aktiviteti i tyre deri në përmbushjen e kërkesave ligjore.
Komente




