Ndriçim Kulla: Berati diamanti turistik buzë lumit Osum

Ndriçim Kulla: Berati diamanti turistik buzë lumit Osum

Qyteti i Berat

Bukuria e Beratit, e këtij diamanti turistik shqiptar, buzë lumit Osum, tashmë gjendet Brenda albumit "Berati një qytet i përjetshëm" me autor Ndriçim Kullën. Libri sapo ka dalë nga shtypi nga shtëpia Botuese “Plejad”.

Autori i librit pohon se nevoja e botimit të këtij albumi lindi në kuadrin e promovimit të vlerave kulturore dhe turistike. Albumi i botuar me kontributin e Bashkisë Berat, nëpërmjet pamjeve origjinale prezanton historinë e rrallë të qytetit mijëvjeçar, të bukurisë arkitekturore të ndërtimeve të tij, të artit dhe qytetërimit që ky qytet ka dëshmuar.

Autori i albumit, Ndriçim Kulla, pohon për “Shqiptarja.com” se “Shekulli XX, si shekull i jashtëzakonshëm në historinë e njerëzimit, krahas shumë mrekullive të tjera që u dhuroi kombeve të gjithë botës, krijoi një fenomen të ri në jetën moderne të popujve të mbarë globit tonë, turizmin.”

Në parathënie të këtij albumi, autori shkruan mes të tjerash se:

Po bëhen disa dekada që në këtë vorbull gjigante të lëvizjes pa pushim po përpiqet që të ingranohet me shpejtësi edhe industria turistike e Shqipërisë, e atdheut tonë, që natyra i ka dhënë një bukuri e hijeshi të rrallë natyrore por dhe një trashëgimi të rrallë historiko-kulturore, por që komunizmi e dënoi për të vuajtur shumë gjatë ne një mjerim ekonomik.”, Sipas Ndriçim Kullës “Publiku i huaj po joshet nga hiret e sapozbuluara të bukurisë që disa qytete të lashta të Shqipërisë kane nisur t’u sfilojnë miqve të ardhur. Mes tyre Berati është “mbreti” i kurorëzuar prej kohësh i turizmit të ri shqiptar.

Nriçim Kulla

Mbi të gjitha, autori admiron bukurinë e Beratit.

Bukuria e Beratit, e këtij diamanti turistik shqiptar buzë lumit Osum, zë fill qysh në hapat e parë të qytetërimit shqiptar, atëherë kur orakujt e fatit e vendosën atë në një mjedis madhështor e të pasfidueshëm, atje, karshi malit të Tomorit dhe rrëzë disa kodrave të gjelbëruara dhe buzë ujërave të mbushura me shkëlqim. Si askund tjetër te ne, nuk ka një kështjellë më afër njerëzve, madje një lagje gjendet ende e trupëzuar brenda mureve të larta të saj. Por fizionominë e tij më të plotë kjo kryeqendër urbane e shqiptarëve do ta krijonte përfundimisht vetëm mbas mesit të shekullit XIX, pikërisht atëherë kur ajo do të merrte formën e hijshme origjinale që gëzon edhe sot.

Ndriçim Kulla

Studiuesi na lë ta përfytyrojë për një moment veten tonë në rolin e një të ardhuri, që vizitën e tij në Berat dëshiron ta startojë nga lagjja e Kalasë.

Nëse ai do të dëshironte që natën ta kalonte në një nga hotelet e atyshme, me siguri që qysh në orët e para të mëngjesit do ndjente kënaqësinë e rrallë që dielli t’i hapte sytë me rrezatimin e tij që depërton së pari këtu. Kjo lagje, që shëmbëllen me një ballkon natyror, ka privilegjin e padiskutueshëm që në çdo stinë të jetë e para që i ekspozohet ndriçimit të agimit, të atij zgjimi të natyrës që përsëritet në 12 muajt e pandërprerë të vitit e që i bën njerëzit të rendin drejt jetës së përditshme me vrull.

 Ndriçim Kulla

Këtij albumi nuk u mungojnë surprizat me lokalet e vjetra dhe të reja, të cilat sipas autorit Kulla të ftojnë me hare që të zhytesh në “perandorinë” kulinare të beratasve, të këtyre mjeshtërve virtuozë të gatimit të një morie gjellësh të shijshme.

Kur del për të shëtitur në rrugicat me kalldrëm të kësaj lagjeje historike, shpirti yt nuk ngopet duke soditur pamjen e ngjyrosur me larmi që të ofrojnë të katër anët e horizontit të kësaj “miniere” pjellore bukurie.”

 Ndriçim Kulla

Po aurora e këtij albumi për Ndriçim Kullën është Muzeu “Onufri”, një monument kulturor më vete, të cilën ai e quan “Mekën e artit mesjetar shqiptar”, e kuruar me kujdes nga studiuesit dhe e kompozuar nga kryevepra figurative të artistëve më të shquar të mesjetës.

Ndërsa i duket sikur shkarkon nga supet peshën e 2500 vjetëve histori, pas ka lënë pas Kalanë e Beratit, autori Pëllumb Kulla shkruan se:

Por kur të duket sikur po largohesh nga e kaluara e ndritur e Beratit, në fund të kësaj rruge të shfaqen menjëherë ndërtesat e Mangalemit, një tjetër parajsë arkitekturore që stolis imazhin e përkryer të këtij qyteti. Mangalemi është lagjja me arkitekturën historike më të përsosur të Beratit. Ndërtesat e tij të ngritura njëra mbi tjetrën në trajtën e brezareve kanë meritën që nxorën emërtimin e “Qytetit të një mbi një dritareve”. Kur nata bie mbi to, sytë e tu ndeshin në to me qindra dantella drite, që i japin një shndritje të veçantë këtij kompleksi të praruar godinash. Gjenia krijuese e arkitekturës këtu arrin kulmin e rafinimit profesional, duke i pozuar shikuesit një kombinim urbanistik në përmasa tronditëse, që i ka shokët të pakët në Shqipëri dhe ndoshta në krejt Ballkanin.

Ndriçim Kulla 

Të gjitha gjenitë krijuese të arkitekturës dhe kulturës beratase autori është kujdesur t’i vendos në këtë libër. Autori i këtij albumi nuk ka lënë pa përfshirë në album edhe shtëpinë e Isuf Vrionit.

Jam i bindur se shpirti i Isuf Vrionit i lindur dhe i rritur në një nga dinastitë familjare më të shquara të Beratit dhe të gjithë trevave shqiptare qëndron përjetësisht mbi qiellin e Mangalemit.

Ndriçim Kulla

Në album përfshihen Ura e Goricës, e quajtur kështu prej lagjes me të njëjtin emër që shtrihet sapo kalon atë. Gorica është gjerdani më i ri në moshë në thesarin e vlerave të Beratit.

Ti futesh në ato porta madhështore me harqe tejet të valëzuara dhe përnjëherësh bie në kontakt me hijet e padukshme të së kaluarës. Janë portrete paraardhësish fisnikë që të ftojnë me mirësjellje e përdëllim për të gjezdisur në ambientet ku ata jetuan, në oborret ku ata ndenjën. Ti ecën i kapur përdore nga kujtimi i tyre mbresëlënës e shtangesh i gjithi. Në dejtë e tu lëvrin gjaku i mirënjohjes për këta beratas të mirë, që populluan në shekuj këto vatra patriotizmi të lagjes së Goricës, e në fund largohesh krenar për këto qenie që bënë historinë e saj.

Ndriçim Kulla

Albumi të ngjet si një dokumentar, të cilin autori nis të na e përshkruaj “prej mureve të kështjellës 2500 vjeçare , shtëpive të moçme dhe monumenteve të vjetra sa vetë jeta të këtij qyteti simfonia e zërave melodiozë ngërthen në veshin tënd një muzikë mahnitëse me të gjitha ngjyrat e ylberit.

Mozaiku i pamjeve që vështrohen prej aty përfaqëson pikërisht një album viziv, “që dhe mjaft kohë më vonë do ta kesh të fiksuar përjetësisht në retinën tënde dhe që ngjanë shumë edhe me albumin që ju kam paraqitur unë duke besuar se kam ndihmuar sado pak në promovimin e vlerave të turizmit kulturor të këtij qyteti të veçantë.

Ndriçim Kulla

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen