Vijojnë ndryshimet në Policinë e Shtetit. Pas largimit të Ardi Veliut në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, drejtor i Policisë Rrugore është komanduar Skënder Ismaili.
 
Ky i fundit do të drejtojë Policinë Rrugore deri në emërimin e tij ose të ndonjë personi tjetër. Ndërkohë pak ditë më parë janë firmosur edhe ndryshime të tjera në kupolën drejtuese të Policisë së Shtetit.
 
Në vend Albert Nushi i cili nga drejtimi i Delta Force u bë Drejtor i Policisë Fier, është emëruar Artur Selimi. Selimi do të drejtojë repartin Special të Delta Forcë. Ndërkohë Drejtor për parandalimin e Krimit është emëruar Albert Dervishi.
 
Nga ky post është shkarkuar Skënder Kalemi. Gëzim Zhupaj është emëruar shef i Rendit Publik në Policinë e Shtetit.
 
Gjithashtu pritet të firmosen edhe disa largime të tjera në Polici, mes tyre shefat e komisariateve. Mësohet se shefave të komisariateve u është lënë 2 javë afat për të rritur zbulueshmërinë e krimit dhe nëse nuk ka ndryshime do të merren masa. 

Preken Komisariatet, Hodaj refuzon postin e specialistit 
Burime të Report Tv konfirmuan se disa prej drejtorëve të shkarkuar kanë refuzuar detyrat e reja që u janë caktuar nga Haki Cako. Mes tyre është edhe ish-drejtori i policisë së Tiranës Ervin Hodaj. Ai ka refuzuar postin e specialistit në sektorin e protokollit në Policinë e Shtetit. 

Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)