Shqipëria renditet ndër vendet me të ekspozuar ndaj ndryshimeve klimatike dhe pasojave të tyre. Gjatë konferencës rajonale “Të bashkuar për klimën”, të zhvilluar në Tiranë, ambasadorja e Zvicrës në Tiranë, Ruth Huber, tha se “vendet e Ballkanit Perëndimor janë të ngjashme por edhe të ndryshme në formën se si adresojnë por edhe se si zbutin efektet e ndryshimeve klimatike. Shqipëria renditet në nivelet më të larta të vendeve evropiane për sa i përket ekspozimeve dhe prekjes së valëve të të nxehtit apo prej përmbytjeve që kanë prekur vendin në këto 2 dekada”.
Ambasadorja Huber theksoi se kriza klimatike nuk është më një kërcënim i largët, por një realitet që po ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.
Edhe një raport i Bankës Botërore vlerëson se Shqipëria, si një nga vendet më të rrezikuara nga fatkeqësitë natyrore në Evropë, ka nevojë për rreth 6 miliardë dollarë investime gjatë dekadës së ardhshme për t’u mbrojtur nga rreziqet klimatike. Sipas raportit, çdo 1 euro e investuar në përshtatjen ndaj klimës mund të sjellë deri në 10 euro përfitime, ndërsa mungesa e veprimeve mund t’i kushtojë vendit deri në 7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Një realitet i njohur dhe nga qeveria shqiptare, e cila madje parashikon një faturë akoma dhe më të lartë. “Plani Kombëtar për Përshtatjen ndaj Ndryshimeve Klimatike 2026-2036” flet për nevojën e 9.8 miliardë dollarësh investime për ndërtimin e sistemeve kulluese, argjinaturave, rezervuarëve, teknologjive mbrojtëse ndaj ngjarjeve ekstreme, si dhe për ngritjen e sistemeve moderne të informacionit dhe paralajmërimit.
Në dokument theksohet se këto investime janë të domosdoshme, pasi Shqipëria ka humbur rreth 2.3 miliardë dollarë në tre dekadat e fundit si pasojë e fatkeqësive natyrore.
Në takimin e kësaj të marte, edhe Zv.kryeministrja Albana Koçiu u shpreh se sfidat klimatike mund të përballohen me financime dhe krijimin e një baze të pasur të dhënash.
“Klima menaxhohet nga investime reale, nga tubacione dhe diga që i qëndrojnë kohës, nga sisteme parandalimi dhe nga institucione që reagojnë në kohë. Kjo është përshtatje, jo një dokument, por një sistem që funksionon si i tërë.
E para është financimi, pasi kjo nuk është bamirësi, por financim në sigurinë e përbashkët. E dyta janë të dhënat, pasi nuk menaxhon dot atë që nuk ke të dhëna”,- tha Koçiu.
Një element i tretë sipas zëvendëskryeministres është dhe bashkëpunimi rajonal.
““Duhet të jemi të bashkuar, se klima nuk na lë asnjë alternativë tjetër. Përmbytjet e dimrit të kaluar nuk ndaluan në kufi për të kërkuar pasaportë; zjarret që përfshinë pyjet tona nuk pyetën nëse pyjet ishin shqiptare apo malazeze apo më gjerë në rajon; thatësira nuk konsultohet me zyrat doganore”, vuri në dukje Koçiu.
Komente











Kjo Koçiu me këto krahasimet e klasës së parë të hap barkun. Mbi të gjitha, kur është keq do bashkim kjo, kur është mirë do të rri vetëm. Ptuu
Përgjigju