Projekt-drafti i grupit të ekspertëve të nivelit të lartë ka krijuar disa struktura këshilluese, ku ndër të tjera është dhe një strukturë tjetër që do quhet Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Ky Këshill do shërbejë për verifikimin e kushteve ligjore dhe për të parë pastërtinë e kandidatëve jo gjyqtarë e jo prokurorë për anëtarë të KLGJ dhe KLP. Gjithashtu, kjo reformë synon të ngrejë dhe një Komision të Pavarur Kualifikimi me disa anëtarë të cilët do bëjnë kualifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ky komision të verifikojë në bashkëpunim edhe me ILDKPI pasurinë e çdo gjyqtari dhe prokurori dhe në fund do dalë me një vlerësim. Ky komision do vlerësojë dhe performancën në punë, që në fakt do jetë një monitorim i imtësishëm i punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit

Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit është një bashkëpunim ndërmjet komisionit Europian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, organizatave të tjerë ndërkombëtare dhe asistencës ndërkombëtare dypalëshe. Ky mision ka të drejtë të emërojë vëzhgues ndërkombëtarë në të dyja shkallët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Ai kryesohet dhe nëpërmjet Komisionit Evropian që koordinon ndihmën ndërkombëtare.