TIRANË- Në një kohë që po zhvillohet paralel seanca plenare ku votohet për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, presidenti Ilir Meta ka "kërcënuar" deputetët", duke i paralajmëruar se do të mbajnë përgjegjësi individuale për votën që do të japin.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, krah homologut të Bosnje- Hercegovinës, Meta tha se presidenca do të bëjë publike të gjithë emrat e deputetëve që kanë votuar pro draftit të PS-së, sipas së cilit është në kundërshtim me marrëveshjen e arritur më 5 qershor.

"Ai që ngre dorën për të prekur 5 qershorin, ai ngre dorën kundër integrimit të vendit. Unë dëshiroj që të mos e bëjë, kushdo që do ngre dorën, duhet ta dijë që përgjegjësinë e ka individuale, morale , do i publikojmë emrat se kush janë ata që duan të kthejnë Shqipërinë 30 vite pas për të mbyllur, nuk ka zot në botë që ta mbyllë, po e respektuan unë do i duartrokas", tha Meta.

Ai ka pasur akuza për qeverinë, duke thënë se kanë përdorur procesin e integrimit në BE për të marrë fonde dhe jo për të bërë reforma.

"Ne jemi vonuar nga lidershipi për procesin e integrimit pasi lidershipi e ka përdorur për të marrë fonde nga BE dhe jo për të realizuar reforma. Vetëm duke bërë zgjedhje të lira e demokratike ne hapim negociatat dhe japim shembuj që duhet bërë çdo gjë për të ardhmen europiane Prekja e 5 qershorit faturë historike për PS", tha Meta,

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:56
Rama: Presidenti nuk ka kapacitetin moral për t'u përmbajtur krahas një homologu të huaj! Foli me gjuhë shantazhuese, as Berisha nuk e bënte (VIDEO)

Në Kuvend Rama komentoi deklaratat e deputetes Hajdari. Ai tha se ajo nuk ka faj kur vetë Presidenti Meta përdor një gjuhë shantazhuese edhe kur është në takim me një homoloh ndërkombëtar. Sipas Ramës, as Sali Berisha nuk e ka bërë këtë. Rama tha se Presidenti nuk ka as kapacitetin më të vogël moral për t'u përmbajtur.

"Kompromiset e mira janë ato që të gjitha palët kanë një arsye për tu mërzitur. Dhe ne kemi arsye për tu mërzitur, më shumë se sa palët që janë në këtë proces brenda apo jashtë parlamentit. Jemi të vetëdijshëm që detyrimi për të bërë kompromisin për një proces të zgjedhjeve është që të heqim dorë nga dëshirat tona. Unë nuk kam asnjë dyshim që nëse ne do kishim kërkuar një kompromis nga ju për të vendosur bonusin për partinë e parë por patjetër që kjo do të ishte e tepërt me palën që nuk është këtu. Nga ana tjetër për ata që nuk janë këtu, ky parlament po bën më shumë se sa asnjëherë më parë për ndonjë palë që ka qenë këtu brenda duke marrë në konsideratë kërkesat e tyre edhe pse janë larguar. Nuk ka asnjë problem që të më sulmoni mua, jam mësuar. Jam mësuar me origjinalin e jo më me kopjet. Dëgjova një zonjë që foli me një gjuhë që një grua apo nënë nuk mund ta ketë. Çfarë faji ti vë zonjës ku shembullin më skandaloz e jep Presidenti i Shqipërisë i cili nuk ka kapacitetin mendor dhe moral ku ka një homolog në krah. Nuk më kujtohet ta ketë bërë as vetë Saliu që në krah të një të huaji të ketë përdorur një fjalor shantazhues për kundërshtarët këtu. Nuk i vendos faj zonjës" - tha Rama.

"Kërcënimin e tij" se do mbajnë përgjegjësi, Rama e komentoi me ironi. " Nga kush, si në çfarë mënyrë, me cilat mjetet të dhunshme apo me ato armët që do rrëmbeheshin në 2017", tha ai.