Kryeministri Edi Rama prezantoi ndryshimet e propozuara për masat e sigurisë në Kodin e Procedurës Penale, duke deklaruar se arresti me burg duhet të jetë alternativa e fundit. Sipas tij, për veprat penale që parashikojnë dënim maksimal nën 5 vjet nuk do të caktohet më arrest me burg, ndërsa gjykata duhet të shqyrtojë fillimisht masat më të buta dhe arrestin në shtëpi.

“Procesi penal duhet të nisë nga zona e lirisë dhe jo nga burgu si zanafillë. Gjykata duhet të nisë nga liria, të shqyrtojë masat më të buta, të vlerësojë arrestin në shtëpi dhe të arrijë te burgu vetëm kur çdo alternativë tjetër është e pamjaftueshme. Për veprat me dënim maksimal nën 5 vjet, nuk do të caktohet më arrest me burg. As heshtja e personit, as mospranimi i akuzës s’do të përdoren më si provë rrezikshmërie. Rreziku duhet të jetë konkret. Gjykata duhet të bëjë vlerësimin e pavarur dhe, nëse kopjon argumentet e prokurorit, vendimi bëhet i pavlefshëm dhe lind përgjegjësia disiplinore e gjykatësit. Sa herë caktohet arrestimi, gjykata duhet të vlerësojë edhe garancinë pasurore. Prokurori duhet t’i raportojë gjykatës nëse arsyet e masës vazhdojnë të ekzistojnë dhe t’i argumentojë ato”, tha Rama.


Lajmi kryesor:

Kodi i Procedurës Penale ndryshon në 105 nene/ Asnjë masë arrest me burg për dënimet nën 5 vite, jo më në qeli gratë shtatzënë dhe nënat me fëmijë nën 6 vjeç! Seancat mund të transmetohen live