Me amendamentet e propozuara për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit, Partia Demokratike synon t’i vërë fre përjashtimeve nga seancat plenare. Në draftin e siguruar nga Report Tv, PD kërkon ndryshimin e përbërjes së sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën, i cili aktualisht përbëhet nga 5 anëtarë, 3 PS dhe 2 PD. Grupi parlamentar i PD-së, propozon që sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën të përbëhet nga një sekretar dhe pesë anëtarë, në raporte të barabarta ndërmjet shumicës dhe pakicës parlamentare. Sipas tyre, etika dhe rregulli në veprimtarinë e Kuvendit duhet të ushtrohet në mënyrë të përbashkët, ose në të kundërt ky sekretariat ashtu si edhe masat disiplinore mund të përdoren si një instrument politik në duart e mazhorancës.

“Për çështjet që trajton ky Sekretariat duhet të ketë përpjekje të sinqerta ndërmjet palëve për të gjetur konsensus, përfshirë edhe sanksionimin e sjelljeve që shkelin rregullat disiplinore. Etika dhe rregulli në veprimtarinë e Kuvendit është përgjegjësi e përbashkët dhe si e tillë duhet të ushtrohet në mënyrë të përbashkët. Në të kundërt, kjo strukturë, ashtu si edhe masat disiplinore mund të përdoren si një instrument politik në duart e mazhorancës për të abuzuar me pozitën e saj dominuese, cka është е papranueshme referuar vendimeve nr. 48/2024 dhe nr. 18/2026 të Gjykatës Kushtetuese, jurisprudencës së sistemit gjyqësor shqiptar, si dhe vendimit Karacsony kundër Hungarisë të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut", thuhet në relacionin e PD.

Po ashtu, PD propozon që në rast se deputetët kanë ankimuar vendimet e sekretariatit të Etikës apo të drejtuesit të seancës plenare, efekti i vendimit pezullohet derisa të shprehet Byroja e Kuvendit.

“Me paraqitjen e ankimit, urdhri i drejtuesit të seancës plenare/komisionit dhe/ose vendimi i Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën pezullohet deri në dhënien e vendimit nga Byroja e Kuvendit”, thuhet në propozimin e PD.

PD kërkon t’i japë fund edhe seancave që zgjasin deri në orën e para të mëngjesit. Ata propozojnë që "në rast të zgjatjes së seancës plenare përtej orës 22:00, me kërkesë të kryetarit të një grupi parlamentar, seanca plenare ndërpritet dhe rifillon ditën pasaardhëse në ora 10:00”.

Kur PS propozoi formulën e re të komisioneve, pika që solli debatin më të madh mes palëve ishte shkrirja e komisionit për Çështjet Europiane në komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme. Opozita kërkon ndarjen e këtij komisioni në dy dhe të marrin drejtimin e çështjeve për integrimin.

“Duke pasur parasysh fazën kritike në të cilën ndodhet integrimi evropian i vendit, faktin që vendet e rajonit ka një komision të posaçëm për çështjet evropiane apo ato të integrimit evropian, si dhe me qëllim garantimin e gjithëpërfshirjes dhe një roli domethënës të opozitës në këtë proces, Grupi Parlamentar i PD-së duhet të kërkojë që të ketë një ndarje të Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme, në Komisionin për Çështjet Evropiane dhe Komisionin për Punët e Jashtme, ku drejtimi i të parit duhet t'i lihet një përfaqësuesi të opozitës parlamentare”, thotë PD.

Ndërkohë, PS në propozimet e saj nuk tërhiqet nga ndryshimi i numrit të komisioneve nga 8 në 11, ndonëse Kushtetuesja e detyroi parlamentin të ribënte procedurën e kompozimit të komisioneve.

Një tjetër pikë që refuzon PD është edhe ulja e numrit të kohës së deputetëve nga 10 minuta në 5.

“Çdo ndërhyrje në lirinë e shprehjes, veçanërisht të deputetëve të opozitës duhet të jetë sa më e kufizuar dhe e justifikuar me arsye të veçanta. Kufizimi i kohës së diskutimeve synon të reduktoјё hapësirën e deputetëve të opozitës në Parlament, duke vështirësuar ushtrimin е funksioneve të tyre, përfshirë përfaqësimin efektiv të qytetarëve nëpërmjet diskutimeve, propozimeve, debatit, interpelancave pyetjeve, mocioneve, deklaratave dhe votës”, thotë PD.

Në draft, PD propozon që kryesimi i grupeve të miqësisë, përcaktohet nga Kryetari i Kuvendit në këshillim me kryetarët e grupeve parlamentare, duke mbajtur parasysh përfaqësimin politik sipas përpjesëtimit që zënë në Kuvend.

 

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

Lajmi në përditësim....