Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi ka thërritur mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin më datë 15 prill 2026 me rend dite diskutimin e projektvendimit “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004, ‘Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë’, i ndryshuar”.

Sipas draftit të PS, tanimë deputetët nuk do të kenë më 10 minuta për të folur në seancë por vetëm 5. Socialistët kërkojnë edhe që ligjet që synojnë përafrimin me normat e BE-së, e që në mënyrë eksplicite janë të ndaluara të kalonin me procedurë të përshpejtuar, tani e tutje të miratohen pa diskutime të gjata!

Partia Demokratike ka reaguar duke thënë se thirrja për mbledhje nga ana e Niko Peleshit është një akt i paprecedent  dhe në kundërshtim me parimet kushtetuese. Sipas PD-së, projektvendimi që pritet të shqyrtohet përmban dispozita që më herët janë shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese, duke ngritur shqetësime për, siç thotë opozita, injorim të autoritetit të saj.

“Kryetari i Kuvendit ka njoftuar sot thirrjen e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për në datë 15.04.2026, ora 12:00,  me rend dite: “Shyrtimi i projektvendimit "Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004, "Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar".

Ky njoftim bëhet në kushtet kur projektvendimi përkatës përfshinë dispozita që janë shfuqizuar njëzëri nga Gjykata Kushtetuese, duke injoruar autoritetin e kësaj të fundit dhe në shkelje të parimeve bazë të funksionimit të shtetit ligjor.

Secili qytetar i Republikës së Shqipërisë dhe partnerët tanë ndërkombëtar kujtojnë se për 3 muaj, Kryetari i Kuvendit z. Niko Peleshi refuzoi të thërriste mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për autorizimin e arrestimit të ish-Zëvendëskryeministres Belinda Balluku, me arsyetimin se po priste zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me një kërkesë të Kryeministrit që nuk kishte asnjë lidhje me çështjen që shqyrtonte Kuvendi i Shqipërisë.

Ndërkohë që në rastin konkret, edhe pse rendi i ditës është qartësisht i lidhur me zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, të njoftuar në datën 23 Shkurt 2026, Kryetari i Kuvendit ka ftuar deputetët në mbledhje, pa pritur zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo praktikë bie ndesh me nenin 132 të Kushtetutës dhe provon edhe njëherë vullnetin e mazhorancës për të injoruar zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Duke e konsideruar këtë akt si të paprecedent, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, dënon me forcë provokimin e Kryetarit të Kuvendit z. Niko Peleshi dhe e konsideron njoftimin e bërë prej tij për të mbledhur Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ende pa u njoftuar vendimi i zbardhur i Gjykatës Kushtetuese, si një veprim antikushtetues, që cënon parimet bazë të shtetit ligjor dhe cenon besimin e publikut tek autoriteti i padiskutueshëm i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në reagimin e PD.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë