Ndryshon ligji i prokurimit publik, skualifikohen nga gara ata që abuzuan me një kontratë të mëparshme

Konkurrimi dhe marrja e një tenderi do të bëhet më e vështirë për operatorët ekonomikë, që kanë abuzuar me një kontratë të mëparshme. Zëvendëskryeministri Erion Braçe ka prezantuar të gjitha ndryshimet që do të pësojë ligji për prokurimet publike, draft i cili është hedhur për konsultim publik. Braçe theksoi se ndryshimet e reja synojnë të rrisin transparencën dhe të bëjnë të mundur garën reale.

“Skualifikim nga procedura bëhet kur operatori ekonomik është tërhequr nga nënshkrimi i kontratës në një procedurë të zhvilluar nga vetë autoriteti kontraktor. Skualifikim të operatorit kur nuk ka respektuar një kontratë të mëparshme. Përjashtim nga pjesëmarrja në procedurat e tenderimit për një periudhë 3 muaj deri në 3 vite nëse operatori ekonomik është tërhequr mbi 5 herë nga nënshkrimi i kontratës”, pohon Braçe.

Po ashtu pritet të ndryshojnë edhe afatet kohore për pritjen e ofertave për procedurat e prokurimit ndërkombëtar duke i shkurtuar ato.

“Është shkurtimi i afateve për periudhën e pritjes së ofertave. Nëse në ligjin aktual afati për pritjen e ofertave për procedurën e prokurimit ndërkombëtar është minimalisht 45 ditë, parashikohet afati minimalisht 30 ditë. Ndërsa për procedurat vendase do të jetë 15 ditë, ndërkohë që është 23 ditë”, thekson zëvendëskryeministri.

Zëvendëskryeministri ka shtuar ndër të tjera se do të rritet transparenca edhe në rastet e ankimimit nga operatorët teknikë. Braçe ka bërë të ditur se tashmë nuk do të shpallet fituese thjesht oferta më e ulët por ajo që është më e favorshme dhe efektive.

“Nëse në ligjin aktual ankuesi paraqet ankesën fillimisht në autoritetin kontraktor brenda 7 ditëve, autoriteti ka të drejt ta analizojë brenda 7 ditëve. Më pas ankuesi nëse nuk është dakord bën ankimimin brenda 10 ditëve në APP, pra një periudhë 24 ditë. Projektligji i ri parashikon 10 ditë për t’u ankuar tek të dy autoritetet për procedurat ndërkombëtare dhe 5 ditë për procedurat e hapura. Si kriter për shpalljen e ofertës fituese me ndryshimet e reja parashikohet oferta ekonomikisht më e favorshme, e cila identifikohet në bazë të çmimit dhe kostos duke përdorur metodën e efektivitetit të kostos”, tha ndër të tjera Braçe.

Ky projektligj për të cilin sot është zhvilluar edhe konsultimi publik me ndërkombëtarët është mirëpritur edhe nga OSBE, pasi zëvendëskryetari i prezencës se OSBE në Shqipëri, Robert Wilton u shpreh se ky ligj është pikënisja e rritjes së transparencës.

“Korniza ligjore për prokurimin publik është pikënisja për rritjen e transparencës në këtë proces esencial. Është një shenjë e shëndetshme për përkushtimin e qeverisë për mirëfunksionimin e demokracisë dhe për mbajtjen e resurseve publike dhe të tatimpaguesve”, u shpreh zëvendëskryetari i OSBE në Shqipëri, Robert Wilton.

Ndërkohë zëvendëskryeministri Braçe pranoi se korrupsioni dhe abuzimi me tenderat nuk do te zhduket por do minimizohet. Përveç këtyre ndryshimeve në draftin e ri është shtuar edhe elementi i konfliktit të interesit, ku asnjë individ nuk do të lejohet të marrë pjesë në vendimmarrje nëse në garë merr pjesë një operator ekonomik i lidhur me të. Po ashtu do të rritet edhe monitorimi dhe kontrolli nga institucionet ndaj kontratave.

(Kliko këtu për të lexuar ligjin e plotë e prokurimeve)

G.M./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

U kap në ‘shtëpi bari’, 23-vjeçari shqiptar dënohet me burg (Emri)

U kap në ‘shtëpi bari’, 23-vjeçari shqiptar dënohet me burg (Emri)