Qytetarët që zgjedhin të sigurojnë të ardhura shtesë për moshën e pensionit pritet të kenë më shumë garanci për mbrojtjen e kursimeve të tyre që i kanë në formën e “pensionit privat”. Ministria e Financave ka propozuar ndryshime në ligjin “Për fondet e pensionit privat”, duke ofruar më shumë lehtësi dhe garanci për qytetarët.

Për fondet private të pensionit që janë krijuar dhe financuar nga një punëdhënës për stafin e tij, ndryshojnë vitet e punës që duhet të ketë një punonjës që të përfitojë.

Nëse me ligjin aktual një person duhet të kalojë 5 vite punë në një biznes që të fitojë të drejtën mbi paratë e derdhura nga punëdhënësi në ‘fondin e pensionit privat’, ky kusht tashmë është ulur në tre vite. Pra, punonjësit do të fitojnë më shpejt të drejtën mbi kontributet e paguara nga punëdhënësi. (neni 35 i projektligjit).

Kjo formë e “pensioneve private” ku fondi krijohet nga kompania është pak e përhapur në vend, dhe përdoret nga një numër i ulët biznesesh siç mund të jenë bankat, kompanitë e sigurimit etj.

Gjithashtu forcohen masat për të mbrojtur paratë e qytetarëve në rast të falimentimit të kompanisë. Asetet e fondit të pensionit nuk duhet të konsiderohen pjesë e pasurisë së biznesit apo të përdoren për të shlyer borxhet e saj.

“Fondet e pensionit privat janë juridikisht të ndara nga sponsori, me qëllim mbrojtjen e aktiveve të fondit në interes të anëtarëve dhe përfituesve në rast falimentimi të sponsorit”, thuhet në nenin 31 të projektligjit.

Ndryshimet e propozuara në tërësi synojnë të mbrojnë dhe të bëjnë më shumë transparencë mbi të gjitha format e pensionit privat, qoftë fond pensioni individual apo fond i krijuar nga biznesi. Më shumë informacion duhet të marrin qytetarët si përpara anëtarësimit ashtu edhe gjatë qëndrimit në skemë, në mënyrë që të jenë të informuar mbi detyrimet dhe përfitimet e tyre.

Në nenet 45 dhe 46 të projektligjit thuhet se anëtarët do të njoftohen paraprakisht mbi opsionet e përfitimit të pensionit përpara daljes në pension apo informacione të tjera që kërkohen nga qytetarët për mbrojtjen e interesave të tyre.

Edhe pse pensionet private po rriten, përsëri numri i tyre është shumë i ulët krahasuar me skemën shtetërore. Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare në fund të vitit 2025 në fondet private të pensionit ishin 49,218 anëtarë.