Një ditë më parë, institucionet e drejtësisë, KLP dhe KLGJ, njoftuan se u janë bllokuar pagat e muajit gusht.
Në përgjigje të interesit të Report Tv, Ministria e Financave sqaron se pagat nuk janë bllokuar, por Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë kanë paraqitur listëpagesat e muajit gusht bazuar në një metodologji të ndryshme nga ajo që është aktualisht në fuqi. Pra, listëpagesat janë përllogaritur sipas ndryshimeve që vetë këto institucione kanë miratuar.
Për këtë arsye, Ministria e Financave u ka dërguar një shkresë KLGJ-së dhe KLP-së, ku kërkon që listëpagesat dhe urdhërshpenzimet e muajit gusht të paraqiten sërish sipas metodologjisë së përdorur deri në muajin korrik, pasi ndryshimet e reja në pagat e magjistratëve ende nuk janë miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë.
Ministria sqaron se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është detyrues, por zbatimi i tij kërkon ndryshime ligjore, të cilat duhet të miratohen nga Kuvendi.
Sipas Ministrisë së Financave, nuk bëhet fjalë për bllokim të pagave, por për respektimin e metodologjisë dhe kuadrit ligjor në fuqi, deri në momentin kur Kuvendi të miratojë ndryshimet përkatëse.
Ndaj, Ministria e Financave kërkon nga KLGJ-ja dhe KLP-ja që të paraqesin pa vonesë listëpagesat e muajit gusht sipas parametrave të përdorur për listëpagesën e muajit korrik, me qëllim që pagat të procedohen menjëherë.
Lajmi në përditësim.....













Komente
Komento