Ndryshon ligji për IKMT-në, rastet
kur prishet a pezullohet një ndërtim

Ndryshon ligji për IKMT-në, rastet<br />kur prishet a pezullohet një ndërtim
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit do të organizohet në dy nivele me ligjin e ri të miratuar nga Këshilli i Ministrave. IKMT-ja do të organizohet në dy nivele: në nivelin qendror dhe atë rajonal nëpërmjet degëve të Tiranës, Durrësit, Korccës, Vlorës, Sarandës, Lushnjës, Kukësit dhe Shkodrës.
 
Gjithashtu në mbledhjen e sotme të qeverisë janë miratuar disa ndryshime në ligjin për procedurën për dhënien e licensave të importit, eksportit dhe prodhimit të lëndëve plasëse për përdorim civil.

Ligji parashikon rastet kur IKMT do të ndërhyjë duke shembur, pezulluar poa gjobitur subjektet për një ndërtim që është në kundërshtim me ligjin.
 
Prishja

Vendimi për prishjen e ndërtimit të kundërligjshëm merret në përputhje me legjislacionin në fuqi në fushën e planifikimit, zhvillimit, mbrojtjes së territorit, si dhe në të gjitha rastet kur nuk respektohet vendimi i pezullimit të punimeve në ndërtim, nuk plotësohet dokumentacioni, teknik e ligjor dhe kur ka parregullsi në zbatimin e punimeve në objekt, brenda afatit kohor të parashikuar në vendimin përkatës.

Vendimi për prishje shoqërohet me vendimet e dënimit me gjobë dhe për kundërvajtësin përgatitet kallëzimi penal, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Vendimi për prishjen e ndërtimit të kundërligjshëm mbahet sipas formës së parashikuar në aneksin shoqërues të vendimit.
 
Pezullimi
Sipas vendimit të ri të qeverisë, vendimi për pezullimin e punimeve në ndërtim merret në rastin kur është i nevojshëm një afat kohor paraprak për marrjen e vendimit për përmbushjen e detyrimeve ligjore në fushën e planifikimit, zhvillimit, mbrojtjes së territorit e disiplinimit të punimeve në ndërtim ose për marrjen e vendimit për prishjen e objektit.      Pezullimi i punimeve në ndërtim ka afat deri në 60 ditë.
Një vendim i tillë merret në rastet kur:
a) subjekti i kontrolluar mungon në objekt ose nuk i paraqet grupit të inspektimit dokumentacionin teknik e/ose ligjor të punimit/ndërtimit/zhvillimit, që ka të bëjë, sipas rastit, me projektimin, mbikëqyrjen, zbatimin dhe/ose kolaudimin e punimeve të ndërtimit;
b) plotësimi i dokumentacionit tekniko-ligjor kërkon proces miratimi nga autoriteti përgjegjës i planifikimit;
c) vendimi i pezullimit të punimeve të ndërtimit për plotësimin e dokumentacionit teknik e/ose ligjor ka rezultuar i pamjaftueshëm dhe subjekti ndërtues kërkon zgjatjen e afatit, duke e argumentuar në mënyrë zyrtare;
ç) nuk është dorëzuar dosja në Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit të njësisë vendore, para fillimit të punimeve në objekt;
d) mungojnë vendimi/et dhe/ose formulari i lejes së zhvillimit dhe/ose ndërtimit dhe/ose deklarata paraprake;
dh) mungon inxhinieri mbikëqyrës i punimeve, kur parashikohet nga legjislacioni në fuqi;
e) mungon tabela me informacionet përkatëse të objektit;
ë) mungon çdo akt sipas shkronjës “b”, të pikës 3, të këtij vendimi, apo sipas  legjislacionit në fuqi në fushën e planifikimit, zhvillimit, mbrojtjes së  territorit e disiplinimit të punimeve në ndërtim.
Gjatë periudhës së pezullimit të punimeve në ndërtim, subjekti ndërtues është i detyruar të ndërpresë punimet në objekt dhe inspektorati vendor përkatës është përgjegjës për zbatimin e këtij vendimi.
Në rastet kur vendimi merret nga IKMT-ja, ky i dërgon, brenda 5 ditëve, vendimin e pezullimit inspektoratit vendor, i cili e zbaton atë brenda 5 ditëve nga data e marrjes së tij.
Vendimi i pezullimit të punimeve në ndërtim shoqërohet me vendimin për dënim me gjobë, sipas parashikimeve ligjore, si dhe, kur është rasti, me kallëzimin penal apo kërkesën për heqje të licencës subjektit kundërvajtës.
Vendimi i pezullimit të punimeve në ndërtim mbahet sipas formës së parashikuar në aneksin shoqërues të vendimit.

 
 
V E N D I M
 
PËR 
 
ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E INSPEKTORATIT KOMBËTAR TË MBROJTJES SË TERRITORIT
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 8, të ligjit nr.9780, datë 16.7.2007, “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme”, të ndryshuar, të nenit 10, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
I. STATUSI DHE MISIONI 
 
1. Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, në vijim IKMT, është institucion qendror, buxhetor, person juridik, publik, në varësi të ministrit përgjegjës për ruajtjen dhe sigurinë e territorit e të ndërtimeve, në vijim ministri, me seli në Tiranë.
 
2. Misioni i këtij inspektorati është kontrolli, mbrojtja e territorit dhe e mjedisit nga ndërtimet e zhvillimet e kundërligjshme apo në shkelje të kushteve të lejeve, duke garantuar një zhvillim të qëndrueshëm e të sigurt në fushën e zhvillimit, planifikimit, mbrojtjes së territorit, disiplinimit të punimeve në ndërtim, produkteve të ndërtimit, si dhe në fushën e menaxhimit të integruar të burimeve ujore sipas neneve 9 e 9/1, të  ligjit nr.9780, datë 16.7.2007, “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme”, të ndryshuar.
 
3. IKMT-ja ka buxhetin e vet, i cili është program më vete në buxhetin e ministrisë për ruajtjen dhe sigurinë e territorit e të ndërtimeve. 
 
II. MËNYRA E ORGANIZIMIT DHE FUNKSIONIMIT TË IKMT-SË
 
1. IKMT-ja organizohet në dy nivele: në nivelin qendror dhe atë rajonal nëpërmjet këtyre degëve:
 
a) Dega e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Tiranë;
b) Dega e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Durrës;
c) Dega e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Korçë;
ç) Dega e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Vlorë;
d) Dega e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Sarandë;
dh) Dega e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Lushnjë;
e) Dega e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Kukës;
ë) Dega e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Shkodër.
 
2. IKMT-ja drejtohet nga kryeinspektori, i cili emërohet, lirohet dhe shkarkohet nga Kryeministri, me propozimin e ministrit.
 
3. Kryeinspektori, në kuadër të funksioneve dhe detyrave të inspektoratit, ushtron këto kompetenca:
 
a) Përfaqëson inspektoratin në marrëdhënie me të tretët dhe është përgjegjës për organizimin, funksionimin, cilësinë dhe efektivitetin e veprimtarisë së tij;
b) Zbaton dhe administron buxhetin e miratuar, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe përgatit projektbuxhetin për vitin e ardhshëm, të cilin ia përcjell ministrit;
c) Nxjerr urdhra dhe vendime për mbarëvajtjen e punës dhe veprimtarinë e inspektoratit, me përjashtim të atyre që janë në kompetencë të ministrit, sipas ligjit;
ç) Bashkërendon veprimtarinë e inspektoratit me institucionet qendrore dhe institucionet e tjera shtetërore në fushën e veprimtarisë së tij;
d) Siguron zbatimin dhe kontrollin e zbatimit të akteve ligjore e nënligjore që rregullojnë veprimtarinë në nivel qendror dhe rajonal;
dh) I raporton periodikisht drejtpërdrejt ministrit për veprimtarinë e inspektoratit.
 
4. IKMT-ja, nëpërmjet kryeinspektorit dhe inspektorëve, ushtron detyrat dhe përgjegjësitë e parashikuara në ligjin nr.9780, datë 16.7.2007, “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme”, të ndryshuar.
 
5. Degët rajonale të IKMT-së e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në territorin rajonal përkatës dhe janë përgjegjëse për inspektimin në atë rajon.
 
6. Me urdhër të kryeinspektorit, inspektorët e një dege rajonale mund të ushtrojnë veprimtarinë e tyre edhe në territorin e një rajoni tjetër, në bashkëpunim me degën rajonale përkatëse.
 
7. Degët rajonale të IKMT-së drejtohen nga përgjegjësi, i cili përgjigjet përpara kryeinspektorit për mbarëvajtjen e punës, cilësinë dhe efektivitetin e veprimtarisë së tij.
 
III. STEMA DHE VULA ZYRTARE E IKMT-SË
 
1. IKMT-ja identifikohet me stemën dhe vulën zyrtare.
 
2. Stema e IKMT-së përbëhet nga stema e Republikës dhe shënimet: 
 
    “Republika e Shqipërisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit”.
 
3. Vula e IKMT-së ka formën dhe elementet e përcaktuara në pikën 2, të vendimit nr.390, datë 6.8.1993, të Këshillit të Ministrave, “Për rregullat e prodhimit, administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare”, të ndryshuar. Vulat e degëve rajonale përmbajnë shënimin identifikues  “Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, dega (emri i degës rajonale përkatëse).
 
4. Vula e IKMT-së dhe vulat e degëve rajonale prodhohen, administrohen dhe ruhen, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
 
IV. DISPOZITA TË FUNDIT
 
1. Struktura dhe organika e IKMT-së miratohen me urdhër të Kryeministrit, me propozim të ministrit.
 
2. Ministri miraton rregulloren e brendshme të inspektoratit, me propozim të kryeinspektorit.
 
3. Marrëdhëniet e punës së punonjësve të IKMT-së rregullohen me ligjin nr.7961, datë 12.7.2005, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
 
4. Punonjësit e IKMT-së duhet të plotësojnë kërkesat e përgjithshme dhe të veçanta, që përcaktohen nga kryeinspektori, në përputhje me nenin 11, të ligjit nr.9780, datë 16.7.2007, “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme”, të ndryshuar.
 
5. Vendimi nr.868, datë 12.12.2007, i Këshillit të Ministrave, “Për organizimin dhe funksionimin e Inspektoratit Ndërtimor e Urbanistik Kombëtar”, i ndryshuar, shfuqizohet. 
 
6. Ngarkohet Ministria e Punëve të Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
 
        Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
 
 
K R Y E M I N I S T R I
 
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
 
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
 
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
 
PËR
 
UNIFIKIMIN E PROCEDURAVE TË KONTROLLIT TË TERRITORIT NGA INSPEKTORATI KOMBËTAR I MBROJTJES SË TERRITORIT DHE AI I NJËSISË VENDORE
 
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 16, të ligjit nr.9780, datë 16.7.2007, “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
 
 
V E N D O S I:
 
1. Unifikimin e procedurave të kontrollit të territorit nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (më poshtë IKMT) dhe ai i njësisë vendore, si më poshtë vijon:
 
a) Kryeinspektorët/inspektorët e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të njësisë vendore, në mbështetje të nenit 12, të ligjit nr.9780, datë 16.7.2007, “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme”, të ndryshuar, pajisen me dokument identifikimi zyrtar, ku përcaktohet pozicioni i vendit të punës, i cili i paraqitet subjektit mbi të cilin do të ushtrohet kontrolli si dhe;
 
i. kanë të drejtë të hyjnë dhe të ushtrojnë kontroll në mjediset ku kryhet/en  ndërtimi/et;
ii. kanë të drejtë të kërkojnë zbatimin e objektit/punimeve në terren, sipas lejes së zhvillimit/ndërtimit/deklarimit paraprak të dhënë nga organi i autorizuar i qeverisjes vendore apo qendrore, si dhe të kontrollojnë dosjen me dokumentacionin teknik e ligjor të objektit.
    Subjekti që kontrollohet (sipas rastit, investitori, zhvilluesi, ndërtuesi, projektuesi, zbatuesi i punimeve, mbikëqyrësi, kolaudatori, prodhuesi i materialeve të ndërtimit) dhe të gjithë personat e tjerë të përfshirë në procesin e punimit/zhvillimit/ndërtimit janë të detyruar të lejojnë kryerjen e kontrollit, të vënë në dispozicion të grupit të kontrollit të gjithë dokumentacionin në përputhje me kërkesat e akteve normative në fuqi, si dhe të ndihmojnë në shqyrtimin e tij. 
 
b) Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit pranë njësisë vendore:
 
i. zbaton vendimet e marra nga organi i qeverisjes vendore në fushën e planifikimit, zhvillimit, mbrojtjes së territorit e disiplinimit të punimeve në ndërtim, brenda territorit nën juridiksionin e tij;
ii. kryen kontrolle në territorin administrativ të njësisë vendore, në bazë të planit mujor të punës, të miratuar nga kryeinspektori, si dhe në bazë të njoftimeve të marra nga institucionet qendrore, vendore dhe subjektet fizike e juridike;
iii. ka të drejtë të kryejë një apo më shumë kontrolle në të njëjtin objekt, sipas problematikave teknike e ligjore të objektit, që punohet/zhvillohet/ndërtohet. Kryeinspektori përcakton numrin e kontrolleve të tij;
iv. përfshin në kontrollin e tij punimin/zhvillimin/ndërtimin e një objekti të ri, prishjen e objektit, rikonstruksionin e objektit, riparimin e objektit, infrastrukturën tokësore e nëntokësore, si dhe prishjen e objekteve që paraqesin rrezik shëmbjeje, me pasoja për jetën e shëndetin e njerëzve dhe mbi pasurinë e të tretëve, në përputhje me ligjin nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, dhe me aktet e tjera ligjore e nënligjore në fuqi.
 
c) Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit të njësisë vendore realizon kontrolle nëpërmjet:
 
i. një grupi inspektimi, i cili ka në përbërje jo më pak se dy inspektorë;
ii. një grupi inspektimi të përbashkët, i cili ka në përbërje edhe një inspektor të IKMT-së në rast se është e nevojshme.
 
2. Kryeinspektori/inspektori i njësisë vendore, gjatë kontrollit të ushtruar për zbatimin e punimeve në objektet me leje ndërtimi, i vlerëson shkelje të punimeve në ndërtim rastet e mospërputhjes së objektit në ndërtim me kërkesat e lejes së zhvillimit/të ndërtimit e të projektit teknik të zbatimit apo me deklarimin paraprak të miratuar e të konfirmuar nga organi i autorizuar, si:
 
a) ndërtimi i volumeve të tepërta në lartësi ose në gjerësi të objektit (shtesë kati ose shtesë anësore);
b) ndryshimet e përmasave në gjatësi, gjerësi, lartësi më të mëdha ose më të vogla se ato të miratuara;
c) ndryshimet në arkitekturën e fasadës së objektit, krahasuar me projektin e miratuar;
ç) rrethimi i objektit jo sipas planorganizimit të miratuar;
d) mosrespektimi i kuotave të lartësisë së kateve me ato të miratuara;
dh) mungesat e masave të sigurimit teknik të objektit dhe të mbrojtjes së jetës së njerëzve;
e) ndotja e mjedisit nga ndërtimi i objektit.
 
3. Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit i njësisë vendore, në bazë të planit të punës verifikon:
 
a) vendosjen e tabelës së objektit me leje ndërtimi, me të dhënat përkatëse.
    Në kantierin e punimeve, në momentin e hapjes së tij, tabela vendoset në një vend të dukshëm me një lartësi jo më pak se 4 metra nga niveli i rrugës dhe në përmasa jo më të vogla se 1.3 metra gjerësi dhe 1.3 metra gjatësi, ku shkruhet në mënyrë të dukshme:
 
i. emërtimi i plotë i strukturës dhe/ose zhvillimit që realizohet; 
ii. leja e ndërtimit/e zhvillimit;
iii. kodi i nënnjësisë strukturore, sipas Instrumentit të Përgjithshëm Vendor, në të cilën ndodhet zhvillimi;
iv. të dhëna teknike për projektin, shoqëruar me planimetrinë e vendosjes së strukturës në parcelë dhe pamjen 3D të strukturës;
v.   sipërfaqja e ndërtimit;
vi.   intensiteti i ndërtimit;
vii.   sipërfaqja e parcelës ose parcelave që preken nga zhvillimi;
viii.   numri i strukturave që krijohen nëse janë më shumë se një;
ix.   sipërfaqja rrugore që ndërtohet;
x.   numri i njësive të banimit nëse krijohen të tilla dhe sipërfaqja e përgjithshme e banimit;
xi.   numri i hapësirave të tjera nëse ka një tjetër funksion dhe sipërfaqja e përgjithshme për to;
xii.   të dhëna të tjera, që vlerësohen të nevojshme për të kuptuar projektin;
xiii.   emri i personit fizik ose juridik projektues, duke përmendur edhe arkitektin edhe konstruktorin, emrin e inxhinierit mbikëqyrës, përgjegjësin e zbatimit të punimeve, së bashku me numrat përkatës të licencave;
xiv. një numër telefoni për kontaktim sipas nevojës;
xv.   afati i punimeve, data e fillimit dhe e mbarimit të punimeve në objekt.
 
b) dosjen e dokumentacionit teknik e ligjor, që ndodhet në objekt, si:
 
1.     leja e zhvillimit/ndërtimit, së bashku me vendimet e miratuara nga autoriteti përkatës i planifikimit të territorit; 
2.     projekti teknik i zbatimit të objektit, i konfirmuar nga autoriteti përkatës i planifikimit të territorit;
3.     studimi gjeologjik dhe ai sizmik;
4.     leja mjedisore, e miratuar nga autoriteti përkatës;
5.     miratimi i ndryshimeve në projekt, në rastet kur ka të tilla;
6.     licencimi i pjesëmarrësve në ndërtim (licenca e shoqërisë, drejtuesi teknik, mbikëqyrësit, inxhinieri i zbatimit të punimeve si dhe inxhinierë të tjerë pjesëmarrës në punime);
7.     aktpiketimi i strukturës;
8.     aktkontrolli i kuotës 0,00 në përfundimin të kësaj faze;
9.     verifikimi i të gjitha punimeve të kryera deri në ditën e kontrollit, në përputhje me projektin e miratuar;
10.                        dokumentacioni i ndërtimit në raport me ligjin e trashëgimisë kulturore, arkeologjike, turistike, si dhe me ligjet e tjera, kur objekti ndërtohet në këto zona, si dhe përcaktimi i detyrimeve të objektit, nëse ka një natyrë të tillë;
11.                        mbajtja e librit të masave të objektit;
12.                        verifikimi i procesverbaleve të punimeve të maskuara;
13.                        certifikatat e cilësisë së materialeve të përdorura/raportanaliza, si hekuri, betoni;
14.                         akti i kolaudimit të përfundimit të punimeve, përfshirë dhe fazën e përfundimit të punimeve të karabinasë;
15.                         masat e sigurimit teknik të punimeve të ndërtimit dhe pajisja me mjete për mbrojtjen e jetës së punëtorëve;
16.                         zbatimi i planit të organizimit të punimeve në objekt;
17.                        masat teknike të ruajtjes së objekteve përreth;
18.                        aktet e inspektimit, të kryera gjatë zbatimit të objektit nga autoritetet inspektuese të përcaktuara në ligjin nr.9780, datë 16.7.2007, “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme”, të ndryshuar.
 
4. Kryeinspektori/inspektori i inspektoratit të njësisë vendore, pas kontrollit në objekt apo në vendin ku kryhen punimet, mban procesverbalin, ku pasqyrohen gjendja aktuale, mangësitë dhe detyrat për subjektin ndërtues, dhe, për shkeljet e vëna re, zbaton procedurat ligjore në përputhje me nenin 12, të ligjit nr.9780, datë 16.7.2007, “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme”, të ndryshuar.
    Procesverbali përkatës i konstatimit nënshkruhet si nga kryeinspektori/inspektori që kryen kontrollin, ashtu dhe nga subjekti i kontrolluar ose përfaqësuesi i tij, kur ky është i pranishëm dhe nuk kundërshton të nënshkruajë. Një kopje e procesverbalit i jepet subjektit të kontrolluar. 
    Kur subjekti i kontrolluar nuk pranon të nënshkruajë procesverbalin ose nuk është i pranishëm, ky fakt pasqyrohet në procesverbal dhe nënshkruhet nga grupi i inspektimit. Kur subjekti nuk është i pranishëm, i jepet një kopje e procesverbalit brenda 5 (pesë) ditëve nga data e kontrollit. 
    Nëse identiteti dhe adresa e subjektit të kontrolluar nuk dihen, një kopje e procesverbalit të konstatimit afishohet për 5 (pesë) ditë në vendpublikimet e njësisë vendore përkatëse dhe në kantierin e ndërtimit. Me kalimin e këtij afati, vlerësohet se subjekti i kontrolluar është njoftuar për rezultatin e kontrollit. 
    Brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e mbajtjes së procesverbalit të konstatimit të kundërvajtjes, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dhe ai i njësisë vendore nxjerrin vendimin për marrjen e masave përkatëse dhe dhënien e sanksioneve administrative, të cilat nënshkruhen nga kryeinspektori.
 
5. Vendimi për pezullimin e punimeve në ndërtim merret në rastin kur është i nevojshëm një afat kohor paraprak për marrjen e vendimit për përmbushjen e detyrimeve ligjore në fushën e planifikimit, zhvillimit, mbrojtjes së territorit e disiplinimit të punimeve në ndërtim ose për marrjen e vendimit për prishjen e objektit. 
    Pezullimi i punimeve në ndërtim ka afat deri në 60 (gjashtëdhjetë) ditë. 
   
    Një vendim i tillë merret në rastet kur:
 
a) subjekti i kontrolluar mungon në objekt ose nuk i paraqet grupit të inspektimit dokumentacionin teknik e/ose ligjor të punimit/ndërtimit/zhvillimit, që ka të bëjë, sipas rastit, me projektimin, mbikëqyrjen, zbatimin dhe/ose kolaudimin e punimeve të ndërtimit; 
b) plotësimi i dokumentacionit tekniko-ligjor kërkon proces miratimi nga autoriteti përgjegjës i planifikimit; 
c) vendimi i pezullimit të punimeve të ndërtimit për plotësimin e dokumentacionit teknik e/ose ligjor ka rezultuar i pamjaftueshëm dhe subjekti ndërtues kërkon zgjatjen e afatit, duke e argumentuar në mënyrë zyrtare; 
ç) nuk është dorëzuar dosja në Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit të njësisë vendore, para fillimit të punimeve në objekt;
d) mungojnë vendimi/et dhe/ose formulari i lejes së zhvillimit dhe/ose ndërtimit dhe/ose deklarata paraprake;
  dh) mungon inxhinieri mbikëqyrës i punimeve, kur parashikohet nga legjislacioni në fuqi;
e) mungon tabela me informacionet përkatëse të objektit;
ë) mungon çdo akt sipas shkronjës “b”, të pikës 3, të këtij vendimi, apo sipas  legjislacionit në fuqi në fushën e planifikimit, zhvillimit, mbrojtjes së  territorit e disiplinimit të punimeve në ndërtim.
 
Gjatë periudhës së pezullimit të punimeve në ndërtim, subjekti ndërtues është i detyruar të ndërpresë punimet në objekt dhe inspektorati vendor përkatës është përgjegjës për zbatimin e këtij vendimi. 
Në rastet kur vendimi merret nga IKMT-ja, ky i dërgon, brenda 5 (pesë) ditëve, vendimin e pezullimit inspektoratit vendor, i cili e zbaton atë brenda 5 (pesë) ditëve nga data e marrjes së tij. 
Vendimi i pezullimit të punimeve në ndërtim shoqërohet me vendimin për dënim me gjobë, sipas parashikimeve ligjore, si dhe, kur është rasti, me kallëzimin penal apo kërkesën për heqje të licencës subjektit kundërvajtës. 
Vendimi i pezullimit të punimeve në ndërtim mbahet sipas formës së parashikuar në aneksin shoqërues të vendimit.
 
6. Vendimi i dënimit me gjobë merret në përputhje me legjislacionin në fuqi në fushën e planifikimit, zhvillimit, mbrojtjes së territorit e disiplinimit të punimeve në ndërtim dhe nuk pengon marrjen e një vendimi të dytë për pezullimin e punimeve në ndërtim apo të vendimit për prishjen e ndërtimit të kundërligjshëm.
    Vendimi i dënimit me gjobë mbahet sipas formës së parashikuar në aneksin shoqërues të vendimit.
 
7. Vendimi për prishjen e ndërtimit të kundërligjshëm merret në përputhje me legjislacionin në fuqi në fushën e planifikimit, zhvillimit, mbrojtjes së territorit, si dhe në të gjitha rastet kur nuk respektohet vendimi i pezullimit të punimeve në ndërtim, nuk plotësohet dokumentacioni, teknik e ligjor dhe kur ka parregullsi në zbatimin e punimeve në objekt, brenda afatit kohor të parashikuar në vendimin përkatës.
    Vendimi për prishje shoqërohet me vendimet e dënimit me gjobë dhe për kundërvajtësin përgatitet kallëzimi penal, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
    Vendimi për prishjen e ndërtimit të kundërligjshëm mbahet sipas formës së parashikuar në aneksin shoqërues të vendimit.
 
8. IKMT-ja, në mbështetje të nenit 9, të ligjit nr.9780, datë 16.7.2007, “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme”, të ndryshuar, ushtron përgjegjësitë e veta në nivel njësie vendore drejtpërdrejt dhe pa asnjë kufizim për ndërtimet/punimet që lidhen me çështje, zona ose objekte me rëndësi kombëtare dhe në territor. 
 
Zonat dhe objektet me rëndësi kombëtare dhe në territor, në kuptim të ligjit, janë zonat që kanë përparësi zhvillimin e turizmit, monumentet e kulturës, qendrat historike, parqet dhe zonat arkeologjike, pyjet dhe zonat e mbrojtura natyrore, monumentet natyrore, përfshirë zonat me karakteristika unike gjeografike, zonat me rrezik natyror, rrjetet ekologjike, burimet minerare e natyrore e rrjetet, komplekset dhe parqet industriale, rrugët kombëtare, linjat hekurudhore dhe infrastruktura ndihmëse, instalimet e infrastrukturës kombëtare, sektori i energjisë dhe komunikimit elektronik, aeroportet, portet e rrugët detare, zhvillimet në zonat ushtarake, vija bregdetare, brigjet dhe burimet ujore, lagunat, lumenjtë, liqenet, digat e dambat, tokat bujqësore, spitalet publike, objektet dhe terrenet sportive, si dhe ato të përcaktuara me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit e me akte nënligjore ose ligje të tjera. 
    IKMT-ja, në mbështetje të nenit 9/1, të ligjit nr.9780, datë 16.7.2007, “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme”, të ndryshuar, ushtron përgjegjësitë e veta në nivel njësie vendore që nuk përfshihen në çështje, zona ose objekte me rëndësi kombëtare dhe në territor, kur plotësohen kushtet e përcaktuara në nenin e sipërpërmendur. 
    Inspektorët e IKMT-së kanë të drejtë të hyjnë e të ushtrojnë kontroll në mjediset, ku kryhet/en ndërtimi/et, në përputhje me nenin 12, të ligjit nr.9780, datë 16.7.2007, “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme”, të ndryshuar.
    Në këtë rast, këta inspektorë e ushtrojnë kontrollin e territorit në fushën e planifikimit, zhvillimit, mbrojtjes së territorit e disiplinimit të punimeve në ndërtim, në përputhje me procedurën e unifikuar në pikën 1, të këtij vendimi.
    Informacioni/dokumentacioni i nevojshëm për ushtrimin e kontrollit nga inspektorët e IKMT-së merret si nga subjekti i inspektuar dhe/ose pranë autoritetit vendor/kombëtar të planifikimit, të cilat duhet të krijojnë të gjitha lehtësitë për dhënien e informacionit/dokumentacionit. 
    
    IKMT-ja realizon kontrolle nëpërmjet:
 
a) një grupi inspektimi, i cili ka në përbërje jo më pak se dy inspektorë;
b) një grupi inspektimi të përbashkët, i cili ka në përbërje një inspektor të IKMT-së dhe një inspektor të inspektoratit të njësisë vendore sipas rastit;
c) një grupi inspektimi të përbashkët, i cili ka në përbërje inspektorë të IKMT-së dhe një specialist të ministrive/institucioneve publike, përgjegjëse për inspektimin, sipas kompetencave përkatëse.
 
Objekti i kontrollit të ushtruar nga inspektorët e IKMT-së, sipas paragrafit të parë, të kësaj pike, është i unifikuar me parashikimet e pikave 2 e 3, të këtij vendimi.
Përmbajtja e procesverbalit të kontrollit, procedura e njoftimit të subjektit të inspektuar dhe afati i nxjerrjes së vendimit kryhen sipas parashikimeve të pikës 4, të këtij vendimi.
Vendimet e pezullimit të punimeve në ndërtim, vendimet e dënimit me gjobë dhe vendimet për prishjen e ndërtimit të kundërligjshëm merren në përputhje me parashikimet e pikave 5, 6 e 8, të këtij vendimi.
 
9. Inspektorët e IKMT-së, në mbështetje të shkronjës “b”, të nenit 9, të ligjit nr.9780, datë 16.7.2007, “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme”, të ndryshuar, ushtrojnë kontrollin e zbatimit të këtij ligji nga kryeinspektorët/inspektorët e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të njësisë vendore.
    Gjatë ushtrimit të këtij kontrolli inspektorët e IKMT-së marrin masat dhe vendimet e parashikuara në ligjin nr.9780, datë 16.7.2007, “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme”, të ndryshuar. 
    Informacioni/dokumentacioni i nevojshëm për kontrollin e kryeinspektorëve/inspektorëve të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit pranë njësive vendore merret pranë këtij inspektorati, si dhe pranë  autoritetit të planifikimit së njësisë vendore, të cilat duhet të krijojnë të gjitha lehtësitë për dhënien e informacionit/dokumentacionit në fushën e planifikimit, zhvillimit, mbrojtjes së territorit e të disiplinimit të punimeve në ndërtim.
    Inspektorët e IKMT-së, në mbështetje të dokumentacionit të paraqitur dhe në prani të inspektorëve vendorë, kur kërkohen nga IKMT-ja, verifikojnë në objekt dhe mbajnë procesverbal, ku pasqyrohen shkeljet e vëna re, si dhe marrin vendimet përkatëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
 
10. Kryeinspektori/inspektorët e IKMT-së ushtrojnë përgjegjësitë dhe detyrat e parashikuara në nenet 9, shkronja “c”, dhe 9/2, të ligjit nr.9780, datë 16.7.2007, “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme”, të ndryshuar, në fushën e  menaxhimit të integruar të burimeve ujore dhe marrin masat përkatëse, sipas dispozitave ligjore në fuqi.
 
      Në këtë rast këta inspektorë e ushtrojnë kontrollin në fushën e menaxhimit të integruar të burimeve ujore, në përputhje me procedurën e përcaktuar në nenin 12, të ligjit nr.9780, datë 16.7.2007, “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme”, të ndryshuar, si dhe me dispozitat ligjore në fushën e menaxhimit të integruar të burimeve ujore.
      IKMT-ja realizon kontrolle nëpërmjet:
 
a) një grupi inspektimi, i cili ka në përbërje jo më pak se dy inspektorë;
b) një grupi inspektimi të përbashkët, i cili ka në përbërje inspektorë të IKMT-së dhe inspektorë të Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve, dhe/ose të organeve të tjera në varësi të Ministrisë së Mjedisit.
 
      Në çdo kontroll, inspektorët e IKMT-së, në bashkëpunim me specialistët e autoriteteve të ujit, mbajnë procesverbalet për situatën e kontrolluar, ku pasqyrojnë mangësitë dhe detyrat për subjektin e kontrolluar, duke zbatuar, njëkohësisht, edhe procedurat ligjore përkatëse.
      Vendimet në fushën e menaxhimit të integruar të burimeve ujore merren në përputhje me dispozitat e ligjit nr.111/2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, dhe me legjislacionin në fuqi.
 
11. Kryeinspektori/inspektorët e IKMT-së ushtrojnë përgjegjësitë dhe detyrat e parashikuara në shkronjën “ç”, të nenit 9, të ligjit nr.9780, datë 16.7.2007, “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme”, të ndryshuar, në fushën e produkteve të ndërtimit.
      Në këtë rast këta inspektorë e ushtrojnë kontrollin në fushën e produkteve të ndërtimit, në përputhje me procedurën e përcaktuar në nenin 12, të ligjit nr.9780, datë 16.7.2007, “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme”, të ndryshuar, si dhe me dispozitat ligjore në fuqi.
      IKMT -ja realizon kontrolle nëpërmjet:
 
a) një grupi inspektimi, i cili ka në përbërje jo më pak se dy inspektorë;
b) një grupi inspektimi të përbashkët, i cili ka në përbërje inspektorë të IKMT-së dhe, sipas rastit, specialistë për materialet e produktet e ndërtimit.
 
Në çdo kontroll, inspektorët e IKMT -së mbajnë procesverbal për situatën e kontrolluar, ku pasqyrojnë mangësitë dhe detyrat për subjektin e kontrolluar, duke zbatuar, njëkohësisht, edhe procedurat ligjore përkatëse.
Vendimet në fushën e materialeve e të produkteve të ndërtimit merren në përputhje me ligjin nr.9290, datë 7.10.2004, “Për produktet e ndërtimit”, të ndryshuar, dhe me legjislacionin në fuqi.
 
12. Kur inspektorët e IKMT-së kryejnë inspektime sipas pikave 8 e 9, të këtij vendimi, IKMT-ja nuk është i detyruar të kryejë asnjëlloj njoftimi paraprak pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të njësisë vendore dhe autoritetit të planifkimit të njësive vendore, objekt i kontrollit.
      Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit të njësisë vendore dhe autoriteti i planifkimit pranë njësisë vendore, gjatë ushtrimit të kontrollit të parashikuar në pikat 8 e 9, të këtij vendimi, janë të detyruar të krijojnë të gjitha lehtësitë për verifikimin e dokumentacionit të nevojshëm, si dhe të japin të gjitha shpjegimet përkatëse.
 
13. Kur gjatë kontrollit të ushtruar sipas pikës 8, të këtij vendimi, inspektorët e IKMT-së vërejnë shkelje në fushën e planifikimit, zhvillimit, mbrojtjes së territorit e të disiplinimit të punimeve në ndërtim/zhvillim në territor, marrin vendimin e pezullimit të punimeve, sipas pikës 5, të këtij vendimi, dhe  njoftojnë, zyrtarisht, Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit të njësisë vendore.
Në njoftim duhet të përcaktohen adresa e objektit, që ndërtohet/zhvillohet, shkeljet ligjore në fushën e planifikimit, zhvillimit, mbrojtjes së territorit e disiplinimit të punimeve në ndërtim, vendimet dhe sanksionet që duhen marrë, në përputhje me legjislacionin në fuqi, si dhe afatet për marrjen e vendimeve përkatëse nga Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit të njësisë vendore, të cilat nuk duhet të kalojnë 15 ditë nga data e njoftimit dhe të njoftohet menjëherë IKMT-ja për vendimin e marrë.
      Në rast se pas mbarimit të afatit 15-ditor inspektorët e IKMT-së vërejnë se asnjë vendim nuk është marrë nga Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit të njësisë vendore, atëherë IKMT-ja brenda afatit 10-ditor merr vendimin përkatës.
      Kur vendimet e marra nga Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit të njësisë vendore nuk janë në përputhje me legjislacionin në fuqi në fushën  e planifikimit, zhvillimit, mbrojtjes së territorit e disiplinimit të punimeve në ndërtim ose me vendimet e parashikuara në njoftimin e dërguar nga IKMT-ja, atëherë ky i fundit, pa kryer asnjë lloj njoftimi paraprak, merr vendimin përkatës, siguron ekzekutimin e tij dhe kryen procedurat ligjore për dënimin administrativ ose penal të kryeinspektorëve/inspektorëve përgjegjës. Në këtë rast, shpenzimet e ekzekutimit të vendimeve rëndojnë mbi inspektoratin ndërtimor e urbanistik vendor.
 
14. Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit të njësisë vendore është i detyruar të njoftojë IKMT-në për çdo vendim të marrë për ndërtimet në zonat dhe objektet me rëndësi kombëtare, të përkufizuara nga legjislacioni në fuqi, brenda 5 (pesë) ditëve nga data e marrjes së vendimit. IKMT-ja, nga data e njoftimit të parashikuar më sipër, vlerëson se:
 
a) ekzekutimi i vendimit duhet të kryhet vetëm nga IKMT-ja, për mbrojtjen e objekteve dhe zonave me rëndësi kombëtare;
b) ekzekutimi i vendimit duhet të kryhet nga Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit të njësisë vendore në bashkëpunim me IKMT-në;
c) ekzekutimi i vendimit duhet të kryhet vetën nga Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit të njësisë vendore.
 
Pas shqyrtimit, IKMT-ja njofton, brenda 5 (pesë) ditëve nga data e marrjes së njoftimit, Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit të njësisë vendore për vlerësimin e bërë sipas paragrafit të dytë të kësaj pike.
Kur gjatë ushtrimit të kontrollit në fushën e planifikimit, zhvillimit, mbrojtjes së territorit e disiplinimit të punimeve në ndërtim, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit të njësisë vendore vëren shkelje në fushën e rezervave ujore dhe të produkteve të ndërtimit, njofton menjëherë IKMT-në për të verifikuar dhe për të marrë vendimin përkatës.
 
15. Gjobat e vendosura nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit përbëjnë titull ekzekutiv dhe ekzekutohen nga shërbimi përmbarimor në Republikën e Shqipërisë.
      Institucionet e mëposhtme, kur vërejnë shkelje, duhet të lajmërojnë menjëherë Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit:
 
⦁ Institucionet e varësisë pranë Ministrisë së Mjedisit, Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, gjatë ushtrimit të përgjegjësive e të detyrave të tyre, të parashikuara nga legjislacioni në fuqi, vërejnë shkelje në fushën e planifikimit, zhvillimit, mbrojtjes së territorit e disiplinimit të punimeve në ndërtim në zonat dhe objektet me rëndësi kombëtare, si zonat e mbrojtura mjedisore, monumentet e natyrës, të menaxhimit të integruar të burimeve ujore, si dhe në zonat rurale apo jashtë tyre janë të detyruara të informojnë menjëherë Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.
⦁ Instituti i Monumenteve të Kulturës (IMK), Agjencia e Shërbimit Arkeologjik (ASHA) dhe institucionet e tjera të varësisë pranë Ministrisë së Kulturës, gjatë ushtrimit të përgjegjësive dhe detyrave të tyre të parashikuara nga legjislacioni në fuqi, vërejnë shkelje në fushën e planifikimit, zhvillimit, mbrojtjes së territorit e disiplinimit të punimeve në ndërtim në zonat dhe objektet me rëndësi kombëtare, si objektet me vlera të trashëgimisë kulturore/historike dhe arkeologjike, si dhe jashtë tyre, janë të detyruara të informojnë, menjëherë, Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.
⦁ Ministria e Zhvillimit Urban, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, si dhe Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës dhe institucionet e varësisë janë të detyruara të informojnë, menjëherë, Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, kur gjatë ushtrimit të përgjegjësive e të detyrave të tyre, të parashikuara nga legjislacioni në fuqi, vërejnë shkelje në fushën e planifikimit, zhvillimit, mbrojtjes së  territorit e disiplinimit të punimeve në ndërtim në zonat dhe objektet me rëndësi kombëtare si dhe jashtë tyre, si rrugët kombëtare, aeroportet, aerodromet dhe fushat e ulje-ngritjeve të avionëve, linjat hekurudhore dhe instalimet e infrastrukturës kombëtare, si dhe produktet e ndërtimit.
⦁ Ministria e Energjisë dhe Industrisë dhe institucionet e varësisë janë të detyruara të informojnë menjëherë Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, kur, gjatë ushtrimit të përgjegjësive dhe detyrave të tyre, të parashikuara nga legjislacioni në fuqi, vërejnë shkelje në fushën e planifikimit, zhvillimit, mbrojtjes së  territorit e disiplinimit të punimeve në ndërtim për ndërtimet pranë digave dhe infrastrukturës energjetike.
⦁ Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe institucionet e varësisë janë të detyruara të informojnë, menjëherë, Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, kur, gjatë ushtrimit të përgjegjësive e të detyrave të tyre, të parashikuara nga legjislacioni në fuqi, vërejnë shkelje në fushën e planifikimit, zhvillimit, mbrojtjes së territorit e disiplinimit të punimeve në ndërtim për ndërtimet në objektet e infrastrukturës arsimore si dhe pranë tyre.
⦁ Specialistët e Komitetit Kombëtar të Digave të Mëdha dhe Inspektoratit Teknik të Digave janë të detyruar të informojnë, menjëherë, Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, kur gjatë ushtrimit të përgjegjësive e të detyrave të tyre, të parashikuara nga legjislacioni në fuqi, vërejnë shkelje në fushën e planifikimit, zhvillimit, mbrojtjes së territorit e disiplinimit të punimeve në ndërtim të digave/dambave.
⦁ Ministritë e tjera dhe institucionet e varësisë së tyre janë, gjithashtu, të detyruara të informojnë, menjëherë, Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, kur, gjatë ushtrimit të përgjegjësive e të detyrave të tyre, të parashikuara nga legjislacioni në fuqi, vërejnë shkelje në fushën e planifikimit, zhvillimit, mbrojtjes së territorit e disiplinimit të punimeve në ndërtim, menaxhimit të integruar të burimeve ujore dhe produkteve të ndërtimit.
 
16. IKMT-ja, në mbështetje të këtyre informacioneve, me grup pune të përbashkët me përfaqësues të ministrive/institucioneve publike të sipërpërmendura, verifikon situatën në vend e, në rast se vëren shkelje, zbaton procedurat ligjore në fuqi, si dhe brenda afateve të përcaktuara në ligj është i detyruar t’u kthejë përgjigje ministrive/institucioneve përkatëse.
 
17. IKMT-ja përgatit rregulloren e brendshme, të cilën e miraton Ministria e Punëve të Brendshme.
 
18. Formularët bashkëlidhur janë pjesë përbërëse e këtij vendimi me emërtesat përkatëse, si më poshtë vijon:
 
a) Procesverbal për konstatimin e kundërvajtjes;
b) Vendim për prishjen e objektiti të kundërligjshëm;
c) Vendim për pezullimin e punimeve;
 ç) Vendim për dënim me gjobë;
d)   Procesverbal për konstatimin e shpenzimeve të prishjes;
dh)  Vendim për zhdëmtimin e shpenzimeve të prishjes dhe kthimit të truallit në gjendjen e mëparshme;
e) Procesverbal për konsatimin e kundërvajtjes në fushën e mbikëqyrjes së IMT-së dhe planifikimit;
ë) Vendim për dënim me gjobë në fushën e mbikëqyrjes së IMT-së dhe planifikimit;
f)  Procesverbal për sekuestrimin e mjeteve/pajisjeve/materialeve;
g)  Vendim për sekuestrimin e mjeteve/pajisjeve/materialeve.
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
 
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
 
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
 
PËR
 
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.469, DATË 29.6.2011, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PROCEDURËN PËR DHËNIEN E LICENCAVE TË IMPORTIT, EKSPORTIT DHE PRODHIMIT TË LËNDËVE PLASËSE PËR PËRDORIM CIVIL”
 
Në mbështetje të pikës 2, të nenit 100, të Kushtetutës, dhe të pikës 1, të nenit 9, të ligjit nr.9126, datë 29.7.2003, “Për përdorimin civil të lëndëve plasëse, lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrë në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.469, datë 29.6.2011, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:
 
1. Në pikën 5 bëhen këto ndryshime dhe shtesa: 
 
a) Shkronja “d” ndryshohet, me këtë përmbajtje: 
 
“d. Dokumentacionin për përmbushjen e procedurave për vlerësimin e konformitetit të lëndëve plasëse, duke paraqitur një nga modulet e mëposhtme:
 
i. ekzaminimin e tipit EC (moduli B) dhe, sipas zgjedhjes së prodhuesit, njërën prej procedurave të mëposhtme:
1.     konformitetin ndaj tipit (moduli C);
2.     sigurimin e cilësisë së produktit (moduli E);
3.     verifikimin e produktit (moduli F).
4.     vlerësimin e produktit (moduli G);
5.     deklaratën e konformitetit, lëshuar nga prodhuesi.”.
b) Pas shkronjës “h” shtohet shkronja “i”, me këtë përmbajtje: 
 
“i. prononcimin me shkrim, nga ministria përgjegjëse për rendin dhe sigurinë, për besueshmërinë e subjektit për të kryer veprimtari me lëndët plasëse.”.
 
2. Në paragrafin “ii”, të shkronjës “ç”, të pikës 6, fjalët “...Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës...”, zëvendësohen me “...Ministria përgjegjëse për veprimtarinë minerare...”. 
 
3. Në pikën 7 bëhen këto ndryshime dhe shtesa: 
 
a) Shkronja “d” ndryshohet, me  këtë përmbajtje: 
 
“d. Dokumentacionin për përmbushjen e procedurave për vlerësimin e konformitetit të lëndëve plasëse, duke paraqitur një nga modulet e mëposhtme:
 
i. ekzaminimin e tipit EC (moduli B) dhe, sipas zgjedhjes së prodhuesit, njërën prej procedurave të mëposhtme:
1.     konformitetin ndaj tipit (moduli C);
2.     sigurimin e cilësisë së produktit (moduli E);
3.     verifikimin e produktit (moduli F)
4.     vlerësimin e produktit (moduli G),
5.     deklaratën e konformitetit, lëshuar nga prodhuesi.”.
 
b) Pas shkronjës “gj” shtohet shkronja “h”, me këtë përmbajtje: 
 
“h. prononcimin me shkrim, nga ministria përgjegjëse për rendin dhe sigurinë, për besueshmërinë e subjektit për të kryer veprimtari me lëndët plasëse.”.
 
4. Në shkronjat “a”, të pikave 6 dhe 8, fjalët “...60 ditë...” zëvendësohen me “...7 ditë...”.
 
5. Pika 9 ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“9. Subjekti i interesuar, që kërkon të pajiset me licencë për prodhimin e lëndës plasëse për përdorim civil, paraqet në Komisionin e Dhënies së Licencave kërkesën me shkrim, në formë autobiografike, me adresën e saktë dhe dokumentet origjinale ose fotokopjet e noterizuara, si më poshtë:
 
a) ekstraktin e plotë historik nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit;
b) vërtetimin, nga prokuroria, që shoqëria nuk është në procedim penal;
c) lejen për sigurinë dhe mbrojtjen e mjedisit, të tipit “C”, për ambientet e prodhimit dhe magazinimit;
ç) lejen e ndërtimit, shoqëruar me projektin e ndërtimit, për prodhimin e lëndëve plasëse;
d) projektin teknologjik të prodhimit, të miratuar nga një inxhinier projektues i licencuar dhe me eksperiencë në projektimin e linjave teknologjike ose nga një institucion projektimi vendas ose i huaj;
dh) aktin teknik si dhe projektin për mbrojtjen nga zjarri dhe shpëtimin, për mjediset ku do të magazinohet dhe prodhohet lënda plasëse, ku të jenë përcaktuar sistemet e shuarjes nga zjarri, si brenda edhe jashtë ambienteve të prodhimit e magazinimit;
e) kontratën e punësimit me Drejtuesin Teknik, i cili duhet të jetë inxhinier mekanik, kimist ose specialist prodhimi, me përvojë 2 vjet pune në fushën e prodhimit të lëndëve plasëse; 
ë) planin e veprimit si dhe dokumentacionin për kushtet e sigurisë në punë, trajnimin e punonjësve dhe stafit, të miratuar nga Drejtuesi Teknik, i cili  është personi që ka përgjegjësinë ligjore për zbatimin dhe respektimin e rregullores së sigurimit teknik të procesit të prodhimit e magazinimit, si dhe për trajnimin e punonjësve për masat e sigurisë në punë, sigurinë e prodhimit dhe magazinimit;
f) kontratën për ruajtjen e ambienteve të prodhimit dhe magazinimit, me një shoqëri të pajisur me licencë të ruajtjes së sigurisë fizike, ku të jetë parashikuar një plan i detajuar i masave të sigurisë;
g) autorizimin për magazinimin e lëndëve plasëse, lëshuar nga ministria përgjegjëse për rendin dhe sigurinë;
gj) mandatpagesën e tarifës;
h) prononcimin me shkrim, nga ministria përgjegjëse për rendin dhe sigurinë, për besueshmërinë e subjektit për të kryer veprimtari me lëndët plasëse.
 
Subjekti i interesuar, i cili kërkon të pajiset me licencë për prodhimin e lëndës plasëse për përdorim civil, për produktet që kërkon të prodhojë duhet të kryejë, pranë një laboratori të akredituar, procedurat e vlerësimit të konformitetit të artikujve “lëndë plasëse”, duke ndjekur njërën nga procedurat e mëposhtme:
 
a) ekzaminimin e tipit EC (moduli B) dhe, sipas zgjedhjes së prodhuesit, njërën prej procedurave të mëposhtme:
i. konformitetin ndaj tipit (moduli C);
ii. sigurimin e cilësisë së produktit (moduli E);
iii. verifikimin e produktit (moduli F).
b) vlerësimin e produktit (moduli G). 
Për çdo ndryshim që mund të bëjë subjekti gjatë aplikimit apo pas marrjes së licencës, në kushtet dhe kriteret e përcaktuara në këtë vendim, duhet të njoftojë, brenda 10 ditëve pune, Komisionin e Dhënies së Licencave.
 
Subjekti i pajisur me licencë prodhimi lëndësh plasëse për përdorim civil, për dokumentacionin e përcaktuar në këtë nen, i cili lëshohet me afat të caktuar vlefshmërie, ka detyrimin e rinovimit të tij dhe paraqitjen para Komisionit të Dhënies së Licencave brenda 5 ditëve pune, nga data e mbarimit të afatit të vlefshmërisë.”.  
 
6. Pas pikës 9 shtohet pikat 9.1, me këtë përmbajtje:
 
“9.1 Pas plotësimit të kritereve të përgjithshme të licencimit, sipas pikës 9, të këtij vendimi, Komisioni i Dhënies së Licencave, për nevoja të kryerjes së procedurave të vlerësimit të konformitetit, merr vendim për të lejuar subjektin të prodhojë lëndë plasëse për përdorim civil vetëm për nevoja testimi, deri në pajisjen me njërën nga certifikatat e mësipërme të konformitetit nga një laborator i akredituar. ”.
 
  Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion