Ndryshon ligji: Personat me aftësi ndryshe do përfitojnë pagesë nga mbrojtja sociale, edhe nëse janë të punësuar

TIRANE  - “Përveç pagës si të punësuar, personat me aftësi ndryshe do të përfitojnë edhe paketën e plotë të mbrojtjes sociale që i sigurohet nga shteti, përfshirë edhe pagesën e aftësisë së kufizuar, gjatë gjithë kohës, pavarësisht se janë në punë”. Deklarata u bë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, e cila vizitoi një të punësuar me karrige me rrota në sektorin e shërbimit të ADISA në Tiranë.

Ligji i ri i asistencës sociale ka hequr limitin për mbështetjen e personave me aftësi ndryshe që punojnë.

“Jemi këtu me një lajm të mirë për Ilirin dhe të gjithë personat me aftësi të kufizuar që punojnë. Hiqet limiti 48 mujor i pagesës së aftësisë së kufizuar për personat e punësuar, duke nxitur punësimin dhe integrimin e kësaj kategorie përmes punësimit, pasi ata do ta përfitojnë paketën e plotë të mbrojtjes sociale, gjatë gjithë kohës”, tha Manastirliu.

Deri tani, personat me aftësi ndryshe e merrnin pagesën e aftësisë së kufizuar edhe 4 vite pas punësimit, ndërsa me ligjin e ri, e marrin përfitimin pa ndërprerje.

Manastirliu deklaroi gjithashtu se ligji i ri i Asistencës Sociale zgjeron mbrojtjen për kategoritë në nevojë.

“Të gjithë ata persona që përjashtoheshin nga ligji i sigurimeve shoqërore, persona me aftësi të kufizuar që nuk e përfitonin KMCAP për shkak se nuk kishin një vit të siguruar në 5 vitet e fundit, tashmë bëhen pjesë e skemës së mbrojtjes sociale, duke u përfshirë në ligjin e ri të asistencës sociale”, tha Manastirliu.

Ligji i ri i asistencës sociale parashikon përcaktimin e të drejtës së përfitimit të pagesave të personave me aftësi të kufizuar dhe të së drejtës së përfitimit të një ndihmësi personal duke zgjeruar gamën e përfituesve dhe duke përfshirë në skemë rreth 4000 persona, të cilët më parë nuk mund të përfitonin nga skema e sigurimeve shoqërore për shkak se nuk plotësonin kushtin e të paturit 12 muaj kontribute në skemën e sigurimeve shoqërore në 5 vitet e fundit.

Ligji i ri i miratuar nga Kuvendi pak ditë më parë, parashikon shtrirjen progresive të një sistemi të ri të vlerësimit të aftësisë së kufizuar bio-psiko-social, bazuar në Konventën e OKB për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar, standardet ndërkombëtare të OBSH dhe Klasifikimin Ndërkombëtar të Funksioneve.  Ligji parashikon edhe thjeshtim të procedurave të panevojshme për përfitimin e pagesave të aftësisë së kufizuar, heqjen e vendimmarrjes së Këshillit Bashkiak dhe dhënien e këtij përfitimi menjëherë, bazuar në komisionin e vlerësimit.

Nga skema e mbrojtjes sociale përfitojnë mbi 165 mijë persona me aftësi të kufizuar dhe invalidë pune.

G.M./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Këngëtarja Parashqevi Simaku komunikon me djalin dhe ish-bashkëshortin

Këngëtarja Parashqevi Simaku komunikon me djalin dhe ish-bashkëshortin