Kontrolli teknik i mjetit do të jetë i detyrueshëm edhe në rast të ndryshimit të pronarit, pavarësisht nga data e kontrollit të fundit. Ky parashikim përfshihet në një udhëzim të ri të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, i cili është publikuar në Fletoren Zyrtare.

Sipas udhëzimit, çdo mjet duhet t’i nënshtrohet kontrollit teknik pas transferimit të pronësisë, si dhe në rast se ka përshkuar 160 mijë kilometra, edhe nëse nuk ka ardhur ende afati i zakonshëm i kontrollit periodik.

Udhëzimi i mëparshëm i linte autoritetit kompetent të drejtën të kërkonte kontroll teknik përpara afatit vetëm në raste të veçanta, si aksidentet që prekin komponentët kryesorë të sigurisë — rrotat, sistemi i drejtimit, frenat, suspensoni, zonat e deformimit apo sistemet airbag — si dhe kur kryheshin modifikime në sistemet e sigurisë ose të mbrojtjes së mjedisit, apo kur konstatohej rrezik për sigurinë rrugore.

Me hyrjen në fuqi të udhëzimit të ri, detyrimi për kontroll teknik shtrihet edhe në rastet e ndryshimit të pronarit, duke synuar rritjen e sigurisë dhe transparencës në tregun e automjeteve.

Gjithashtu, udhëzimi parashikon përdorimin e platformave elektronike të Bashkimit Evropian për shkëmbimin e informacionit mbi certifikatat e kontrollit teknik, leximin e odometrit dhe historikun e aksidenteve. Ky sistem synon të përmirësojë monitorimin dhe transparencën për inspektorët, pronarët e mjeteve dhe ekspertët e sigurisë rrugore.