Më shumë mbetje u prodhuan vjet në Shqipëri. Çdo banor prodhoi mesatarisht 383 kilogramë mbetje ose gati 23 kilogramë më shumë se në 2024-ën.
Referuar të dhënave të INSTAT, në total vitin e kaluar u menaxhuan gjithsej 900.782 tonë mbetje ose 38,541 tonë më shumë se në 2024-ën, pra me rritje prej 4.5%. Ndikim në shtimin e mbetjeve ka dhënë edhe bumi turistik i vitit të shkuar, që u shoqërua me konsum më të lartë.
Janë mbetjet familjare dhe të ngjashme me to ato të cilat zënë peshën më të madhe me gati 802 mijë tonë, dhe më pas janë mbetjet plastike, kartoni e letre dhe më pas mbetjet inerte. Edhe pse volumi i mbetjeve të prodhuara po rritet vit pas viti, menaxhimi i tyre po bëhet me të njëjtat kapacitetet dhe me të njëjtën metodologji, ku depozitimi në landfille mbetet ‘shpëtim’.
E përkthyer në shifra 76.8% e mbetjeve u depozituan në landfille, 18 % u ricikluan dhe 5% u dogjën për energji, pikë ku përfshihet procesi i incenerimit. Këto shifra tregojnë impaktin tejet të ulët të inceneratorëve në pastrimin e vendit.
Për të përmirësuar menaxhimin e mbetjeve, në përputhje edhe me standardet e BE-së, qeveria po vë në zbatim ligjin e ri të “Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve” ku piramida e menaxhimit nisë nga parandalimi, ripërdorimi, riciklimi, rikuperimi dhe më pas trajtimi përfundimtar. Pra prioriteti do të jetë te riciklimi i tyre, me qëllim përfitimin edhe prej mbetjeve, për të arritur ekonominë qarkulluese.
Kapitulli 27 ‘Mjedisi’ mbetet sfida kryesore për qeverinë edhe në rrugën e integrimit në BE, jo vetëm për pastrimin e territorit por edhe për paratë që duhen shpenzuar për këtë qëllim.
Komente









