Në 95-vjetor botohet “ Zadeja” i plotë, Tole: Krijimtaria e tij s’kishte të bënte me ideologjinë komuniste! Pse u survejua nga regjimi e qëndrimi që mbajti me kolegët

TIRANË- Nga Shkodra ku ai lindi në 8 qershor të 95-viteve më parë, e deri në ditën e fundit të jetës në ’97-ën që pasoi nga jehona e mirë,  Vaso Tole e sjell “Çesk Zadenë në muzikën shqiptare” të plotë me jetën e veprën e tij...

“Përfshihet gjithçka. Është një biografi klasike e llojit, ku gërshetohen në mënyrë të harmonishme, informacionet dhe dokumentet sa i përket dhe jetës personale të kompozitorit, familjare, shoqërore etj., me kontributet  e tij artistike”, thotë akademiku Vasil Tole.

Libri i përuruar në Akademinë e Shkencave përmban në dy kapituj të gjitha veprat e Zadesë të kataloguara, analiza të tyre si dhe biografinë e plotë.

“Çesk Zadeja kuptoi që të ngelej në historinë e muzikës, jo vetëm shqiptare por edhe më gjerë, duhet të ndërtonte gjuhën e tij të përveçme muzikore, dhe e bëri duke krijuar atë që ne e quajmë shkolla kombëtare në muzikë, pra, duke shfrytëzuar  rrënjët etnike të muzikës popullore për të ndërtuar gjuhën e tij të përveçme individuale. Libri i fokusohet kësaj çështje në mënyrë të veçantë”, thotë Tole.

I shkolluar në Bashkimin Sovjetik me profesorët më të mirë, sipas Toles,  krijimaria e tij nuk preket nga skemat komuniste.

“Pra shikohet si ja doli ky krijues i shquar që të ndërtonte një gjuhë muzikore që nuk kishte të bënte me ideologjinë, por ishte një gjuhë muzikore  e cila i reziston kohës dhe është një model dhe për sot apo parimet e shkollës kombëtare në muzikë që Çesk Zadeja i legjitimoi në një dokument që ai botoi me një titull “Vetëparja e Procesit”, shton ai.

E megjithatë, mes artistëve të tjerë të “Operas” edhe për  kompozitorin, që muzikologu e veçon si babain e muzikës shqiptare, Sigurimi hapi dosjen 2b për ta survejuar...

“Më shumë ka ndikuar paragjykimi që ai vinte prej Shkodrës, prej një marrëdhënie farefisnie me Dom Ndre Zadejën i cili është një autoritet i rëndësishëm i muzikës shqiptare, sepse falë teksteve të tij janë muzikuar dramat e kompozuara nga Mikel Koliqi. Por edhe për faktin e origjinës së familjes së tij, pavarësisht se Çesku  në të ri të vet ishte pjesë e rinisë Antifashiste siç qe gjithë rinia shqiptare, kishin paragjykime, të cilat lidheshin me faktin se ai ishte një krijues i përveçëm”, thotë akademiku.

Ndërsa, sipas akademikut, në figurën e Zadesë, nuk ka vend për dritëhije sa i përket raportit me kolegët apo kompromiseve me regjimin.

“Nuk ka asnjë kompozitor të muzikës profesioniste shqiptare të burgosur gjatë asaj periudhe, flas gjithmonë për krijimtarinë e kultivuar, që të jetë burgosur në atë kohë.  Nuk ka asnjë dokument të Çesk Zadesë, i cili anatemon apo kundërshton kolegët e vet, përkundrazi. Çesk Zadeja gjithçka ka pasur i ka bërë publike, fakti më kokëforte për rolin e tij pozitiv në këtë çështje është që nuk ka asnjë vepër të muzikës shqiptare të asaj periudhe, të kompozuar në atë periudhë, e cila ka ngelur pa u interpretuar. Mund të mos jetë luajtur për herë të dytë por për herë të parë gjithmonë është luajtur”, thotë  Tole.

Në datën e tij të lindjes e në kuadër të Vitit të Zadesë, do të mbahet mbrëmjen e sotme edhe koncerti një koncert monografik në orën 19.30 në Universitetin e Arteve.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Plagosja e 50-vjeçarit shqiptar në Greqi, zbulohet dëshmia e shitëses: Thirri për ndihmë, i dilte shumë gjak dhe i vura një peshqir!

Plagosja e 50-vjeçarit shqiptar në Greqi, zbulohet dëshmia e shitëses: Thirri për ndihmë, i dilte shumë gjak dhe i vura një peshqir!