33-vjeçari Mateos Pashaj, banues në Patos, ka njoftuar Policinë se i është dëmtuar porta e banesës me tritol. Sipas burimeve të Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:30 të mëngjesit të sotëm. Në vendngjarje është dëgjuar një shpërthim që dyshohet se ka qenë lëndë plasëse. Grupi hetimor ka kryer veprimet e para dhe po punon për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e kapjen e autorëve.

Mateos Pashaj aktualisht është nën masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’ për veprën penale ‘goditje për shkak të detyrës’, pasi në mars të vitit të kaluar, sëbashku me 3 persona të tjerë kanë dhunuar një punonjës të Policisë së Burgjeve.

Ndërkohë, ai ka qenë edhe autor i një vrasjeje të ndodhur në vitin 2010, ndaj dyshohet që një nga pistat e hetimit të jetë hakmarrja. Po sipas të njëjtave burime, në kohën kur ka kryer vrasjen, Pashaj ka qenë i mitur, 17 vjeç.

Njoftimi i Policisë:

Patos/Informacion paraprak-Më datë 16.11.2026, rreth orës 05:05, shtetasi M. P., 33 vjeç, banues në Patos (me masë sigurie “Arrest në shtëpi”), ka njoftuar sallën operative se i është dëmtuar porta e rrethimit të banesës, dyshohet me lëndë plasëse.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.