Policia është rikthyer për kontroll në banesën e Valter Bamit, të arrestuar pas atentatit në oborrin e shtëpisë së Gentian Bejtjas mesnatën e 4 korrikut, ku u ekzekutua kunati Ramazan Sino dhe u plagosën dy djemtë e tij të mitur, 10 dhe 13 vjeç.
Sipas procesverbalit, herën e parë në banesë nuk u gjetën sende të paligjshme, përfshirë dhe armën sportive të cilën Valter Bami pretendoi se e kishte.
Gjatë seancës ku gjykata e Tiranës vendosi ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”, avokati pretendoi se klienti i tij ka një armë sportive me leje.
Report Tv mëson se në ditët në vijim pritet të bëhet një tjetër kontroll, pasi ti kërkohen informacione të detajuara 37-vjeçarit Valter Bami në paraburgim, për vendin se ku mund të jetë arma që ai pretendon se e mban me leje.
Nëse arma do të gjendet, baruti i saj do të krahasohet me faktorët plotësues që janë gjetur në kyçin e dorës së majtë të Valter Bamit, në momentin e shoqërimit menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në Larushk.
Valter Bami, i arrestuar prej 7 korrikut 2023 ka paraqitur në gjykatë edhe një dokument, përmes së cilit pretendon se armën sportive, e cila cilësohet si alarmuese, e ka me lejen dhe mbanë datën 20 tetor 2020, të lëshuar nga Sistemi i Informatizuar i Menaxhimit të Armëve në Komisariatin e Policisë së Krujës.
Pas shoqërimit në policinë e Krujës herën e parë, por edhe pasi u ndalua për shkak të ekspertizës së barutit, Bami ka mohuar akuzën duke pretenduar se nuk ka lidhje me atentatin që u shkrehën rreth 30 plumba kallashnikovi në oborrin e shtëpisë së Gentian Bejtjas.
Ai pretendon se në atë orë ndodhej në shtëpi bashkë me familjarët. Ndërkohë, policia vazhdon të kërkojë Gentian Bejtjan, për ta marrë në pyetje pasi hetuesit mendojnë se dëshmia e tij do të ndihmonte zbardhjen e ngjarjes
Ish-polici Bejtja i ka shpëtuar më parë dy atentateve të organizuara ndaj tij me lëndë plasëse dhe armë zjarri ndërkohë që ka precedentë penalë në disa qytete, përfshirë edhe vjedhjen e automjetit të përdorur në vrasjen e ish-zyrtarit të Policisë Dritan Lamaj.