Mund të jenë arsye të ndryshme që na shtyjnë si shoqëri të fshehim plagët tona më të rënda. Të refuzojmë të flasim për to, t’i nxjerrim në dritë të diellit për t’i shëruar duke marrë përsipër të gjitha përgjegjësitë. Ne, plagët tona më të rënda i mbulojmë, dhe shpesh edhe i zbukurojmë. Ndoshta është ky problem i madh që kemi me vetveten, që na shtyn të mos i thërrasim shumë fenomene me emrin e vërtetë që kanë.
Preferuam të mos hapnim deri në fund plagën e madhe të diktaturës, për ta parë se nga ç’kalbje njerëzore qe përbërë. Edhe sot e kësaj dite shumë tema të asaj kohe janë tabu’ dhe disa nga ne preferojnë të mos flasin, të mos shohin, të mos tregojnë. 0se edhe më keq, të kthejnë kokën nga ana tjetër, apo të hedhin përsipër sa më shumë gurë që t’i mbulojmë . “Iku ajo kohë, ç’ta hapim më!”.
Tridhjetë vite “demokraci” lejuam të luhej një tjetër teatër i tmerrshëm: Si zombie në liri, quajtëm fajdexhinjtë si model pasurie dhe ekonomie të mbarë, trafikantët i morëm për biznesmenë, tutorëve të së keqes u dhamë në dorë drejtësinë, ndërsa vilat e ish-Bllokut komunist i shumëfishuam nga Tirana, në Lalëz, në Jal e Dhërmi, duke i admiruar, pa i gjykuar se nga kush dhe si u ngritën aty. Nuk na intereson se disa nga ato dhoma janë ngritur nga trafikime fëmijësh, grash e vajzash, droge e armësh, apo, nga famëkeqët thasë të zinj të korrupsionit që me siguri u mbushën me fonde të grabitura për një Shqipëri më të mirë.
Pastaj herë pas here, kur një nënë e re gjendet e vrarë në një kanal, kur një fabrikë shpërthen e vriten dhjetëra të pafajshëm, kur një vajzë i shpëton trafikuesve dhe torturuesve të saj, por jo gjykimit tonë, duket sikur zgjohemi për pak ditë: Bërtasim, shajmë, protestojmë, mallkojmë, për t’u rikthyer në atë gjumin e dëmshëm të ndërgjegjes që në gati 100 vite nuk ua vë njerëzve dhe fenomeneve emrat që ja kanë dhënë faktet dhe e vërteta.
Ndrësa gazetarët përpiqen që të sjellin të vërtetat e ngjarjes tronditëse të Mateos, djaloshi vetëm 8 vjeç i vrarë nga fqinji i tij, le të sjellim në mendje problemet e mëdha që kemi me trajtimin e fëmijëve: Diku i trajtojmë si të mëdhenj, duke ua djegur “me benzinën” e mëndjelehtësisë sonë vitet e çmuara të fëmijërisë (sikur mezi presim që ata të rriten, të bëhen të famshëm, të pasur, e të zotët që të na rregullojnë e të përmirësojnë dështimet tona!) e diku tjetër i braktisim, në emër të një “të ardhmeje më të mirë”.
Më vjen në mendje dokumentari i gazetarit Antonio Çakshiri, ku denoncohej se deri në 2019 në Itali u braktisën 1600 të mitur shqiptarë nga 12 deri në 14 vjeç nga familjet e tyre. Kush nuk e ka dëgjuar këtë gjetje “alla shqiptare”, që duke i lënë fëmijët në rrugët e Europës, kështu shteti përkatës të mendojë për ta, pasi familjet janë “tepër të varfëra” për t’i rritur. Dhe ky hap i tmerrshëm bëhet vetëm me dëshirën egoiste të prindërve që fëmija ose do t’ia dalë e do të bëhet shpresë edhe për ta, ose… Mendojeni vetë fundin.
Pastaj reagimet e të indinjuarve i kapërcejnë linjat e kuqe të njerëzores. Shumë bëhen njësoj të vrazhdë e të këqinj kur kërkojnë hakmarrje primitive, duke nxitur për veprim familjarët e të gjorit fëmijë. E kështu bashkë biem në humnera të së shkuarës primitive, ku në vend që ngjarjet e rënda të na bëhen mësim për përmirësim, hapim të tjera varre e gropa ku fusim problemet tona të pazgjidhura.