Prokuroria për Krime të Rënda ka përfunduar hetimet dhe dërgon për gjykim kancelaren e Gjykatës së Apelit Durrës, Suzana Mandija, e akuzuar për veprën penale të “Korrupsionit pasiv…të funksionarëve të drejtësisë”. E pandehura akuzohet se i ka marrë një shumë parash një shtetasi, me qëllim që të afronte datën e procesit gjyqësor civil, që kishte qytetari në Gjykatën e Apelit në këtë gjykatë. Gjithashtu, Prokuroria për Krime të Rënda, dërgon për gjykim edhe shtetasin Gëzim Shala, i akuzuar për “ushtrim ndikimi të paligjshëm”. Ky shtetas ka ndërhyrë tek e pandehura Mandija për të “ndihmuar” personin që kërkonte shqyrtimin e çështjes së tij në një kohë sa më të shpejtë.

Takimi në lokal
Nga hetimet, ka rezultuar se Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, në vitin 2015 ka referuar pranë Prokurorisë për Krime të Rënda kallëzimin e shtetasit S.T. Kallëzuesi tregon se ka patur një problem për pronën e tij e cila është në emër të vëllait të tij. Kallzuesi ka përfaqësur vëllain e tij në proceset gjyqësore. Për këtë qëllim ka hapur proces gjyqësor në Gjykatën e Shkallës së Parë, Elbasan. Gjykata e pranoi kërkesën dhe vendosi detyrimin e ZVRPP Gramsh për të bërë regjistrimin e parcelës, sipas aktit të marjes së tokës në pronësi. ZVRPP e ka apeluar këtë vendim në Gjykatën e Apelit Durres.

Për rreth një vit nuk ka patur asnjë njoftim për caktimin e datës për zhvillimin e seancës gjyqësore. Është interesuar pranë Gjykatës së Apelit, tek sporteli i kancelares dhe, meqënëse sporteli ishte i mbyllur, është ulur në kafenenë, e cila ndodhet brenda ambjenteve të kësaj gjykate. Aty brenda gjeti një grua rreth 35-40 vjeçe, me gjatësi rreth 165 cm, me flokë të zeza të prera shkurt. Ajo e pyeti si me nxitim se si e ka problemin dhe S.T i ka thënë që ka një çështjë civile, por ka kaluar shumë kohë dhe akoma nuk ka njoftim se kur do të zhvillohet. Ajo mori numrin e Vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Elbasanit dhe shkoi në zyrën e saj. Pas rreth një ore, i thotë se do ta ndihmojë për caktimin e dates, që të jetë sa më afër, por nuk merr dot gjë përsipër për gjyqtarët, duke e lënë të kuptonte se për vendimin e gjyqtarëve duhet të flisnin përsëri.

Pas rreth 2-3 muajsh u caktua data për zhvillimin e seancës gjyqësore. Kur ishte data e gjyqit, shkon përsëri në Gjykatën e Apelit dhe ulet në lokalin që ndodhej brenda ambienteve të gjykatës dhe prapë i njejti kamarier e njofton Zanën se donte ta takonte. Zana vjen dhe ulet në tavolinë e tij, ku S.T e falenderon që i caktoi një datë për gjyqin.

Kthimi i dosjes për rigjykim
Trupi gjykues e rrëzoi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Elbasanit ku ai ishte fitues dhe vendosi që kjo çështje të kthehej edhe një herë për gjykim në shkallën e pare, por të gjykohej nga një gjyqtar tjetër, me pretendimin se Gjykata e Shkallës së Parë e Elbasanit nuk e ka gjykuar drejt çështjen. Çështja u kthye përsëri për gjykim në Elbasan. Kjo çështje zgjati dhe dy vjet të tjera, derisa Gjykata e Shkallës së Parë e Elbasanit të jepte një vendim. Gjykata e Shkallës së Parë i dha përsëri të drejtë paditesit S.T dhe vendosi detyrimin e ZVRPP që ta bënte regjistrimin e parcelës, si dhe plotësoi të gjitha detyrat e lëna nga Gjykata e Apelit Durrës.
Ky vendim është apeluar përsëri në Gjykatën e Apelit të Durrësit nga ana e një personi tjetër si palë e paditur. Pasi kishin kaluar rreth 7-8 muaj, akoma nuk i ishte caktuar një datë për zhvillimin e gjyqit. Kallëzuesi ka shkuar në Durrës tek Gjykata e Apelit për t’u interesuar për datën e gjyqit. Tek sporteli ishte një vajzë tjetër, të cilës i shpjegoi pse kishte ardhur. Ajo gjithashtu i sugjeroi që të takohej me kancelaren për të caktuar një datë sa më të shpejtë për zhvillimin e gjyqit. E pyet se kush ishte kancelarja dhe i thotë se quhej Zana, pra ishte ajo që ka qënë më përpara.

Marëveshja me oficerin
Në lidhje me sa është parashtruar në kallzim, shtetasi S.T. ka pranuar, me anë të marrëveshjes së nënshkruar me oficerin e policisë gjyqësore, për të aplikuar përdorimin e metodave speciale te hetimit. Në vijim të hetimit, rezultoi se e pandehura, gjatë ushtrimit të detyrës funksionale që ka, përkundrejt shpërblimit të padrejtë në para, ka ndërhyrë në procesin administrativ të shortit të çështjeve, duke favorizuar kallzuesin S.T. Ndërsa i pandehuri Gëzim Shala, me veprimet e tij, i ka kërkuar kallzuesit S.T. një përfitim të paligjshëm, duke i premtuar ndërhyrjen te kancelarja e gjykatës së Apelit Durrës me qëllim për të ndihmuar kallzuesin në procedurën e shortit të çështjes civile.
Pas regjistrimit të bisedës, kancelarja u arrestua.
 
Tek sporteli
Tek sporteli ishte një vajzë tjetër, të cilës i shpjegoi pse kishte ardhur. Ajo gjithashtu i sugjeroi që të takohej me kancelaren për të caktuar një datë sa më të shpejtë për zhvillimin e gjyqit. E pyet se kush ishte kancelarja dhe i thotë se quhej Zana, pra është ajo që ka qënë më përpara.
Për gjyqtarët
Ajo mori numrin e Vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Elbasanit dhe shkoi në zyrën e saj. Pas rreth një ore, ajo i thotë se do ta ndihmojë për caktimin e datës që të jetë sa më afër por nuk merr dot gjë përsipër për gjyqtarët.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)