36-vjeçari shqiptar Armando Ndreu, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje në tentativë, është arrestuar në Spanjë.

Ndreu do të ekstradohet drejt Shqipërisë pasi Gjykata e Shkodrës i ka caktuar masën e arrestit në burg pasi në mars 2022, qëlloi me automatik në drejtim të një furre buke në pronësi të Sades Salës, në lagjen “Skënderbeg”, por shkaktoi vetëm dëme materiale.

Ndreu doli nga automjeti i tij tip 'Golf', qëlloi me automatik dhe më pas u largua në këmbë, duke e lënë makinën aty. Pasi ai ndaloi breshërinë, Sala iu përgjigj duke qëlluar 3 herë drejt makinës së tij.

Mes tyre ka pasur një konflikt për një vajzë. Para se të ndodhte përplasja me armë, të dy ishin përleshur fizikisht në një lokal aty pranë. Rreth dy muaj pas ngjarjes, në maj, u arrestua edhe pronari i furrës së bukës, Sadet Sala.

Njoftimi i Policisë:

Policia e Shtetit/Vijon operacioni ndërkombëtar i koduar “The Wanted”.

Arrestohet në Spanjë, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, një shtetas i akuzuar për vrasje të mbetur në tentativë.

Si rezultat i marrjes së informacionit nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe shkëmbimit në kohë të tij me Interpol Madridin, u finalizua një tjetër fazë e operacionit të koduar “The Ëanted”.

Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua provizorisht në Spanjë, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasi A. N., 36 vjeç, lindur në Shkodër, i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Në vitin 2022, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

36-vjeçari akuzohet se në muajin mars 2022, për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri automatike në drejtim të subjektit në pronësi të shtetasit S. S., në lagjen “Skënderbeg”, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.

Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me Interpol Madridin për të finalizuar procedurën e ekstradimit të 36-vjeçarit në Shqipëri.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë