Policia e Durrësit ka vendosur në pranga 6 persona të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Abdyl Kaçaça, 35 vjeç është dënuar nga Gjykata e Durrësit me 5 vjet e 6 muaj burg, për “Prodhimin dhe shitja e narkotikëve”. Nga dënimi i dhënë para 2 vitesh i kanë ngelur për të vuajtur edhe 2 vjet e 9 muaj burg.
“Si rezultat i kontrolleve dhe punës operative, të kryera me qëllim lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të kërkuar për vepra penale të ndryshme, specialistët e Seksionit për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, në kuadër të operacionit “Ndjekja”, lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga shtetasit:
Abdyl Kaçaça, 35 vjeç, banues në Durrës, të cilin Gjykata e Apelit, në vitin 2024, e ka dënuar me 5 vjet e 6 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Prej dënimit, atij i kanë mbetur për të vuajtur 2 vjet e 9 muaj burgim”, njoftoi sot policia.
27-vjeçari Jorid Muçeku ka për të vuajtur 3 vjet e 4 muaj burg, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
“Jorid Muçeku, 27 vjeç, banues në Durrës, i cili me vendim të formës së prerë të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka për të vuajtur 3 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, thuhet më tej në njoftim.
Një 45 dhe një 35-vjeçar Gjykata e Durrësit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për vjedhje dhe mashtrim
“V. T., 45 vjeç, për të cilin Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja”;
E. S., alias E.H, 35 vjeç, banues në Laç, për veprën penale “Mashtrimi”, informon policia.
Dy të personat e tjerë do të hetohen në gjendje të lirë.
"B. D., 33 vjeç, banues në Kavajë, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, i cili në përfundim të veprimeve është proceduar penalisht në gjendje të lirë.
E. S., 35 vjeç, banues në Durrës, i shpallur në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, për veprën penale “Mashtrimi”, i cili i cili në përfundim të veprimeve është proceduar penalisht në gjendje të lirë. Vijon puna për kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim", përfundon njoftimi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.
Komente











