Një 32-vjeçar nga Malësia e Madhe ka rënë në prangat e policisë. Franko Broqi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, shërbimet operacionale të Sektorit për Kërkimin (FAST Albania), në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, finalizuan një tjetër fazë të operacionit policor të koduar “Fast”.

Si rezultat i veprimeve të mirëkoordinuara operacionale, në fshatin Kosan u bë i mundur lokalizimi, identifikimi, kapja dhe arrestimi provizor, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, i shtetasit F. B., 32 vjeç, banues në fshatin Kosan, Malësi e Madhe.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykatësi për Hetimet Paraprake në Gjykatën e L’Aquila, Itali, i ka nxjerrë urdhër-arrestin për veprat penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike” dhe “Prishje e vulave të vendosura nga autoritetet”, të parashikuara nga Kodi Penal Italian.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.

Lajm në përditësim…