Në kërkim të të riut që u zhduk në Siri, gruaja iu martua me shokun e ngushtë: Plotësova amanetin e tij

TIRANË- La Kosovën 3 javë pasi u martua, niset drejt Shqipërisë me bashkëshorten. 4 ditë më pas Granit Xhaferri përfundon në Siri. Lajmin për vendndodhjen e 26-vjecarit ua solli familjarëve një prej shokëve të tij.

Rrëfehet kjo histori në ''Pa gjurmë'', si e dhjetëra shqiptarëve që kanë përfunduar në kampet siriane, rasti i këtij 26-vjeçari nga Kosova, që telefonatën e fundit e pati me motrën më 6 shtator të vitit 2015. Besimtari i devotshëm i fesë myslimane, Graniti ishte frekuentues i rregullt i xhamisë bashkë me të vëllanë dhe babanë. Ai la fakultetin dhe u martua me Sara Sulejmanin. Nuk dihet me siguri kush i ndihmoi të merrnin vendimin për të ikur në Siri. Për të riun nga Drobeshi i Kosovës, 3 ditë pas telefonatës së fundit më 9 shtator, familjes i erdhi një tjetër mesazh, kësaj here nga e-maili i Granitit, ku thuhej se ai ishte mbytur. Por asgjë nuk u konfirmua pas kësaj.

"Ai na pat thënë që do të ikte në Shqipëri për pushime dhe për të  blerë rroba për gruan. Ne prisnim që ai të kthehej. Ai tha që 10 ditë do vonohej, por nuk po kthehej. Ne gjatë asaj kohe nuk kemi patur asnjë kontakt deri kur arriti në Siri. Graniti kur arriti në Siri kishte kontaktuar me motrën tjetër dhe ajo na lajmëroi ne.  Ai ka patur kontakte me nënën dhe me motrën. Me mua nuk donte të fliste sepse ndihej keq. Me nënën foli njëherë kur i tha se ishte mirë dhe i kishte fikur telefonin, më pas ka kontaktuar vetëm me motrën e tij.Për 2 muaj ai ka patur kontakte me motrën. Në telefonatat e bëra ka treguar që bashkë me gruan kanë mbërritur në Siri, por atje i ndanë. Gruaja e Granitit i ka lajmëruar se ai ishte nisur në Irak pasi ai nuk ka bërë asnjë telefonatë kur ndodhej atje. Ajo merrte në telefon dhe nuk fliste shumë sepse përgjohej dhe se kishte frikë. Sara ka ardhur në Kosovë, e kemi pyetur, por nuk na tregon.

Fillimisht i ka ardhur fotografia motrës, Naxhies, e më pas ka ardhur lajmi që është vrarë djali. Njëherë i kam çuar 1000 euro nuses së tij pasi kemi marr lajmin së është vrarë djali. I kam dërguar me emrin e Sarës. Pas listës që doli me emrat e vrarë në luftë nuk figuronte emri Granitit. Dyshojmë se mund ta kenë dërguar edhe në burg. Ndërkohë një vit më vonë në listë ka dal edhe emri i shokut të Granitit i cili u bë edhe burri i Sarës më pas, pasi shprehet se ashtu ishte amaneti i Granitit. Ai që i ka nisur në Siri është në burg, ka 12 vite dënim", shprehet babai i Granitit, Iliaz Xhaferri. 

Më 27 maj të vitit 2015 Graniti doli nga shtëpia bashkë me të shoqen me destinacion Shqipërinë ku do të qëndronin 4 ditë. Me largimin e tij nga Kosova hije dyshime lindën tek familjarët. Më herët, ai kishte shprehur dëshirën se donte të largohej drejt Sirisë, një fakt të cilin familja nuk e kishte besuar. Pasi dërgoi shokun për të sjell lajmin e largimit të tij në Siri, Graniti bëhet edhe vetë i gjallë. Ai i dërgon një mesazh të motrës ku i konfirmon se ndodhej në Siri. Ai nisi t’i telefonojë rregullisht familjes, ndërsa në Siri njihej si Sefullah Kosova. Në telefonatat që bëri pohonte se: "2 javë kam qëndruar me Sarën, pasi na ndanë. Burrat i dërguan në Irak, ndërsa gratë në Siri. Sarën e kanë martuar me dikë tjetër. Më duhen para, pasi kushtet atje ishin të vështira".

Telefonatën e fundit e bëri me motrën e tij më datë 06.09.2015, ku i tha se ishte i mbikqyrur dhe se nuk kthente dot përgjigjie për pyetjet që ajo bënte. Ai kishte të drejtë të fliste vetëm për fenë. 3 ditë më pas më 09.09.2015 familjes i vjen një mesazh nga e-maili i Granitit ku thuhej se ishte mbytur. Kërkimet u bënë por nuk rezultoi asnjë i vdekur me emrin e tij, që mund të përkonte me atë datë. Edhe pas kërkesës në polici asnjë informacion. Kohë më pas bashkëshortja e Granitit, Sara u martua me shokun e tij, ky i fundit 1 vit më parë humbi jetën në luftë, ndërsa fati i Granitit ende nuk dihet.

"Telefonatën e parë e ka realizuar me mua dhe më ka thënë që ndodhej në Siri. Kemi komunikuar në ËhatsApp nuk më ka treguar përse ka shkuar.Në mbrëmje më ka telefonuar e më ka thënë që jam mirë, bashkë me gruan. As nuk më ka treguar se me kë ka shkuar atje. Nuk më jepte asnjë detaj vëllai, ndërkohë që kam folur edhe me Sarën.

Bashkëshortja na dërgoi një email nga adresa e Granitit ku na thuhej se ai ishte vrarë. Sara na ka konfirmuar që e ka shkruar ajo për të na dhënë lajmin së ishte vrarë në Irak Graniti. Pasi ka ardhur ne Kosovë Sara, e kam takuar dhe më ka thënë vetëm se Graniti është vrarë atje, por nuk jep asnjë detaj tjetër", tha e motra, Naxhije Dalipi.

Sara, bashkëshortja me të cilën u largua, ka 3 muaj që është kthyer në Verban të Kosovës. Ajo është takuar me familjarët e Granitit, por çdo e dhënë nuk është zbuluar nga 24-vjeçarja. Nëna e një vajze 1 vjeç e gjysmë, atësia e së cilës nuk dihet, nuk tregon asgjë. Familjarët nuk dinë të thonë se kush e dërgoi në Siri Granitin, pasi ai ishte një djalë i urtë dhe vazhdonte fakultetin. Ai është një nga 8 fëmijët e familjes që erdhi nga martesa e dytë e Iliaz Xhaferrit.

"Ai u nis për në Shqipëri por nuk ka arritur. Ai ka kaluar nga Prishtina në Turqi, ndërkohë që familja e dinte se ishte në Shqipëri. Graniti u nis me makinë dhe atë ia la shokut të tij të ngushtë, dhe me bashkëshorten u nis drejt Turqisë. Policia ka konfiskuar makinën e gjetur në Prishtinë. Vëllai nuk ka patur rrjete sociale. Kur gjuajti NATO në Irak më 09.09.2015 Graniti ishte në Irak. Lajmin na e ka dhënë Sara, gruaja e Granitit. Graniti në Irak njihej me emrin Sejfullah Kosova. Emri i shokut të Granitit doli pasi fëmija shkoi 2 vjeçe", tha Shaqir Xhaferri, vëllai i Granitit.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Wall Street Journal: Pse Shqipëria duhet të jetë destinacioni i radhës për udhëtarët e zgjuar

Wall Street Journal: Pse Shqipëria duhet të jetë destinacioni i radhës për udhëtarët e zgjuar