Vazhdon të mbetet ende një temë e nxehtë dhe e rëndësishme për gjithë sferën e jetuar të shqiptarëve. Shoqëria e sotme dhe nevojat e individit për të mësuar gjatë gjithë jetës kërkojnë një rol të ri të mësuesit, atë të trajtimit të problemeve psikosociale që lidhen me të nxënit dhe ecurinë e nxënësve në shkollë.

Për një nxënës, figura e mësuesit është aq e rëndësishme sa që vjen një moment kur ajo kthehet në jetike. Një pjesë të madhe të kohës nxënësit e kalojnë në shkollë dhe, çdo gjë që ndodh aty, padyshim, është ngulitur thellë në jetën e tyre, në memorien e tyre. Pra, gjithçka fillon nga ai person që qëndron para tyre çdo ditë, nga mësuesi.

Për figurën e mësuesit shqiptar dhe rëndësinë e madhe e të fuqishme që ai ka në shoqërinë tonë, në emisionin Esencë nga Eljan Tanini në Report Tv, Moderatorja  e njohur Suela Demiri e shprehu hapur ankesën e saj: 

"Ne jemi rritur duke e dashur dhe adhuruar mësuesin. Kemi patur mësues shumë të mirë, familja na nxiste që mësuesi të respektohej, na nxisite që mësuesin ta donim më shumë. Unë e ngre në piedestal figurën e mësuesit, ama pas vitit 2000 e kam hequr nga piedestali përgjithmonë. Sot mësuesit të lënë të zhytesh në kopje. Dikur kishte më shumë dashuri për punën. Vajza ime lodhej në shkollë e kurse, asaj i shkonte një ditë mësimi më shumë se dita ime në punë".

Përkthyesja Albana Nexhipi ishte e drejtpërdrejtë, e cila tha: 

"Figura e mësuesit dikur ishte statike, mësuesi është produkt i kohës së tij. Ishte kohë tjetër. Ne betoheshim dikur për ideal të partisë. Mësuesit dikur nuk kishin as tekste alternative. Figura e mësuesit në atë kohë ka qenë e qepur në atë lloji forme, sa sot nuk dihet ku është qepur dhe shqepur. Sot interneti në Shqipëri ka krijuar probleme në raportin mësues-fëmijë-shkollë".

Gazetari i njohur Ilir Kadia, ish korrespondent i BBC në Gjuhën Shqipe tha: 

"Mësueset tona, pra mësimdhënëset e kohës së tij dikur kishin klas".

Sipas tij ato kishin mbaruar Institutin Nëna Mbretëreshë, kishin tjetër drejtim dhe e dinin shumë mirë harmonizimin e raportit nxënës e mësues. 

Po për ju, kur ka qenë më i saktë dhe më i mirë mësuesi shqiptar? Jepni mendimin tuaj