“Në Librari” vjen me 3 tituj: “Murgu i Malit të Shenjtë” nga Luan Rama, “Kopshtari dhe vdekja” nga Georgi Gospodinov dhe “Gruaja në kinemanë shqiptare” nga Malda Lika.
1.“MURGU I MALIT TË SHENJTË”, UDHËTIM MES KUJTESËS E DHIMBJES
Titulli: Murgu i Malit të Shenjtë
Autori: Luan Rama
Gjinia: Roman
Shtëpia botuese: Albas
Çmimi: 800 lekë
Odisea Mihalis kishte përballuar pothuajse gjithçka: zemërimin e Perëndisë së Luftës, erërat e Poseidonit nëpër dete, magjinë e Circes, qelitë e burgut dhe shpellën e Polifemit e shumë vështirësi të tjera.
Pas luftës, më në fund edhe ai, ashtu si Odisea i Homerit, po kthehet në Itakën e tij, ku do të gjejë pretendentët e fronit dhe Penelopën e dëshpëruar.
A do ta përballojë Odisea i shekullit XX sfidën e tij të fundit? Kohërat kanë ndryshuar dhe bota gjithashtu...
2.“KOPSHTARI DHE VDEKJA, “RRËFIM” PËR ETËRIT NGA GOSPODINOV
Titulli: Kopshtari dhe vdekja
Autori: Georgi Gospodinov
Përktheu: Milena Selimi
Shtëpia botuese: Toena
Çmimi: 1400 lekë
Im atë ishte kopshtar. Tani është kopsht.
Një bir rrëfen pranë shtratit të babait të tij, me butësi dhe përkushtim, deri në mëngjesin e fundit dimëror.
I ati, një nga ata duhanpirësit e trishtuar të lindur pas Luftës së Dytë Botërore në Bullgari, jetoi si rebel pa kauzë, me një ndjenjë të hollë vetironie. Nga një oborr i zbrazët fshati, ai krijoi një kopsht që fillimisht e shpëtoi, pastaj e vrau. Aty mbetën trëndafilat dhe qershitë, bozhuret dhe patatet, dhe historitë që s’kanë fund. Por, pa të, e shkuara e të birit fillon të çahet ngadalë, sepse fundi i etërve tanë është fundi i një bote.
3.“GRUAJA NË KINEMANË SHQIPTARE”, MONOGRAFI NGA MALDA LIKA
Titulli: Gruaja në kinemanë shqiptare
Autori: Malda Lika
Shtëpia botuese: Maluka
Gruaja në kinemanë shqiptare trajtohet gjerësisht në librin e fundit të autores Malda Lika, një studim i veçantë mbi rolin, përfaqësimin dhe zhvillimin e figurës së saj, përtej kufijve politikë dhe historikë.
Ky botim hedh dritë mbi mënyrën se si është ndërtuar dhe transformuar imazhi i gruas në ekranin shqiptar, nga koha e regjimit komunist deri në periudhën pas viteve ’90; një reflektim mbi artin, ideologjinë dhe shoqërinë.
“Gruaja në kinemanë shqiptare gjatë dhe pas komunizmit” është libri i parë i autores.
MELODIA E VARGUT
Sonila Strakosha
Rubrika e poezisë sjell magjinë e vargut të Fatos Arapit
Ti do vish
Ti do vish, e dashur, si s’do vish?
Kur e di se unë ty të pres,
duke ndjer’ frymëmarrjen e vet mbrëmjes,
duke ndjer’ frymëmarrjen e vet pritjes,
duke ndjer’ frymëmarrjen e vetmisë.
Ti do vish, e dashur, si s’do vish?
Kur e di që unë po të mundja,
rreth vetvetes rruzullin do vërtitja
si një portokall në dorën time-
të rrjedhë koha shpejt
e ti të vish…
Ata që dashurojnë akoma
Ata që s’kanë bukë,
kur të kujtojnë bukën,
ty dhe mua le të kujtojnë.
Ata që s’kanë zjarr,
kur të kujtojnë zjarrin,
ty dhe mua le të kujtojnë.
Të pagjumët e botës,
me syrin hapur si nata,
në mesnatën e tyre
ty dhe mua le të kujtojnë.
Ata që kanë vdekur
dhe dashurojnë akoma,
ty dhe mua le të kujtojnë
Ti do t'më dashurosh patjetër
Ky qiell i prillit pa ty është i vjetër.
shkon një trishtim e ja ku vjen një tjetër.
Në mallin tënd ky karafil i egër,-
Ti do të më dashurosh patjetër!
Në sytë e tu diej të vegjël
e ndezën natën dhe ditën e ndezën.
Mirë sot, po si durohet pa ty nesër?
Ti do t’më dashurosh patjetër.
Kapërcej ty e kapërceva veten,
dhe përtej vetes kapërceva jetën,
dhe përtej jetës kapërceva vdekjen,-
I hapa krahët të pushtoj ty vetëm
Ti do t'më dashurosh patjetër.
Komente







