1. MIMOZA HYSA, AUTORE
VEPRA E ISUF LUZAJT, BOTOHET PËR HERË TË PARË MONOGRAFIA
Titulli: “Isuf Luzaj: filozofi, shkrimtari dhe atdhetari”
Autori: Mimoza Hysa
Gjinia: Monografi, Studimor
Shtëpia botuese: Botime Naimi
Çmimi: 1500 lekë
Pas më shumë se pesëmbëdhjetë vitesh kërkimi, njohjeje dhe studimi mbi figurën e Isuf Luzajt, Mimoza Hysa vjen me monografinë kushtuar Isuf Luzajt, që hedh dritë mbi jetën dhe veprimtarinë e një filozofi, shkrimtari dhe atdhetari të rrallë shqiptar.
Një rrugëtim të gjatë kërkimi që nisi me mëdyshje, por u bë një udhëtim dashurie, durimi dhe përkushtimi e cilëson autorja botimin e këtij libri.
Me këtë studim, Hysa ka rikthyer në vëmendjen e botës letrare dhe të mendimit shqiptar një personalitet si Isuf Luzaj, me veprimtari të gjatë krijuese dhe kërkimore, me shtrirje në tri periudha historiko-letrare: në vitet 1930, përgjatë luftës dhe në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar.
2. PASHKO CAMAJ, AUTOR
PASHKO CAMAJ VJEN ME NJË RRËFIM PËR BRENGËN DHE MËRGIMIN
Titulli: Brenga
Autori: Pashko Camaj
Gjinia: Roman
Shtëpia botuese: Onufri
Çmimi: 1500 lekë
Pas botimit të librit autobiografik “Porosia e kullës”, ku rrëfeu “jetën e tij nga fillimi e deri aty ku është sot, një doktor në shkencat shëndetësore dhe funksionar i rëndësishëm në shtetin e Nju-Jorkut”, siç shkruan në parathënie shkrimtari Besnik Mustafaj, siç duket ndjeu së brendshmi të rrëfejë tani për të tjerë, që janë si vetet tona të tjera veçanërisht në letra. Por më shumë se aq, të mbartë edhe “brengën” e tyre.
“Ai i beson rrëfimit, të vërtetave që mbart si një kulturë që mbase mitikisht i erdhi si frymë dhe fjalë nga odat e burrave në kullat e malësorëve shqiptarë atje në Mal të Zi, nga lutjet e nënave, nga eposi i rapsodëve ballkanikë e deri edhe te metropoli amerikan që është plot me befasi dhe habira metamorfozash domethënëse, me lajme dhe art të madh.”, shkruan në parathënien e botimit të këtij libri, shkrimtari Visar Zhiti.
3. IRENA SHABANI, AUTORE
“KUSH QAU NË PARAJSË”, NJË ROMAN MBI NJË HISTORI TË VËRTETË
Titulli: Kush qau në parajsë
Autore: Irena Shabani
Gjinia: Roman
Shtëpia botuese: Mediaprint
Çmimi: 1200 lekë
Kjo histori nuk është pjesë e ndonjë arkivi, e as ndonjë gazete, por është frymëzuar nga jeta vetë dhe është sjellë përmes letërsisë, me përpjekjen për të ndriçuar atë që shpesh mbetet në hije. Kështu shprehet vetë autorja Irena Shabani në lidhje me librin e saj “Kush qau në parajsë”.
“Për të kuptuar më thellë kohën në të cilën kjo grua (Sofia) jetoi e veproi, vitin 1996, kam lexuar çdo numër të gazetës "Koha Jonë" të atij viti. Jo për të ndërtuar ngjarjen, por për të ndier frymën e kohës: tensionin, heshtjen, shpresën, ritmin e lodhur të përditshmërisë dhe marrëzinë. Disa nga historitë anësore që do të lexoni janë të frymëzuar nga ato faqe, pjesë të një realiteti që formon sfondin e këtij rrëfimi.”, vëren Shabani.
Nuk i kam përfshirë për të shpërqendruar. I kam sjellë për të plotësuar, për të ndihmuar ndërtimin e asaj tablje të gjerë, ku një akt i vetëm merr kuptim të plotë vetëm kur shihet në kontekstin e kohës, të shoqërisë dhe të njeriut.
Ajo që Shaani dëshiron të mbetet në fund nga kjo histori është një himn për jetën, “për atë zinxhir të padukshëm që na lidh të gjithëve”, e që na mban gjallë përtej dhimbjes, vetmisë, vështirësive dhe që e ruan racën njerëzore nga zhbërja.
MELODIA E VARGUT
Sonila Strakosha
Më 27 janar shënohet Dita Ndërkombëtare e Kujtesës për Viktimat e Holokaustit.
Kujtesa është detyrë dhe domosdoshmëri për të mos u përsëritur kurrë më tmerret të cilat, jo shumë kohë më parë, vulosën një ndër turpet më të mëdha të historisë së njerëzimit.
Liliana Segré, e mbijetuar në kampin e Aushvicit, pas një periudhe kohe qetësie dhe heshtjeje, vendosi më pas të tregojë tragjedinë e saj personale pikërisht për të goditur dhe luftuar racizmin por dhe indiferencën e frikshme të cilën e hasi në lëkurën e saj.
Ajo ka thënë: "Indiferenca është më fajtore se vetë dhuna. Është apatia morale e atyre që kthejnë kokën nga ana tjetër. Ndodh edhe sot përballë racizmit dhe tmerreve të tjera të botës. Kujtesa vlen pikërisht si një vaksinë kundër indiferencës".
Ja pra pse duhet dhe është e rëndësishme të kujtojmë.
Rubrika e poezisë sjell vargje nga Joyce Lussu, shkrimtare, poete dhe përkthyese e njohur italiane.
"Një palë këpucë të kuqe" është një poezi e trishtë dhe e dhimbshme deri në rrëqethje por njëkohësisht dhe një akuzë e gjallë kundrejt një plage dhe një njolle turpi të historisë së njerëzimit.
Një palë këpucë të kuqe
Një palë këpucë të vogla, të kuqe,
numër njëzet e katër, pothuajse të reja:
në shollën e brendshme ende dallohet marka e fabrikës
“Schulze Monaco”.
Një palë këpucë të vogla, të kuqe në majë të një grumbulli këpucësh për fëmijë,
në Buchenwald.
Ishin të një fëmije tre vjeç e gjysmë.
Kush e di çfarë ngjyre kishin sytë e tij,
të djegur në furrë,
por të qarën e tij mund ta përfytyrojmë:
dihet si qajnë fëmijët.
Edhe këmbëzat e vogla mund t’i imagjinojmë,
numër njëzet e katër do të jenë në përjetësi,
sepse këmbët e fëmijëve të vdekur nuk rriten.
Mbetën një palë këpucë të kuqe në Buchenwald,
pothuajse të reja,
sepse këmbët e fëmijëve të vdekur
nuk i konsumojnë ato.
Komente







