LAVER BARIU DHE HISTORIA E SAZEVE NË LIBRIN E TË VASIL TOLES
VASIL TOLE, AUTOR
Një prej emrave më të rëndësishëm të muzikës popullore qytetare të Shqipërisë së Jugut, figura e klarinetistit të njohur Laver Bariu prezantohet në librin e ri të studiuesit Vasil Tole. “Laver Bariu, ustai i fundit” sjell jo vetëm jetën dhe veprën e mjeshtrit përmetar, por edhe historinë e sazeve dhe të traditës muzikore që ka shoqëruar breza të tërë.
Përmes dokumenteve, analizave dhe materialeve multimediale, botimi synon të ruajë dhe promovojë këtë trashëgimi të vyer kulturore.
Laver Bariu mbetet një nga figurat më përfaqësuese të muzikës popullore qytetare shqiptare. Për autorin e librit, Vasil Tole, ai ishte një fenomen artistik që la pas një trashëgimi të jashtëzakonshme, të dokumentuar në qindra regjistrime audio dhe video.
“Laver Bariu ishte një fenomen që e shenjoi kohën e tij. Ndryshe nga mjeshtrat e mëdhenj të sazeve paraardhëse, ai pati fatin që veprimtaria e tij të dokumentohej gjerësisht përmes regjistrimeve muzikore. Trashëgimia që la pas përfshin dhjetëra e qindra këngë, kaba dhe valle popullore. Duke u nisur nga emri dhe personaliteti i tij, libri synon të hedhë një vështrim më të gjerë mbi kulturën e muzikës qytetare të Shqipërisë së Jugut dhe mbi qytetet ku ajo u zhvillua",- thotë Tole.
Në fokus të botimit nuk është vetëm figura e Laver Bariut, por edhe qyteti i Përmetit dhe roli i tij si një qendër e rëndësishme e traditës muzikore shqiptare.
“Libri shpjegon edhe konceptin e qyteteve që shërbyen si një lloj shtrati ku u zhvilluan dukuri të rëndësishme kulturore. Jemi mësuar të flasim për qytete muze apo për qendra arkeologjike, por ka edhe qytete që mund të konsiderohen qendra historike të muzikës. Përmeti është një rast i tillë dhe Laver Bariu është një nga figurat që e mishëron më së miri këtë identitet",- thotë Tole.
Një kapitull i veçantë i kushtohet mjeshtrave të mëdhenj që hodhën themelet e traditës së sazeve shumë kohë përpara Laver Bariut.
“Kam ndjerë detyrimin t’u kushtoj vëmendje edhe sazeve paraardhëse. Në libër trajtohen figura që do t’i bënin nder jo vetëm kulturës sonë kombëtare, por edhe asaj botërore. Mes tyre janë emra si Selim Leskoviku, Jonuzi i Lamçes, Riza Mekua apo Riza Berati. Ata ishin instrumentistë dhe këngëtarë të jashtëzakonshëm, të cilët lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë e muzikës shqiptare",- thotë Tole.
Falë teknologjisë, botimi shoqërohet me materiale të shumta muzikore, të aksesueshme përmes kodeve QR, duke i dhënë lexuesit mundësinë të dëgjojë dhe të përjetojë drejtpërdrejt shembujt muzikorë të përmendur në libër.
“Libri ka një shtrirje shumë të gjerë. Ai nis me Laver Bariun, zgjerohet te sazet para tij, te qyteti i Përmetit dhe te kultura muzikore e Shqipërisë së Jugut. Përmes QR kodeve kemi mundur të sjellim shumë më tepër materiale sesa do të ishte e mundur në formatet tradicionale",- thotë autori.
Sipas autorit, libri është një studim i mirëfilltë muzikologjik, por njëkohësisht edhe një dëshmi qytetare për njeriun që mbeti i lidhur ngushtë me vendlindjen e tij.
“Është një libër studimor në thelbin e tij, ku analizohen edhe kabatë e Laver Bariut përmes metodave muzikologjike. Por ka edhe një dimension njerëzor e qytetar. Kam përfshirë kujtime, mbresa dhe reagime të njerëzve pas ndarjes së tij nga jeta. Është interesante të shohësh se si jeta dhe vepra e tij kanë mbetur të gjalla në kujtesën e qytetarëve, jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë",- thotë Tole.
Një homazh për mjeshtrin e klarinetës dhe një kontribut për ruajtjen e memories muzikore shqiptare, libri për Laver Bariun vjen si një dëshmi e rëndësishme për brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë.
2. “BISEDË ME VOLTERIN”, REFLEKTIME MBI LIRINË DHE ARSYEN
FATOS TARIFA, AUTOR
Një dialog imagjinar me filozofin e madh të Iluminizmit, Volterin, është në qendër të librit më të ri të sociologut dhe akademikut Fatos Tarifa, “Bisedë me Volterin”.
Sipas autorit, libri lindi si një nevojë shpirtërore dhe intelektuale, në një periudhë kur rutina e përditshme kërkonte një dialog me një nga mendjet më të ndritura të historisë europiane.
“Volteri, filozofi i shquar iluminist i shekullit XVIII, është një filozof me të cilin unë u pasionova që kur isha student i filozofisë. Pas më shumë se 50 vitesh, një dëshirë e brendshme intelektuale më shtyu të imagjinoj një bisedë me të. Kam dashur gjithmonë të mësoj nga mençuria e tij, nga lufta e tij kundër paragjykimeve, fanatizmit dhe absolutizmit. Prandaj e ftova simbolikisht në kafenë e tij të preferuar, Café Procope në Paris, për të reflektuar mbi atë që ndodh në shoqërinë e sotme",- thotë Tarifa.
Në faqet e librit, Tarifa ndërton një bashkëbisedim të gjatë me Volterin, duke e vendosur filozofin francez përballë temave që shqetësojnë botën moderne. Feja, fanatizmi, toleranca, liria e mendimit, marksizmi, sociologjia, teknologjia dhe inteligjenca artificiale janë vetëm disa nga çështjet që trajtohen në këtë dialog imagjinar.
Autori përpiqet të sjellë në kohën tonë frymën kritike të Volterit, i njohur për ironinë, sarkazmën dhe mbrojtjen e arsyes kundër paragjykimeve.
“Doja të dija se çfarë do të mendonte Volteri për sociologjinë, për marksizmin, për zhvillimet e reja teknologjike dhe për inteligjencën artificiale. Ai do ta konsideronte atë një arritje të madhe të njerëzimit, por njëkohësisht do të na paralajmëronte për rrezikun e adhurimit të teknologjisë si një fe e re. Nëse ne glorifikojmë teknologjinë dhe humbasim mendimin kritik, atëherë njeriu rrezikon të bëhet më pak i lirë dhe më pak njerëzor",- thotë Tarifa.
Gjatë promovimit, Fatos Tarifa vuri theksin edhe te figura e profesorit të ndjerë Zija Xholi, të cilit ia dedikon librin. Ai e cilësoi mentorin e tij si njeriun që i ngjalli pasionin për filozofinë, iluminizmin dhe veprën e Volterit.
Përmes këtij libri, autori synon të nxisë dialogun, reflektimin filozofik dhe debatin intelektual, duke sjellë për lexuesin jo vetëm figurën historike të Volterit, por edhe pyetjet që vazhdojnë të mbeten aktuale në shoqërinë e sotme.
Libri ndërthur historinë e ideve me problematikat bashkëkohore dhe përmes një bisede imagjinare me Volterin, fton lexuesin të reflektojë mbi lirinë, arsyen dhe të ardhmen e shoqërisë moderne.
3. ARLINDA DUDAJ, BOTUESE
“SEKRETI I FUNDIT”, DAN BROËN RIKTHEHET PAS TETË VITESH
Pas më shumë se tetë vitesh mungesë, Dan Broën rikthehet me romanin e tij më të ri, “Sekreti i fundit”. Autori i bestsellerëve botërorë sjell sërish në qendër simbologun e njohur të Harvardit, Robert Langdon, i cili këtë herë përfshihet në një aventurë misterioze në zemër të Pragës.
Në roman, Langdoni shoqëron akademiken Katherine Solomon në një konferencë, por ngjarjet marrin një kthesë të papritur kur ajo zhduket pa lënë gjurmë. I vetëm në një qytet të mbushur me histori, legjenda dhe sekrete të errëta, ai duhet të deshifrojë misteret që e rrethojnë për të shpëtuar gruan që dashuron.
“Sekreti i fundit është libri më i fundit nga Dan Broën. Besoj se është libri që do të lexohet më shumë këtë verë, edhe sepse vjen pas tetë vitesh mungesë që nga romani ‘Origjina’. Edhe këtë herë ai trajton një temë shumë intriguese, që lidhet me trurin dhe aftësitë e tij ende të pazbuluara. Në qendër është natyrisht Robert Langdon, profesori simbologjist i Harvardit, që përballet me kode dhe mistere të reja",- thotë Dudaj.
Ngjarjet zhvillohen në një Pragë të errët dhe enigmatike, mes kështjellave madhështore, kishave shekullore, varrezave të lashta dhe labirinteve nëntokësore. Sipas autorit, kjo është një betejë jo vetëm për mbijetesë, por edhe për të ardhmen e njerëzimit. Përveç ritmit të shpejtë dhe suspense-it që e karakterizon, romani prek edhe tema që lidhen me kufijtë e mendjes njerëzore, duke ndërthurur faktet historike me trillimin letrar, një formulë që e ka bërë Dan Broën një nga autorët më të lexuar në botë.
Langtoni nuk e di se një hije e errët e së kaluarës po e ndjek nga pas. Duhet rë përdorë të gjithë dijen e vet për të deshifruar botën përreth, përpara se të përpihet edhe ai nga rrathët e tradhëtisë dhe mashtrimit që kanë gllabëruar Ketrinën.
“Në qendër të këtij libri është një çift shumë interesant: Robert Langdon dhe Katherine Solomon. Ajo është studiuese e trurit dhe kërkimet e saj hapin shumë pyetje mbi aftësitë e panjohura të mendjes njerëzore. Si gjithmonë te Dan Broën, lexuesi përballet me shumë fakte, histori dhe mistere që të bëjnë të kërkosh më shumë edhe pasi ke mbaruar librin",- thotë Dudaj.
Dan Bron është autor i disa prej romaneve më të suksesshme të dekadave të fundit, mes tyre “Engjëj dhe Djaj”, “Kodi i Da Vinçit”, “Simboli i Humbur”, “Ferri” dhe “Origjina”.
Me “Sekretin e fundit”, ai rikthen universin e Robert Langdonit në një histori që premton të mbajë lexuesit të mbërthyer nga faqja e parë deri te e fundit.
“Është një roman voluminoz, por nga ata libra që nuk arrin t’i lësh nga dora. Dan Broën ka aftësinë të mbajë lexuesin të përfshirë deri në faqen e fundit, duke e argëtuar dhe duke e sfiduar vazhdimisht me pyetje e mistere të reja",- thotë Dudaj.
Sonila Strakosha
Rubrika e poezisë këtë herë prezantohet me vargjet e Martin Camajt.
Poezia e parë e bukur deri në dhembje
1. Shiu mbi lum'
Mjegulla nga bjeshka ulet kadalë
e pikat e shiut po bijnë mbi lum
në qiellin e vrantë lëviz nji halë
shpirti s’don dhimba e trupi lyp gjum.
Ujë â bâ gjethi e teshat e blegës
e pikat e shiut po bijnë mbi lum
dëshira e pjekun po bjen prej degës
shpirti s’don dhimba e shtati lyp gjum.
Në votër flaka po del krandeve
e pikat e shiut po bijnë mbi lum
veshët e mij janë lodhë prej zâneve
Shpirti s’don dhimba e trupi lyp gjum.
2. Të parën lule
Të parën lule që ndesha
Un ty ta pruna.
A thue din lulja çka ndiejmë për të?
Heshtojmë! Ajo krye-ulun andrron
Livadhet që là.
3. Kam shikimin tand në shpirt
Vargje të mrekullueshme këto, ku ndjenja shkrihet kaq natyrshëm me natyrën, trupin, shpirtin.
Kam shikimin tand në shpirt
dhe melodinë e pavdekshme
të gjakut në pasion.
Freskia mëngjesore
dhe bari i lagun fryjnë
zemrën time të zgjueme
nga prania jote në të.
Kam shikimin tand në shpirt.
Filli i zanit tand
depërton gjymtyrët e mija
dhe trajtat tua rrijnë
të pashlyeme
në bebzat e syve të mij,
që lahen për të parën herë
në jetë
në këtë mëngjes me diell.
Rubrika e poezisë “Melodia e Vargut” këtë herë prezantohet me vargjet e Martin Camajt. Publiku ka mundësinë të shijojë 3 poezi të shkrimtarit.
MELODIA E VARGUT
Sonila Strakosh
Rubrika e poezisë këtë herë prezantohet me vargjet e Martin Camajt.
Poezia e parë e bukur deri në dhembje
1. Shiu mbi lum'
Mjegulla nga bjeshka ulet kadalë
e pikat e shiut po bijnë mbi lum
në qiellin e vrantë lëviz nji halë
shpirti s’don dhimba e trupi lyp gjum.
Ujë â bâ gjethi e teshat e blegës
e pikat e shiut po bijnë mbi lum
dëshira e pjekun po bjen prej degës
shpirti s’don dhimba e shtati lyp gjum.
Në votër flaka po del krandeve
e pikat e shiut po bijnë mbi lum
veshët e mij janë lodhë prej zâneve
Shpirti s’don dhimba e trupi lyp gjum.
2. Të parën lule
Të parën lule që ndesha
Un ty ta pruna.
A thue din lulja çka ndiejmë për të?
Heshtojmë! Ajo krye-ulun andrron
Livadhet që là.
3. Kam shikimin tand në shpirt
Vargje të mrekullueshme këto, ku ndjenja shkrihet kaq natyrshëm me natyrën, trupin, shpirtin.
Kam shikimin tand në shpirt
dhe melodinë e pavdekshme
të gjakut në pasion.
Freskia mëngjesore
dhe bari i lagun fryjnë
zemrën time të zgjueme
nga prania jote në të.
Kam shikimin tand në shpirt.
Filli i zanit tand
depërton gjymtyrët e mija
dhe trajtat tua rrijnë
të pashlyeme
në bebzat e syve të mij,
që lahen për të parën herë
në jetë
në këtë mëngjes me diell.
Komente



