“Në Librari” vjen me 3 tituj: “Opera” nga Zhani Ciko, “Caso chiuso” nga Laura Olldashi dhe “Platforma për referendum kombëtar” nga Safet Sadiku.
“Opera ime”, një rrëfim i gjerë mbi kontributin dhe historikun 10-vjeçar të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit gjatë kohës kur në krye të këtj institucioni ishte Zhani Ciko sjell botimi më i ri nga “Mediaprint”.
Mjeshtri Zhani Ciko-s, një prej figurave më përfaqësuese të muzikës profesioniste shqiptare, violinist, koncertmaestro i Teatrit të Operës dhe Baletit, drejtues institucionesh dhe pedagog, ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në formësimin e brezave artistikë dhe në ngritjen e standardeve të skenës operistike në Shqipëri.
Libri është një dokumentim i një epoke të tërë artistike, ku përvoja individuale ndërthuret me historinë institucionale të Teatrit të Operës dhe Baletit. Në të pasqyrohet një periudhë intensive pune, krijimtarie dhe drejtimi, ku janë realizuar dhjetëra produksione operash dhe baletesh, nga repertori botëror i Verdit, Puçinit, Mozartit, Bizet-it, Ëagnerit e deri te vepra shqiptare si “Skënderbeu”, “Lumi i vdekur”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Migjeniana” e të tjera.
ZHANI CIKO, AUTORI
“Është një ditë e gëzueshme për mua që i prezantoj publikut dhe artistëve me të cilët kam bashkëpunuar një jetë të tërë këtë libër, që përmbledh dhjetë vite pune intensive në Teatrin e Operës dhe Baletit. Në ‘Operën time’ kam dashur të sjell jo vetëm kujtime personale, por edhe përvojën kolektive të një institucioni ku kanë kontribuar shumë artistë dhe punonjës administrativë, të gjithë të angazhuar në realizimin e një jete shumë intensive artistike.”
Ai thekson se libri nuk mbështetet vetëm në njohuri të përgjithshme, por në një përvojë të drejtpërdrejtë të skenës shqiptare dhe në mënyrën se si janë ndërtuar produksionet ndër vite:
“Në këtë libër kam sjellë përvojën tonë kombëtare shqiptare, për veprat që janë vënë në skenë dhe për mënyrën se si janë përzgjedhur ato. Lexuesi mëson pse janë realizuar këto tituj, si janë interpretuar dhe si është zhvilluar repertori ynë, nga klasikët botërorë deri te veprat që nuk ishin parë më parë në skenën shqiptare, përfshirë edhe autorë si Ëagner, Strauss dhe të tjerë.”
Një vend të veçantë në rrëfim zë edhe dimensioni historik dhe institucional i Teatrit të Operës dhe Baletit, si dhe lidhja e tij me krijimtarinë shqiptare:
“Ky kuadër ka sjellë veprat që flasin për Shqipërinë, për heronjtë dhe historinë e saj. Ka qenë një përpjekje e përbashkët për të krijuar një teatër kombëtar që tingëllon shqip, por që flet gjuhën universale të muzikës.”
“Opera ime” përfshin periudhën e drejtimit të tij nga viti 2003 deri në 2013, një dekadë e gjatë pune intensive institucionale dhe artistike, ku janë dokumentuar jo vetëm produksionet, por edhe emrat e artistëve që kanë kontribuar në historinë e skenës shqiptare.
“Ky libër nuk është thjesht kujtime. Ai përfshin çdo shfaqje, çdo projekt dhe çdo emër artisti që ka kaluar në skenë, qoftë edhe një herë të vetme. Aty është historia e një teatri të tërë dhe e njerëzve që e kanë ndërtuar atë me vite”.
“Opera ime” shfaqet si një dëshmi e gjallë e një epoke, por edhe si një udhërrëfyes për brezat e rinj të artistëve, duke ruajtur kujtesën e një tradite që ka formësuar identitetin e operës dhe baletit në Shqipëri.
“Për herë të parë kam mbi vete dhimbjet e qytetit. Nuk ia njihja deri në momentin kur u bënë të miat. Ndiej energjinë që lëshon mbi sipërfaqe. Dëgjoj zhurmën, rezonancën që shpërndahet në shkëmbimet mes nesh të treve: njeriut, qytetit dhe meje, duke na e kthyer mbrapsht, të shumëfishuar.
Nuk është mirë të jesh një histori njëzetekatërorëshe! Mbetesh pa kujtime.”
Është ky teksti prezantues i librit të fundit të autores Laura Olldashi, “Caso chiuso”.
Laura Olldashi ka lindur në Cërrik, në një periudhë të vështirë për familjen e saj, që vuante internimin. Në vitin 1998 emigron në Itali, në Milano, ku jeton edhe sot. Që herët ajo ka kultivuar pasionin për të shkruar, duke e kthyer letërsinë në një formë reflektimi mbi njeriun, shoqërinë dhe kohën.
Në vitin 2022 ajo boton librin e parë “Atman”, ndërsa një vit më vonë vjen me “Asgjëja ime”, ku thellon më tej kërkimin e saj letrar mbi identitetin dhe përjetimin e brendshëm.
Në librat e saj, Olldashi ndërton një univers ku kufijtë mes reales dhe përjetimit shpesh treten. Shkrimi i saj merr formën e letrave dhe rrëfimeve të brendshme, ku koha dhe hapësira shndërrohen në ndjesi.
“Është konceptuar në formën e letrave. Janë letra që duket sikur vijnë brenda një harku njëvjeçar, por në fakt janë letra që tregojnë çfarë ndodh brenda shpirtit gjatë atij cikli. E jashtmja, ajo që ndodh përreth, mënyra si e përthith shpirti ynë, është ajo që formëson tekstin.”
Për autoren, letërsia nuk është një proces i mbyllur, por një zhvillim i vazhdueshëm, ku çdo libër hap një dritare të re mbi jetën dhe njeriun.
“Procesi im i shkrimit nuk është i mbyllur. Unë besoj te evolucioni, te zhvillimi. Njeriu nuk duhet të ndalet, pavarësisht moshës apo energjisë. Është ajo energji që na shtyn drejt gjërave të bukura.
Ndoshta titujt mund të duken si mbyllje, por në fakt janë zhvillim, janë dritare të hapura. Si kjo dritarja që kemi pranë – gjithmonë duhet një dritë që të vazhdojmë të ecim përpara.”
Në qendër të shkrimit të saj qëndron “tjetri” – një figurë universale që mund të jetë çdo njeri, çdo sistem, çdo marrëdhënie njerëzore.
“Letërsia ime nuk ka personazhe të fiksuar, nuk ka vende të caktuara. ‘Ti’ mund të jesh tjetri, shoqëria, sistemi. Ky sistem që shpesh na mban të kufizuar. Dhe pyetja është: a është më mirë të jesh i dukshëm në këtë sistem apo askushi? Unë, në letërsinë time, shpesh zgjedh të jem askushi.”
Për Laura Olldashin, shkrimi mbetet një mënyrë për të kuptuar botën përmes vetes dhe veten përmes botës. Një proces i hapur, në lëvizje, mes kujtesës, dhimbjes dhe kërkimit të vazhdueshëm të lirisë së brendshme.
Në botimet më të fundit në fushën e mendimit politik shqiptar është edhe libri “Platforma për Referendum Kombëtar”, një vepër e autorit Safet Sadiku, veprimtar i çështjes kombëtare.
Libri, siç thotë autori, vjen si rezultat i një pune të gjatë kërkimore dhe reflektimi, duke u ndërlidhur me përvojën personale të autorit dhe me debatet aktuale mbi identitetin, integrimin dhe organizimin shtetëror të hapësirave shqiptare.
Sadiku vëren se është formuar edhe nga rrëfimet familjare dhe nga trashëgimia historike e rezistencës kombëtare, e vendos këtë vepër në funksion të një ideje qendrore: nevojës për një unifikim të brendshëm institucional dhe kulturor të shqiptarëve, para proceseve të integrimit europian.
SAFET SADIKU, AUTORI
“Faktikisht është një program që flet për perspektivën dhe ku është interpretuar pjesa e përvojës evropiane. Në kohën kur flasim për integrim, është momenti që shqiptarët të unifikojnë vlerat e veta kombëtare paraprakisht para se të futen në BE… është sjellë si model, në parim është pritur mirë dhe pjesa e dytë po vazhdon me ligjërata.”
Në vazhdim, ai e lidh idenë e tij me çështjen e funksionimit të shtetit dhe sigurisë institucionale, duke e parë atë si bazë për zhvillim ekonomik dhe besueshmëri ndërkombëtare:
“Shpesh kemi bërë krahasime me vendet e rajonit… kur flasim për Shqipërinë jemi mësuar të flasim vetëm gjëra negative. Kur vijmë te ekspertiza dhe investimet, shpesh mungon besimi sepse thuhet se mungon siguria. Qëllimi nuk është aty. Qëllimi është që përmes ligjeve evropiane të bëhet e prekshme që Shqipëria duhet të zbatojë standarde sigurie… dhe kjo hap mundësi që fondet të krijojnë besim.”
Një element qendror i platformës së tij mbetet ideja e një modeli organizimi të hapësirave shqiptare, të krahasueshëm me modele federative evropiane.
“Integrimi i hapësirave shqiptare mund të bëhet në modelin e BE-së ose në modelin e kantoneve të Zvicrës… unë i kam quajtur ‘republikat shqiptare’ sepse unifikimi i vlerave, gjuha dhe flamuri nuk na i mohon askush. Para se të jemi evropianë duhet të jemi shqiptarë. Ky integrim i brendshëm ka vlerë të madhe.”
Autori përmend gjithashtu përvojën e tij në Zvicër dhe Gjermani, ku, sipas tij, debatet mbi këto ide janë zhvilluar në tryeza akademike dhe institucionale, duke e lidhur idenë e referendumit si instrument demokratik për vendimmarrje.
Në përfundim, “Platforma për Referendum Kombëtar” paraqitet si një ndërthurje mes analizës politike, modelit institucional dhe debatit mbi identitetin kombëtar shqiptar, duke hapur diskutime mbi mënyrën e organizimit të brendshëm dhe raportin me integrimin europian.
MELODIA E VARGUT
Sonila Strakosha
“MELODIA E VARGUT”, VARGJE NGA DY POEZI TË AZEM SHKRELIT
Rubrika e poezisë përcjell vargje nga poeti Azem Shkreli
Koha e krymbave
Dalin kryezezë, kryeverdhë, nga vullnet i vrimave
Turren terr në sy, myshqeve, mendimeve, muranave
Trup e tërthori u bien trupave të palëndshëm
Sa marrin trok lëngatave, sa kalirojnë ligësive
Lakmojnë krymbas, zbirojnë, gropojnë, krymben
Në kënaqesi të zeza, gëzohen zi, cimbojnë me të zezë
Marshim i jargët i tyre zvarret tryezave, shikimeve
Bien në dy gjunjë, luten të marrë mot i lemashekët
Hipin shoq me shoq dhe shpallin kremten e krymbave
Shih si levrijnë, si i shtyn me gisht të madh koha
Shenjti i Shënkoll, po tallemi apo na mori krymbëria?!
Vargjet e tjera të mrekullueshme me titull:
Kangë rruge
Sonte kam dal me shëtit nëpër syt’ e tu,
gjethet e stinët me i përtri-
vetëm edhe sonte
E nëse kam me humbë në rrugicën e vetullave harkue
mos i fik dritat e shikimeve shituese, se fikën
yjt e gëzimeve të kësaj nate.
Komente






